1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova nis në janar dialogun për liberalizimin e vizave

18 Dhjetor 2011

Në fund të janarit të vitit 2012 Komisioni Europian do të hapë negociatat me Kosovën për heqjen e vizave. Kjo është bërë e ditur nga zyra për shtyp e Komisioneres për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.

https://p.dw.com/p/13V7J
Fotografi: DW

Komisionerja për Çështjet e Brendshme Sesilia Malmstrom në një letër zyrtare i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm kosovar, Bajram Rexhepi, që të vizitojë Kosovën më 19 dhe 20 janar, për të filluar dialogun për heqjen e vizave. Komisioni vë në dukje se Kosova këtë vit ka bërë përpjekje të rëndësishme në fushën e ri-integrimit dhe ripranimit. Megjithatë përpjekje të mëtejshme janë të nevojshme dhe të gjitha problemet do të vihen në dukje në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave.



Vendimi për të filluar dialogun me Kosovën është diskutuar në takimin ministror në nivel evropian më 13 dhjetor. Një nga kërkesat më të rëndësishme të Komisionit për fillimin e negociatave për liberalizimin e vizave më Kosovën është të tregojë përparim të rëndësishëm në ripranimin dhe ri-integrimin e refugjatëve.

Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.
Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrom.Fotografi: AP

Komisioni Evropian vuri në dukje progresin në Kosovë

Komisioni vëren se zyrtarët, që punojnë në ri-integrimin e refugjatëve në Kosovë, kanë marrë njohuritë bazë dhe se qeveria e Kosovës ka planifikuar edhe trajnime dhe specializime për punonjësit në aeroport. Komisioni vlerëson gjithashtu edhe rritjen e fondit të ri-integrimit, që për vitin 2012 do të jetë 3.5 milion euro.

Komisioni vë në dukje se Kosova është duke punuar me organizatat ndërkombëtare të tilla si UNICEF, PNUD dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim për përmirësimin e qasjes në punësim dhe arsim, sidomos për romët dhe egjiptianët. Për më tepër Komisioni vëren se vetëdija e ri-integrimit mbetet e përhapur në nivel qendror dhe atë komunal. Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministrja për Integrimin Europian Çitaku kanë zhvilluar takime me kryetarët e komunave dhe të administratës komunale për t'u dhënë rolin e rëndësishëm, që ata luajnë në ri-integrimin e refugjatëve, vë në dukje Komisioni Evropian.

Ekipet e inspektimit në terren

Ministrja për Integrimin Europian, Vlora Qitaku
Ministrja për Integrimin Europian, Vlora QitakuFotografi: DW



Për të marrë një pasqyrë reale përpara se të marrë një vendim për nisjen e bisedimeve për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian ka dërguar ekipet e kontrollit në Kosovë në fund të muajit Nëntor dhe në fillim të Dhjetorit. Ekspertët kanë raportuar se Kosova ka bërë progres në fushat e përmendura.

Vendimi për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën vjen në një kohë, kur Bashkimi Europian kërkon të forcojë mekanizmat për rivendosjen e vizave, propozim ky i disa liderëve europianë. Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian mund të vendosin për një rikthim të regjimit të vizave, nëse vazhdojnë abuzimet me liberalizimin e vizave dhe nuk frenohet vala e azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor.

Autor: Amarildo Topi

Redaktoi: Angjelina Verbica