Krasniqi humbi nga Dimitrenko
16 Nëntor 2008Ishte ky ndoshta edhe rasti i fundi i Luan Krasniqit për t´u kthyer në skenën e madhe të boksit ndërkombëtar dhe për të konkuruar sërish për ndonjë titull kampioni botëror në peshën e rëndë. Për 37-vjeçarin me nënshtetësi gjermane dhe origjinë kosovare, ishte ky rast i mirë edhe për rehabilitim, pas humbjes bindëse në qershor të vitit të kaluar, kundër amerikanit Tony Thompson.
Deri në raundin e tretë para tifozëve të tij, Krasniqi ishte në rrugën më të mirë që të rikthehet në arenën e madhe të boksit. Deri atëherë Luani ishte më i mirë. Mirëpo një pakujdesi dhe një goditje në mëlqi, pak para përfundimit të raundit të tretë i dhanë fund të gjitha shpresave të tij. Krasniqi fitoi rreth një milionë euro, por humbi ndoshta edhe shansin e fundit. Ndërsa Dimitrenkos iu hap rruga për të ëndërruar edhe më tej per titullin e kampionit të botës.
Aleksander Dimitrenko, në konkurrencën e WBO-së radhitet i dyti, menjëherë pas kampionit Vlladimir Kliçko.
26 vjeçari Dimitrenko i ka fituar të gjitha 29 duelet e deritanishme. Ndërsa bilanci i Luan Krasniqit është 35 duele, 30 fitore, 4 humbje dhe një barazim.