1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova i kërkon ndihmë Gjermanisë në sektorin e bujqësisë

18 Janar 2010

Gjatë vizitës së tij në kuadër të panairit agrar (Gruene Woche) në Berlin, ministri kosovar i bujqësisë i ka kërkuar ndihmë Gjermanisë për mëkëmbjen e sektorit bujqësor në Kosovë.

https://p.dw.com/p/LYcX
Fshat në Gjilan.
Kosova i kërkon ndihmë Gjermanisë në sektorin e bujqësisëFotografi: Mir Ajete Beqiraj

Kosova po përpiqet që vitin e ardhshëm të marrë pjesë me stendë më vete në Javën e Gjelbër të Berlinit, që është panairi më i madh i mallrave ushqimore për konsumatorët në botë. Këtë e konfirmoi ministri Kosovar i Bujqësisë Idriz Vehapi, i cili në fundjavë mori pjesë në një samit të ministrave agrarë të afro 50 vendeve të ndryshme të botës, që u zhvillua në kuadër të panairit të Berlinit.

Në një takim me sekretarin e shtetit në ministrinë gjermane të bujqësisë, Gert Lindemann, Vehapi ndër të tjera ka shprehur dëshirën që vitin e ardhshëm edhe Kosova të prezantohet në këtë panair: "Për këtë do të kërkojmë ndonjë donator, siç është GTZ-ja gjermane, që të na ndihmojë që të marrim pjesë edhe ne të prezantojmë Kosovën si subjekt i pavarur", tha ai të dielën mbas takimit.

Kërkesat me shkrim

Ndihmë kërkoi Vehapi ndaj Gjermanisë edhe për sa i përket profesionalizimit të kuadrove të ministrisë së tij si dhe fermerëve kosovarë. "Synimi ynë është që kuadrot tanë të mund të vijnë këtu e të ndjekin kurse. Bëhet fjalë për bashkëpunëtorë të ministrisë, fermerë, por mundësisht edhe për kuadro të reja për t'u shkolluar në Gjermani". Vehapi tha se sapo të kthehet në Kosovë ka ndër mend t'i parashtrojë me shkrim të gjitha kërkesat e tij ndaj ministrisë së bujqësisë së Gjermanisë.

Sipas ministrit kosovar, edhe homologu i tij hungarez, Josef Graf, u tregua i gatshëm për ta ndihmuar Kosovën. Graf, i cili është bashkë-organizator i Javës së Gjelbër 2010, e ftoi Vehapin për një vizitë në vendin e tij nga mesi i shkurtit. Edhe aty delegacioni kosovar pritet të shkojë me një listë kërkesash për ndihmë. "Bujqësia kosovare, sikurse edhe sektorë të tjerë kanë qenë të shkatërruara, dhe ne tani po bëjmë përpjekje që t'i sanojmë ato, por duhet pasur parasysh se subvencionet dhe grantat duhet të shtohen," tha Vehapi duke shtuar, se "kemi të bëjmë me një sektor që në të gjitha vendet e tjera subvencionohet nga shteti".

Edhe Kosova në Javën e Gjelbërt

Java e gjelbër është panairi më i madh i mallrave ushqimorë për konsumatorë. Në tri ditët e para të hapjes së tij ai ka shënuar rreth 120 mijë vizitorë, më shumë se një vit më parë. 1600 ekspozues nga 56 vende të ndryshme të botës konkurrojnë me produktet e tyre bujqësore dhe agrokulturore. Vendi partner i panairit të 75-të është Hungaria. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, Shqipëria nuk merr pjesë as këtë vit në këtë eveniment botëror.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama