1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova drejt kapërcimit të gjendjes pezull

Fabian Schmid (DW Shqip)16 Qershor 2008

Kosova ka tashmë kushtetutën e saj, megjithatë kontroversat në aspektin e së drejtës ndërkombëtare ende vazhdojnë. "Kjo nuk do të luajë ndonjë rol të veçantë në vend," mendon Fabian Schmidt në komentin e tij.

https://p.dw.com/p/EKOl
Fotografi: DW

Fakti që dorëzimi i mbikqyrjes ndërkombëtare në Kosovë për shkak të vetos ruse dështoi, nuk luan ndonjë rol të veçantë për të ardhmen në Kosovë. Sepse me vendimin e vazhdimit të qëndrimit të UNMIK-ut në vend Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon ja ka dalë me një goditje të zgjidhë dy probleme.

Fabian Schmidt
Fabian Schmidt


Së pari: Plani i ndërmjetësuesit ndërkombëtar, Marti Ahtisari mund të vihet në jetë, dhe Kosova tanimë mund të fillojë të zhvillohet si shtet sovran.

Së dyti: Rezoluta e OKB-së 1244 do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi, si ombrellë e së drejtës ndërkombatre, dhe kështu Rusia do ta ketë më të vështirë të minojë zhvillimin e Kosovës duke pwrdorur argumentin e së drejtës ndërkombëtare.

Praktikisht në të ardhmen UNMIK-u do të reduktohet dukshëm, sepse gati të gjitha përgjegjësitë që ai ka në administratë dhe mbikqyrjen e institucioneve, do të kalojnë tashmë tek BE dhe misioni i EULEX-it, por duke mbajtur kulmin e çatisë për vete, pra mandatin e OKB-së. Misioni që do të mbetet do të jetë një UNMIK bazë, i cili në të ardhmen do të ketë vetëm një pjesë të vogël të krahasuar me atë të mëparshmen. Përkundër UNMIK-ut qëndron misioni i BE-së me mijëra ekspertë.

Në të njëjën kohë institucionet e Kosovës do të marrin kompetencat bazë të sovranetit. Do të krijohen të gjitha ministritë që mund të ketë një shtet sovran, pra edhe një ministri të jashtme dhe mbrojtjes.

Konfliktuoze mbetet situata në veriun e Mitrovicës të kontrolluar nga serbët dhe në enklavat serbe në pjesë të tjera të Kosovës. Këtu UNMIK-u synon të marrë drejtimin e plotë, dhe mund të ndodhë të kemi një konflikt mes qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut në çështjen e sovranitetit. Veriu i Mitrovicës kontrollohet nga Beogradi, aty nuk është arritur as të kihen nën kontroll me efiçiencë pikat e kontrollit kufitar në drejtim të Serbisë. Nga ana tjetër serbët po themelojnë këshillat komunalë e zonalë sipas së drejtës serbe, institucione këto që nuk njihen as nga UNMIK-u.

Të gjitha këto tregojnë se trupa e NATO-s, KFOR-i së bashku me policinë ndërkombëtare duhet të vendosin monopolin e pushtetit të UNMIK-ut. Kjo do të thotë që policia ndërkombëtare të marrë në kurriz thelbin e konfliktit bazë, të cilin nuk arritën të zgjidhnin në vitet e shkuara diplomatët.

E rëndësishme është që UNMIK dhe BE së bashku të ndërmarrin gjithçka për të integruar në shtet, zonat e shkëputura në Kosovë përmes forcimit të dialogut dhe marrjes së masave për krijimin e mirëbesimit. Nga ana tjetër ata duhet të veprojnë me konsekuencë kundër tendencave për ndarje.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj duhet të jetë e gëzuar, që OKB-ja në veri nuk ja bllokon rrugën. Por ajo nuk duhet t'i hedhë sytë me frikë nga Mitrovica, por duhet të përqëndrohet tek ajo që është vërtet e rëndësishme. Ajo duhet të forcojë institucionet demokratike, të luftojë korrupsionin, kriminalitetin dhe ekonominë e favoreve dhe të vazhdojë t'u japë pakicave mbështetje të gjithanshme. Vetëm kështu ajo mund të tregojë se shteti i Kosovës e meriton pavarësinë. Ndoshta vetëm kështu mund të binden një ditë edhe serbët e Kosovës që aty ata kanë të ardhme.