1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë-Serbi: Në Bruksel rifillon dialogu teknik

Bekim Shehu
15 Janar 2018

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, lëvizja e lirë dhe gjyqësia, janë temat për të cilat diskutohet të martën në Bruksel mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit.

https://p.dw.com/p/2qrf0
Gebäude der EU-Kommission in Brüssel!
Fotografi: picture alliance / Arco Images GmbH

Pas një ndërprerjeje disa mujore, të martën (16.01)në Bruksel takohen delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Delegacioni i qeverisë së Beogradit kryesohet nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ndërsa delegacioni i Prishtinës kryesohet nga Avni Arifi, shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj. Maja Kocijanciq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Federika Mogherini, ka deklaruar se "gjatë tri ditëve të dialogut teknik nga data 16 deri më 18 janar, do të diskutohet për dinamikën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani, siç janë Asociacioni i komunave me shumicë serbe, lëvizja e lirë dhe gjyqësia”. Sipas saj, "BE pret nga të dy palët që në mënyrë konstruktive të angazhohen në bisedime dhe të kenë qasje të orientuar nga rezultati".

"Zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut është obligim që të dy palët kanë ndërmarrë në raport me Bashkimin Evropian në mënyrë që të përcaktohet shpejtësia e progresit në rrugën evropiane”, ka deklaruar Maja Kocijanciq.

Përbërja e re e ekipit të Prishtinës në dialogun teknik me Beogradin që rifillon të martën në Bruksel, thuhet të jetë duke përgatitur bazën për një marrëveshje në nivelin më të lartë politik që nga Kosova pritet ta udhëheqë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit ka bërë thirrje për krijimin e një ekipi uniteti, ide kjo që është kundërshtuar nga dy partitë politike opozitare, LDK dhe Vetëvendosja. Këto dy subjekte politike, thonë se vetëm parlamenti i Kosovës mund ta mandatojë Presidentin Thaçi që të kryesojë nivelin e lartë politik në bisedime me Serbinë. Në delegacionin e nivelit teknik të Prishtinës, janë përfshirë këshilltari i parë politik i kryeministrit, Avni Arifi, këshilltari politik i Presidentit të Kosovës, Adrian Arifaj dhe këshilltari politik i kryetarit të parlamentit, Blerand Stavileci, por askush nga opozita.

Takimi i fundit i nivelit të lartë politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është zhvilluar më 31 gusht të vitit të shkuar ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaci dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Të dy presidentët patën dhënë zotimin e tyre që janë duke punuar për një marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi.

"Edhe Kosova, edhe Serbia, qytetarët e të dyja vendeve kanë nevojë për një marrëveshje përfundimtare, që u hap perspektivë të dyja vendeve për integrimin evropian. Vetëm dialogu, mirëkuptimi dhe pajtimi janë rruga e së ardhmes për të dyja vendet. Shpresoj se do të punojmë në këtë frymë edhe në të ardhmen dhe do të arrijmë marrëveshje", pati thënë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pati thënë: "Askush nga ne nuk është shumë optimist, por po e përsëris atë që u kam thënë të gjithëve në Beograd, që i kam thënë Hashim Thaçit dhe Federica Mogherinit, se nëse kemi qoftë një ose dy përqind shanse që të arrijmë ndonjë marrëveshje, ajo ia vlen për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë", pati thënë Aleksandër Vuçiq.

Kosova dhe Serbia me 19 prill 2013 patën nënshkruar marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet të dyja vendeve. Në kuadër të kësaj ndër marrëveshjet më të rëndësishme që janë arritur në dialogun Kosovë-Serbi është: Marrëveshja për lirinë e lëvizjes, marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, marrëveshja për telekomin dhe energjetikën dhe marrëveshja për drejtësinë. Shumica nga këto marrëveshje janë zbatuar me përjashtim të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila akoma nuk ka filluar së zbatuari për faktin që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pati interpretuar si një marrëveshje që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

E Presioni i Serbisë dhe listës Serpska që është pjesë e qeverisë së Kosovës po vazhdon mbi autoritetet e Prishtinës, që ta formojnë asociacionin e komunave, që do t'u jepte më shumë autonomi komunave të banuara me shumicë serbe. 10 komuna janë në Kosovë të banuara me shumicë serbe dhe të gjitha këto udhëhiqen nga përfaqësuesit e listës Srpska që e ka mbështetjen e qeverisë së Beogradit.