1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova duhet të jetë më e fokusuar në dialogun e Stabilizim Asociimit

8 Shkurt 2011

Në kuadër të programit të Instrumentit të Ndihmës për Para-anëtarësim, KE dhe qeveria e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen e asistencës prej 63.9 milionë eurosh. BE ka ndarë 561.1 milionë euro për vitet 2007-2012.

https://p.dw.com/p/10Clj

Kjartan Bjornsson është shef i sektorit operativ në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë.

Deutsche Welle: Z. Bjornson, Komisioni Evropian dhe qeveria e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen e programit të asistencës prej 63.9 milionë eurosh. Diçka më shumë lidhur me këtë?

Kjartan Bjornsson: Programi i Instrumentit të Ndihmës për Paraanëtarësim 2010 (Instrument for Pre-Accession Assistance, mbulon një sërë prioritetesh, siç është forcimi i sundimit të ligjit, projekte të zhvillimit ekonomik, mbështetje të Kuvendit të Kosovës, vazhdimi I reformave në administratën publike siç ështe shkollimi i të rinjve kosovarë në shtetet e BE-së dhe rikthimi i tyre në administratë. Pp ashtu, ka disa projekte teknike të lidhura me agrokulturë, veterinari dhe mbrojtje të mjedisit. Këto janë disa nga projektet e programit i cili vërtet mbulon një gamë të gjërë prioritetesh.

Deutsche Welle: Në ç´formë bëhet përzgjedhja e pojekteve që do të financohen?

Kjartan Bjornsson: Çdo vit, me administratën dhe veçanërisht me Ministrinë për Integrime Evropiane në diskutojmë për prioritetet. Ndërkohë po diskutojmë prioritetet e IPA-s 2011, me ç´rast ne ftojmë administratën të shohë në Raportin e Progresit(në këtë rast në raportin e vitit 2010), se cilat janë prioritetet e identifikuara në sektorë specifike dhe si do mund të shfrytëzonim paratë e IPA-s, për tejkalimin e disa problemeve të identifikuara. Për në është shumë e rëndësishme që programi i IPA-s t`ía adresojë BE-së prioritetet më të rëndësishme politike, të cilat kanë të bëjnë me Kosovën. Pra, ne nuk dëshirojmë të shohim se programi i IPA-s po adreson çështje “Ad Hoc” ose çështje të cilat nuk kanë një pikëpamje të qartë karrshi BE-së. Është e rëndësishme po ashtu që të shqyrtojmë nëse gjërat janë të realizueshme, se është e mundur që kohë pas kohe të gjendemi në situata me prioritete më të rëndësishme politike, por për të mbështetur atë prioritet s´të duhen paratë por të duhet dicka tjetër. Kështu që ne shikojmë priorietet politike dhe pastaj shohim sa janë të realizueshme. Në thelb, ky është nje dialog i vazhdueshëm në mes të Komisionit Evropian dhe të ministrive përkatëse të udhëhequra nga Ministria për Integrime Evropiane, që merr rreth 12 muaj për të kompletuar programin.

Deutsche Welle: Kosova është në formim të qeverisë së re. A do të shtyjë kjo fillimin e implementimit të projekteve?

Kjartan Bjornsson: Sipas këndvështrimit tim, programi IPA-s 2010 nuk do të ndikohet nga formimi i qeverisë, në kuptimin që ne tash do të bëjmë tenderimet. Oferta bëhet nga ne, me ç´rast duhet lancuar procedura të ndryshme prokurimi, të cilat do të marrin disa muaj para se të fillohet implementimi. Pra, edhe një vonesë shtesë, para se këto fonde të futen në punë dhe qytetarët të mund të shohin rezultatet.

Deutsche Welle: A jeni të kënaqur me qasjen e institucioneve të Kosovës sa ju përket mjeteve të ndara nga KE për Kosovën?

Kjartan Bjornsson: Kemi parë progres, gjithnjë e më shumë pronësi nga qeveria dhe kemi parë përmiresime poashtu, në kuptimin e dhënies së prioriteteve strategjike. Por, ende ka hapësirë për përmirësim. Përshtypja ime është se ne edhe më tej kemi shembuj të shumtë ku projektet e disa ministrive apo departamenteve janë të veçuara, individuale dhe ne sigurohemi që koncepte të tilla të mos futen në programin tonë. Po ashtu, ne edhe më tej kemi situata të shumta ku qeveria nuk reflekton me kujdes në prioritetet kyçe por nxjerr përpara projekte më pak të dobishme.

Deutsche Welle: Këto para vinë në kuadër të Instrumentit të Ndihmës për Paraanëtarësim të KE-së. A ështe Kosova në rrugën e duhur drejt Bashkimit Evropian?

Kjartan Bjornsson: Rruga për në Evropë është e gjatë dhe është vështirë të thuhet nëse Kosova është në rrugën e drejtë. Une personalisht mendoj se, progresi do mund të ishte më i shpejtë dhe mendoj se janë humbur disa raste ku e ndjej se aty do mund të ishim më të fokusuar dhe sikur qeveria të ishte më e dedikuar në në një numër çështjesh ne do mund të kishim një progres më të shpejt. Nga ana tjetër, duhet pranuar se ky është një proces që kërkon kohë për t´u mësuar me mekanizmin të cilin e kemi përpara. Por, do të dëshiroja që Kosovën ta shohë më të fokusuar në Dialogun e Stabilizim Asociimit se pas reformave që kemi bërë, ky dialog është shumë i fokusuar në aksionet konkrete dhe mendoj se është pak zhgënjyese të shohësh se jo gjithnjë qeveria apo administrata po reagojnë shpejt për t´i adresuar ato konkluzione duke e lënë kështu kohën të ikën. Dhe unë mendoj, nëse do të kesh një progres më të shpejtë në integrimin në BE, duhet te fillosh nga ato konkluzione dhe t´i adresosh ato pa vonesë.

Intervistën e zhvilloi Ajete Beqiraj

Redaktoi: Aida Cama