1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në udhëkryq - Vakum pushteti, apo shtet juridik

Fabian Schmidt18 Mars 2008

Një polic ndërkombëtar ukrainas ka humbur jetën dje në Kosovë nga trazirat në Mitrovicë. Polici vdiq të henën në mbrëmje nga plagët, që mori gjatë trazirave.

https://p.dw.com/p/DQhm

Më shumë se 150 vetë u plagosën të hënën nga trazirat më të mëdha që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës para një muaji. Ndër ta ishin edhe 63 policë të OKB-së dhe ushtarë të KFOR-it. Dhuna shpërtheu, pasi policët e OKB-së përzunë serbët protestues, që kishin pushtuar ndërtesën e gjykatës.

Forca të pabarabarta

Eskalimi i djeshëm i dhunës në Kosovë shënon kulmin tragjik të një matjeje të pabarabartë të forcave ndërmjet nacionalistëve serbë dhe bashkësisë ndërkombëtare. Kosova ndodhet në udhëkryq. Në thelb shtrohet pyetja në se bashkësia ndërkombëtare e lejon, që në Kosovën e veriut të krijohet një sistem paralel politik, apo nëse serbët, që jetojnë aty do të integrohen në institucionet e Kosovës.

Sistem paralel apo integrim?

Në rastin e parë shteti paralel do të orientohej fort nga Beogradi. Por për shkak vakumit ekzistues të legjitimitetit dhe të pushtetit, ai do të ishte i prekshëm nga ndikimi i kriminalitetit të organizuar. Kosova nuk do të binte në qetësi për një kohë të gjatë. Në rastin tjetër territoret me shumicë serbe do të përfitonin një masë shumë të madhe të të drejtave kolektive të garantuara me kushtetutë dhe një vetëadministrim të zgjeruar. Meqenëse do të vepronin parimet e shtetit ligjor, qytetarët do të ndjeheshin të sigurtë aty. Këtu UNMIK-u dhe KFOR-i duhet të pengojnë me konsekuencë, që në veri të krijohet një vakum pushteti. Prandaj ata në të ardhmen duhet t´i ndalojnë që në rrënjë eksceset e tilla të dhunës.

Ndal ekseseve

Trazirat e marsit 2004, në të cilat shqiptarët dhe serbët zhvilluan luftime të përgjakshme në rrugë, e kanë mësuar bashkësinë ndërkombëtare se nuk duhet ta lërë as për një ditë t´i ikë nga dora monopoli i dhunës. Dhe përvojat nga Bosnjë-Hercegovina kanë treguar, se intervenimi i vazhdueshëm kundër nacionalizmit sjell fryte. Siguria dhe shteti juridik për të gjithë qytetarët mund të garantohen, kur edhe pakicat dhe refugjatët, që kthehen, të ndjehen kudo dhe kurdoherë të sigurtë. Nuk duhet të ketë tolerancë për intolerancën, përndryshe janë të humbur të gjithë qytetarët, serbët ashtu edhe shqiptarët, romet dhe goranët.

Mungesa e tolerancës nuk duhet lejuar

Zemërimi i shumë serbëve për shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk mund të jetë justifikim për aktet e dhunës. As nuk mund të ketë dyshime për legjitimitetin e të vepruarit të forcave ndërkombëtare. UNMIK-u dhe KFOR-i vazhdojnë të bazohen në rezolutën 1244 të KS të OKB-së, që u jep mandat për të vepruar. Debati aktual për legjitimimin e mandatit të misionit evropian EULEX nuk ka të bëjë aspak me këtë, sepse edhe me tej do të veprojë rezoluta 1244.

Dhuna duhet izoluar

Më rëndësi ka tani që t´u jepet zemër forcave demokratike në Beograd, që të izolojnë ata, që kërkojnë dhunë. Që Beogradi është në gjendje për këtë, e ka dëshmuar policia serbe javën e kaluar, kur pengoi veteranët e luftës së Kosovës, që të marshojnë në kufirin e Kosovës.

Nga ana tjetër është po aq e rëndësishme, që shpiptarëve të Kosovës t´u bëhet e qartë se të qenët e Kosovës shtet varet në radhë të parë nga mençuaria e tyre. Ata duhet t´u shtrijnë dorën serbëve të moderuar dhe njerëzve të thjeshtë në enklavat serbe dhe t´i marrin ata me vete në një Kosovë konstitucionale dhe demokratike.

Bashkëpunim me serbët e moderuar

Kjo kërkohet nga të gjithë, dhe jo vetëm nga qeveria. Pajtimi fillon që në kopshtin e fëmijëve, në shkolla, në klubet sportive, në fqinjësinë normale. Një shkëmbim të tillë të drejtpërdrejtë ndermjet njerëzve duhet ta nxisë tani edhe bashkësia ndërkombëtare përmes projekteve.