1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova ngre misionet diplomatike në nivel ambasadash

Bekim Shehu2 Shtator 2008

Presidenti Fatmir Sejdiu ka nënshkruar dekretin për funksionalizimin e misioneve diplomatike jashtë vendit. Dhjetë misionet e para diplomatike të Kosovës, ngrihen kështu në nivel ambasadash.

https://p.dw.com/p/FA0h
Fatmir SejdiuFotografi: DW

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekretoi 10 të ngarkuarit me punë diplomatike jashtë vendit. Propozimi për 10 të ngarkuarit me punë diplomatike jashtë vendit u bë javën e shkuar nga qeveria e Kosovës, ndërsa, dekretimi i tyre në bazë të Kushtetutës bëhet nga presidenti.

Misionet diplomatike të Kosovës që nga sot, me nënshkrimin e dekretit nga ana e presidentit, ngrihen në nivel ambasadash. Kosova do të ketë ambasada, në SHBA-së, në Mbretërinë Bashkuar, në Gjermani, Francë, Itali, Austri, Zvicër, Turqi, Shqipëri dhe Bruksel. Presidenti, Fatmir Sejdiu, thotë se funksionalizimi i misioneve diplomatike të Kosovës ëhstë një moment histrorik për vendin.

Të dekretuarit me punë diplomatike jashtë vendit, janë Avni Spahiu në Uashington, SHBA-së, Muhamet Hamiti në Londër, Mbretëria e Bashkuar, Muhamedin Kullashi në Paris, Francë, Uillson Mirdita në Berlin, Gjermani, Albert Prenkaj në Romë, Itali, Ilir Dugolli në Bruksel, Bekim Sejdiu në Ankara, Turqi, Sabri Kiqmari në Vjenë, Austri, Naim Mala në Bernë, Zvicër dhe Gazmend Pula në Tiranë, Shqipëri.

Asnjë nga emrat e përmenduar nuk ka funksionin e ambasadorit. Fillimisht ata emërohen vetëm si të ngarkuar të Kosovës me punë diplomatike. Kjo për faktin që në bazë të ligjit për misionet diplomatike, i cili akoma nuk ka marrë formën e prerë, ambasadorët duhet të përzgjedhen me konkurs të hapur. Kjo do të ndodhë pak më vonë. Minstria e punëve të jashtme udhëzohet nga presidenti që të përfundojë sa më shpejtë procesin e blerjes së objekteve për ambasadat e Kosovës. Qeveria për këtë ka ndarë 25 milionë euro. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se, Kosova shumë shpejt do ta zgjerojë rrjetin e saj diplomatik edhe në vendet e rajonit, në rastin e parë, në Slloveni dhe Kroaci, të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës.