1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova në gjyq - "Kujt i përket perla e Kosovës?"

Një grindje ligjore për shkak të Telekomit të Kosovës, PTK, dhe një shoqërie investimesh nga Hamburgu, ACP Axos ka tërhequr vëmendjen e medias gjermane në fundjavë. Axos kërkon 390 milionë euro nga shteti i Kosovës.

Në një artikull me titull "Kujt i përket perla e Kosovës", (27.08) gazeta e njohur gjermane, "Frankfurter Allgemeine Zeitung" i kushton vëmendje vendimit të shoqërisë së investimeve nga Hamburgu, Axos Capital për të nxjerrë shtetin e Kosovës para gjyqtarëve të arbitrazhit në Uashington. Aty e ka selinë Qendra Ndërkombëtare për Sheshimin e Grindjeve të Investimeve, një nëninstitucion i Bankës Botërore, vendimet e gjyqtarëve të arbitrazhit të të cilit kanë peshë, sepse rrallë ndonjë vend do të krijojë konflikte me Bankën Botërore.

ACP Axos Capital kërkon nga Kosova 390 milionë euro, shkruan FAZ. Por çfarë qëndron pas kësaj grindjeje. Media gjermane i kushton vëmendje grindjes disa vjeçare për "një nga perlat e peizazhit të firmave në Ballkan." Fjala është për dështimin për herë të dytë të privatizimit të Telekomit kosovar, që njihej si një nga burimet e rëndësishme të buxhetit kosovar. Vetëm në vitin 2007 Telekomi arriti një xhiro të ardhurash prej 200 milionë eurosh.

Sipas FAZ, "Axos i Hamburgut e mori në prill 2013 më në fund tenderin për privatizimin e PTK. Në dukje kjo firmë është e vogël, por në bordin këshillimor të saj qëndrojnë të ulur personalitete të njohur: Ish-ministri gjerman i Mbrojtjes, Volker Rühe, ish-këshilltari i kancalarit Helmut Kohlit për politikën e jashtme, Horst Teltschik, ish-ambasadori amerikan në Berlin, Richard Burt,... e një sërë menaxherësh dhe investitorësh nga sektori i telekomit."

Lufta për PTK

Por para dhënies së tenderit, Axos, perla e të ardhurave të Kosovës ka qenë për vite me radhë një mollë sherri, sepse për atë luftonin edhe "'Allbright Capital', shoqëria e investimeve të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Allbright...Turkcell, një shoqëri e telefonisë mobile gjithnjë e më shumë nën ndikimin e Erdoganit si edhe Grupi M1 i kryeministrit libanez të zgjedhur dy herë, Najib Mikati...", shkruan FAZ. Me sa duket Axos e mori ofertën për shkak të çmimit më të mirë dhe investimeve disa vjeçare, thekson gazeta gjermane. "Por në mëngjesin e Natës së Vitit të Ri 2013, ministri përgjegjës e shfuqizoi privatizimin e PTK-së...ekipi i Axos ka punuar më kot vite më radhë..."

Çështjet që do të sqarojnë gjyqtarët e arbitrazhit

Për gazetën gjermane, vendimi i gjyqtarëve të arbitrazhit do të bëjë të qartë se "sa siguri investimesh ekziston për ofruesit e huaj në Kosovën, me nevoja aq urgjente për futje kapitali." Por sipas FAZ, gjyqtarët në Uashington para vendimit duhet të sqarojnë njëherë "disa çështje juridike të rëndësishme: A ka vlefshmëri ligjore në Kosovën e sotme marrëveshja e dikurshme jugosllave për mbrojtjen e investimeve? Ka vepruar në mënyrë ligjore qeveria e Kosovës, kur ajo vendimin për privatizimin e lidhi me miratimin e buxhetit, gjë që sipas kritikëve, nuk u la zgjedhje tjetër deputetëve? Ka luajtur rol korrupsioni në refuzimin e privatizimit, sepse shumë zyrtarë i trembeshin humbjes së një burimi të ardhurash?" Pyetje që së shpejti do të marrin përgjigje në Uashington. FAZ e përmbyll artikullin me vërejtjen kritike se "vërtet PTK i përket shtetit, por firma nuk është më një perlë."