1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosova dhe sfidat politike 2010-2011

Në fund të vitit 2010, Kosova u ballafaqua me zgjedhje të jashtzakonshme, për të cilat pati shumë kritika për parregullsi. Javët e fundit të vitit imazhi i Kosovës u godit nga raporti i hetuesit të Këshillit të Evropës.

Zgjedhjet e dhjetorit 2010 u kritikuan për shkak të parregullsive.

Humbje kredibiliteti? -Zgjedhjet e dhjetorit 2010 u kritikuan për shkak të parregullsive.

Vazhdimi i konsolidimit shtetëror, forcimi demokratik i institucioneve të Kosovës, shtrirja e autoritetit të plotë të institucioneve në të gjithë teritorin e vendit dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtzakonshme, janë disa nga sukseset, që Kosova shënoi gjatë vitit 2010, thotë zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës në largim Hajredin Kuçi.

Dy partnerët e koalicionit, që qeverisën Kosovën për tri vjet PDK-së dhe LDK-së, në fund të vitit 2010, shënuan përplasjet e para që rezultuan me prishjen e koalicionit dhe për pasojë zgjedhjet e jashtzakonshme. Hajredin Kuçi, thotë se, megjithatë ajo bashkëqeverisje ka qenë e mirë.

Zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës në largim Hajredin Kuçi.

Zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës në largim Hajredin Kuçi.

“Për asnjë moment nuk e mohojmë atë bashkqeverisje, por zhvillimet e reja, sfidat e reja kërkojnë energji dhe qasje ndoshta me pozitive për të mirën e vendit dhe qytetarëve”, thotë Hajredin Kuçi.

Por analistët e pavarur thonë, se zgjedhjet e përgjithshme, të cilat për herë të parë u organizuan institucionet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, nuk arritën të përmbushin pritjet për zgjedhje demokratike. Sipas analistit Ymer Mushkolaj, kjo dëshmohet nga parregullsitë në shumë komuna të Kosovës dhe rivotimeve që do të mbahen atje:

Ymer Mushkolaj, analist politik në Kosovë.

Ymer Mushkolaj, analist politik në Kosovë.

“Një proces aspak i besueshëm, një proces, që në fakt e ka humbur integritetin, për shkak të gjithë manipulimeve që ndodhën dhe po vazhdojnë të ndodhin” - thotë Ymer Mushkolaj.

Një ndër sfidat e para, me të cilat do të përballet Kosova në fillim të vitit 2011, do të jetë krijimi i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit 2010. Zëvëndëskryeministri në largim Hajredin Kuçi, partia e të cilit doli fituese e zgjedhjeve, beson se gjatë muajit janar, Kosova do ta ketë qeverinë. Por, megjithatë, për analistin e pavarur Ymer Mushkolaj, qeveria e ardhshme nuk do të jetë shumë komode në punën e saj.

“Unë dhe qytetarët tjerë të Kosovës do të shohim institucione, të cilave do t'u mungojë kredibiliteti, pasi ndërtohen mbi votën e keqpërdorur”, thotë Ymer Mushkolaj.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi numëron disa nga sfidat që e presin qeverinë e Kosovës vitin e ardhshëm.

“Në radhë të parë sfida, për të vazhduar punën për mirëqenien ekonomike dhe zhvillimin ekonomik për qytetarët tanë, me vendosjen e rendit dhe ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me proceset integruese, për të cilët ne presin hapa konkretë, siç janë liberalizimi i vizave dhe proceset e tjera. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur edhe dialogun me Serbinë.”

Hetuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty.

Dëmtim i imazhit të Kosovës - hetuesi i Këshillit të Evropës Dick Marty ngriti akuza të rënda ndaj kryeministrit Thaçi.

Zoti Kuçi thotë, se imazhi i Kosovës është dëmtuar pak nga raporti i hetuesit të Këshillit të Evropës Dik Marti. Analistët e pavarur thonë, se kjo do të ndikojë edhe në bisedimet Kosovë - Serbi. Por Hajredin Kuçi thotë, se Kosova në këto bisedime nuk do të hyjë kokëulur.

“Ne jemi të bindur, që do të luajmë rol konstruktiv, në bashkëpunimin ndërshtetëror dhe në pozita të barabarta, me qëllim bashkëpunimin rajonal dhe integrimet evropiane”, thotë Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë me optimistët në rajon. Në një hulumtim të fundit të bërë nga organizata "Gallup International", thuhet, se mbi 55% e qytetarëve të Kosovës presin, që viti 2011 të jetë më i mirë sesa viti 2010.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 30.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrWo
  • Data 30.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrWo