1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Një serb dënohet për krime lufte

Bekim Shehu
25 Maj 2018

Një Gjykatë në qytetin e Mitrovicës dënoi me 6 vjet e gjysmë heqje lirie një pjesëtar të komunitetit serb, i cili qe akuzuar për krime lufte në Kosovë gjatë vitit 1999.

https://p.dw.com/p/2yKgX
Symbolbild Deutschland Justiz
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Deck

Shqiptimin e dënimit e bëri një trupë gjykuese me gjyqtar të misionit EULEX,  mision ky që pas dy javësh përfundon mandatin aktual në Kosovë.  Serbi, Zoran Vukotiq, u shpall fajtor për akuzën se "gjatë vitit 1999 ka torturuar të burgosur në Burgun e Smerkonicës” jo shumë larg Prishtinës.  Vukotiq ndërkaq u lirua nga akuzat se "ka marrë pjesë në vrasjen e 116 civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë”, civilë që ishin shpërngulur nga shtëpitë e tyre.

Në akuzën për këto vrasje thuhej: ”i akuzuari Zoran Vukotiq në periudhën 2 dhe 3 maj të vitit 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor, rezervist nga stacioni policor në Vushtrri në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme”.

Denkmal für vermisste Personen während des Kosovo-Krieges
Rreth 1.600 vetë, shqiptarë dhe civilë serbë të Kosovës, konsiderohen akoma si të zhdukur. Fotografi: DW/Bekim Shehu

Në akuzë më tej thuhej se në këto krime përfshihej "vrasje brutale dhe të kundërligjshme, trajtimin çnjerëzor, shkaktim vuajtjesh të mëdha, aplikim i masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimi i pasurisë, plaçkitja dhe vjedhja në shkallë të gjerë e pasurisë që ishte e pajustifikueshme".

Zoran Vukotiq, u arrestua në mars të vitit 2016 afër Nikshiqit në Mal të Zi, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga misioni EULEX dhe ishte i vetmi serb i akuzuar për përfshirje në këto ngjarje.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë mbi 12 mijë vetë. Rreth 1.600 nga ky numër ku përfshihen edhe civilë serbë të Kosovës, akoma cilësohen të zhdukur.  Një komision i Kosovës dhe një i Serbisë - rezultat i dialogut ndërmjet dy vendeve - akoma po punon për të identifikuar të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë.