1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova nis zyrtarisht negociatat për MSA

Fillimi i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për marrëveshjen e stabilizim asocimit, MSA, shënon një fazë të re në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, në procesin e integrimeve.

Kosova filloi zyrtarisht me 28.10. negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, MSA. Ky hap sipas qeverisë së Kosovës shënon një fazë të re në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në, në procesin e integrimeve. Ndonëse ishte paralajmëruar se në Prishtinë do të qëndrojë komisioneri i BE-së për zgjerim, Stefan Fyle, delegacioni nga Komisioni Evropian u kryesua nga zëvendësdrejtori në Drejtoratin e Përgjithshëm për zgjerimin, Jost Korte.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nisjen e negociatave për MSA e cilësoi në moment historik, ku sipas tij “Kosova po nis rrugëtimin e saj të sigurt drejt BE-së, që do të pasohet më pas edhe me integrimin e saj në NATO”.

“Sot është një ditë historike, sepse po fillon një kapitull i ri në procesin integrues të vendit tonë dhe po fillon një proces i ri i cili ndodh njëherë në historinë e çdo shteti, pra edhe në historinë e Kosovës. Po fillon zyrtarisht një proces, që shpie drejt anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri Thaçi.

Delegacioni i Komisionit Evropian në takimin me qeverinë e Kosovës

Delegacioni i Komisionit Evropian në takimin me qeverinë e Kosovës

Raporti i progresit për Kosovën, që u publikua me datën 16.10 nga Komisioni Evropian, bënte thirrje për “reforma në fushën e sundimit të ligjit dhe që Kosova të japë dëshmi konkrete për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Përmirësimi i raporteve me Serbinë ishte kushti kryesor politik, që siguroi datën e fillimit të negociatave me Serbinë”, i pati thënë ditë më parë DW-së, analisti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, ICG, Naim Rashiti.

Bisedimet Kosovë-BE për marrëveshjen e stabilizim asocimit fillojnë vetëm pesë ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë. Raporti i Komisionit Evropian po ashtu thekson se “zgjedhjet komunale, që do të mbahen me datën tre nëntor, do të jenë një test i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë”.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për MSA, e cilëson një hap të rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja e Stabilizim Asocimit është hap konkret drejt realizimit të perspektivës evropiane, që do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit, forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të përmbyllin me sukses negociatat për MSA deri në pranverën e vitit të ardhshëm me qëllim të hapjes së rrugës së anëtarësimit të Kosovës në BE”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga zyra e presidencës.

Qeveria e Kosovës e negocion marrëveshjen e stabilizim asocimit me Komisionin Evropian dhe marrëveshja, që pritet të arrihet, nuk ka nevojë që të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Kjo formulë është arritur për shkak se pesë vende të BE-së akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo këto vende sipas komisionarit të BE-së për zgjerim Stefan Fyle, “do ta mbështesin integrimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian dhe nuk do ta pengojnë atë”.

Me marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, MSA, Kosova përfiton më së shumti në aspektin tregtar, që do të thotë hiqen barrierat doganore ndërmjet Kosovës dhe BE-së. Ndërsa në aspektin politik, me marrëveshjen për MSA, Kosovës i hapen dyert për të vazhduar procesin deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Negocitatat në katër faza

Negociatat ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për marrëveshjen e Stabilizim Asocimit MSA, sipas ministres së integrimeve evropiane Vlora Citaku, do të kalojnë nëpër katër faza. Faza e parë ishte takimi i sotëm në Prishtinë. Tri fazat e tjera ndërmjet grupeve punuese do të vazhdojnë deri në pranverë, ku do të diskutohet mbi lëvizjen e lirë të mallrave, pastaj ofrimin e shërbimeve dhe lëvizjen e kapitalit, përafrimin e ligjeve, zbatimin e ligjeve dhe rregullat e konkurrencës dhe së fundi, politikat e bashkëpunimit dhe bashkëpunimi financiar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Sipas ministres së integrimeve evropiane në qeverinë e Kosovës, Vlora Citaku, negociatat për MSA, pritet të përfundojnë në prill të vitit 2014.