1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova me 300 mijë armë ilegale

2 Prill 2009

Armëmbajtja pa leje mbetet fenomen shqetësues në shoqërinë kosovare. Sipas statististikave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, në Kosovë llogariten mbi 300 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve.

https://p.dw.com/p/HP2W
Armë të lëna në Kosharë, afër Gjakovës, 10 korrik 1998
Armë të lëna në Kosharë, afër Gjakovës, 10 korrik 1998Fotografi: AP

Parlamenti i Kosovës, pritet të miratojë ligjin për armët duke shpresuar që armëmbajtja të vihet nën kontrollin e shtetit. Organizata të ndryshme bëjnë vazhdimisht hulumtime për numrin e armëve ilegale që gjenden në duart e qytetarëve dhe sipas statistikave, shifrat janë alarmante. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, thotë se në Kosovë ekzistojnë mbi 300 mijë armë ilegale. Zyrtarë të kësaj organizate thonë se me nxjerrjen e ligjit për armëmbajtje nga kuvendi i Kosovës, shumë gjera do të rregullohen. Alain Lapon, është menaxher i projektit "Nisma për kontrollin e armëve të vogla". Ai thotë se "ky ligj do të mundësojë që armët e paligjshme të largohen nga duart e qytetarëve. Gjithashtu, pritet që në të ardhmen, me miratimin e ligjit, qytetarët të mund t`i dorëzojnë armët pa kurrfarë ndëshkimi."

Duke festuar pavarësinë
Edhe këtë vit policia do të organizojë fushatën "festo me zemër e jo më armë" me shpresën që armët të mos përdoren gjatë ceremonive festive.Fotografi: AP


Zyrtarë të policisë së Kosovës, thonë se policia ka ndërmarrë shumë herë aksione për konfiskimin e armëve ilegale, aksione që kanë qenë shumë herë të suksesshme, por megjithatë numri i armëve ilegale vazhdon të jetë shumë i madh. Edhe këtë vit policia së bashku me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP-së, do të fillojnë fushatën "festo me zemër e jo më armë" me shpresën që gjatë muajve të verës armët të mos përdoren gjatë ceremonive festive.

Arbër Beka, është zëdhënës i policisë: "Policia ka bërë disa herë apel te qytetarët, që të kenë kujdes dhe të mos përdorin armët. Kemi pasur edhe fushata të ndryshme, siç ka qenë ajo e përbashkëta me UNDP-në, "Festo me zemër, e jo me armë", pas disa incidenteve që kanë ndodhur nëpër ahengje të ndryshme, ku si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit janë lënduar persona, apo kanë humbur jetën."

Fenomenin e armbajtjes tek shoqëritë e Ballkanit sociologët e shpjegojnë si pjesë e traditës që mbretëron ndër shekuj. Por, në rastin e Kosovës sipas sociologut, Shemsi Krasniqi, një armë në familje ka të bëjë edhe me një aspekt tjetër. "Ajo që është specifike për shoqërinë kosovare është periudha e pasigurisë dhe periudha politike nëpër të cilën ka kaluar prej disa dekadash. Është fjala për një shoqëri që i ka munguar shteti i vet, nuk ka pasur një shtet të besueshëm, nuk ka pasur qeveri të besueshme dhe ka pasur vetëm represion shtetërorë dhe në një farë mënyrë arma është parlë si mjeti i vetëm për mbrojtje," thotë profesori Shemsi Krasniqi.

Gjatë viteve të shkuara edhe forcat paqerujatëse janë angazhuar në grumbullimin e armëve ilegale. Çdo vit, caktohej një kohë kur apelohej tek qytetarët që të dorëzojnë armët ilegale dhe ky proces do të kalohej pa ndëshkime. Edhe sivjet gjatë muajve të verës pritet të organizohet një nismë e tillë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama