Kosova merr pjesë në eliminatoret për Kampionatin Botëror
10 Qershor 2016Kundërshtarë të Kosovës në eliminatoret për Kampionatin Botëror në Rusi më 2018 do të jenë: Kroacia, Islanda, Ukraina, Turqia dhe Finlanda. Ndërsa ndeshja e parë do të zhvillohet më 5 shtator kundër Finlandës. Në kumtesën e UEFA-s thuhet, se Kosovës i ndalohet për shkaqe sigurie të luajë kundër kombëtareve të Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Komisioni i UEFA-s ka futur në kualifikime për herë të parë edhe Gjibraltarin, i cili do të jetë në grupin H, ku janë edhe Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Greqia, Estonia dhe Qiproja.
Reagimet në Kosovë dhe Serbi
Federata e Futbollit në Kosovë e ka përshëndetur vendimin e UEFA-s, sikur edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa. Në prononcimet e tyre në Facebook ata e quajnë këtë vendim të drejtë dhe shpresojnë, që përfaqësuesja e Kosovës do të shënojë rezultate të mira në kualifikime. Ndërsa reagimet në Serbi kanë qenë shumë negative. Mediat e serbe e konsiderojnë këtë vendim si shkelje të rregullave të organizatave të sportit.
"Lufta" për lojtarët
Deri tani Kosova nuk ka pasur të drejtën e pjesëmarrjes në garat zyrtare të UEFA-s dhe FIFA-s. Por me pranimin e Kosovës në këto dy organizata mundësohet dalja e kësaj përfaqësueseje në arenën ndërkombëtare. Ndaj pritet që Kosovës t'i bashkohen edhe disa lojtarë me origjinë nga Kosova, të cilët aktualisht luajnë për kombëtaret e tjera. Teorikisht Kosovës mund t'i bashkohen 11 lojtarë nga kombëtarja shqiptare dhe katër që luajnë për Zvicrën. Etrit Berisha, Lorik Cana, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Ermir Lenjani, Migjen Basha, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, Frederik Veseli janë futbollistë me origjinë nga Kosova që luajnë për Shqipërinë. Ndërsa Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami dhe Shani Tarashaj luajnë për Zvicrën. Për Kosovën mund të luajë edhe lojtari i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, si dhe Milot Rashica dhe Herolind Shala, që nuk u ftuan nga Gianni De Biasi në Euro 2016. Kësaj liste mund t'i shtohen edhe disa lojtarë të tjerë që luajnë në Gjermani, Zvicër, vendet skandinave dhe në vende të tjera, por me siguri që shumë prej tyre, për shkaqe të ndryshme, do të vendosin të mbeten në kombëtaret e tanishme.