1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati për Kosovën në KS të OKB-së

Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti23 Mars 2013

KS i OKB-së diskutoi të premten (22.03.) lidhur me situatën në Kosovë. Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare inkurajuan Thaçin dhe Daçiqin që të vazhdojnë bisedimet për të arritur një marrëveshje kompromisi.

https://p.dw.com/p/1833Z
Fotografi: picture-alliance/dpa

Shefi i UNMIK-ut Farid Zarif përshendeti në seancën e Këshillit në Nju Jork bisedimet mes Prishtinës dhe Kosovës por vuri në dukje edhe tensionet, konfliktet dhe retorikën ndezëse. Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq tha se Serbia është e gatshme për suksesin e negociatave me Kosovën, por jo edhe për poshtërim dhe standarde të dyfishta. Ai tha se Beogradi nuk do të dorëzojë sovranitetin dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës është e papranueshme. Daçiq theksoi se zgjidhja e situatës kërkon kompromise si nga pala shqiptare, ashtu edhe nga ajo serbe.

Në foto, kryeminstri i Serbisë, Ivica Daçiq
Në foto, kryeminstri i Serbisë, Ivica DaçiqFotografi: DW/S. Huseinovic

Thaçi: Nuk do të lejojmë krijimin e një "Republike të re Srpska"

Ndërkaq kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se pala kosovare do të jetë konstruktive në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun Prishtinë-Beograd, Kosova së shpejti do të bëhet anëtare e OKB-së me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si fqinje të saj dhe nuk do të lejojë krijimin e një "Republike të re Srpska" në Kosovë. "Unë jam i bindur se Serbia dhe Kosova do të normalizojnë marrëdhëniet me anë të dialogut. Ne me të drejtë presim që në të ardhmen e afërt Këshilli i Sigurimit të OKB-së të miratoi një rezolutë të re me të cilën Kosova do të bëhet anëtare e barabartë e OKB-së", tha Thaçi në takimin e Këshillit të Sigurimit i OKB-së.

Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka folur edhe për sfidën kryesore: integrimin e plotë dhe funksional të veriut në shtetin e Kosovës. Ai ka theksuar se strukturat paralele qëndrojnë pas akteve kriminale për të trembur popullatën vendase. Kjo situatë përbën një kërcënim serioz për tërë sigurinë në rajon, u shpreh kryeministri Thaçi, duke bërë thirrje për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi. Ai fajësoi Serbinë për luajtjen e një roli jokonstruktiv, përmes mbështetjes që u jep strukturave paralele.

Në foto, kryeminstri i Kosovës, Hashim Thaçi
Në foto, kryeminstri i Kosovës, Hashim ThaçiFotografi: Reuters

Vendet anëtare të KS të OKB-së mirëpresin progresin e arritur

Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mirëpritën progresin e arritur në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel duke theksuar të ardhmen e tyre evropiane.

Zëvendësja e misionit amerikan në OKB, Rozmari Dikarlo, u shpreh se shenjat e deritanishme tregojnë se palët në bisedime janë pranë një marrëveshjeje dhe ajo bëri thirrje për daljen me kompromis në takimin e 2 prillit. Ajo u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në stabilizimin të cilin e kanë filluar liderët e tyre dhe shtoi se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e përgatitur që të zbatojë shpejt marrëveshjen që do të arrihej. "Përderisa vazhdoni negociatat nën patronazhin e përfaqësues së lartë të BE-së, Catherine Ashton ju duhet të shfrytëzoni mundësinë që ofron dialogu... t'i ktheheni të ardhmes tuaj të përbashkët evropiane", ka thënë Di Carlo.

Në foto, Catherine Ashton
Në foto, Catherine AshtonFotografi: REUTERS

Edhe ambasadori francez në Kombet e Bashkuara Gérard Araud ka inkurajuar të dyja palët që të vazhdojnë bisedimet për të arritur një marrëveshje kompromisi. Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e baroneshës Ashton si ndërmjetësuese në këto negociata. "Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të vazhdojnë të jenë të përkushtuara në këtë proces historik, ne e dimë se kjo nuk është e lehtë dhe përgëzoj kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës, Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi për deklaratat e bëra në takim", ka deklaruar ambasadori francez.

Kosova dhe Serbia në prag të arritjes së një marrëveshjeje historike

Përfaqësuesi i Bratanisë së Madhe në KS të OKB-së ka thënë se Kosova po vazhdon të përparojë dhe u bëri thirrje vendeve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë. Ai përshëndeti edhe angazhimin e baroneshës Ashton dhe falendëroi kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës për guximin, vizionin dhe vendosmërinë në procesin e dialogut. "Ju jeni në prag të arritjes së një marrëveshje historike", tha diplomati britanik dhe vuri në dukje se ka ende punë që marrëveshja vendimtare të arrihet në raundin e ardhshëm të negociatave më 2 Prill.

Në foto, Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica Daçiq
Në foto, Hashim Thaçi, Catherine Ashton dhe Ivica DaçiqFotografi: Christos Dogas/ European Commission

Ambasadori rus i cili aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit, Vitalij Çurkin ka deklaruar se Moska mbështet negociatat në nivelin më të lartë politik, duke pritur një kontribut për stabilitetin, por, siç ka thënë ai, Këshilli i Sigurimit të OKB-së edhe më tutje është ai që duhet ta thotë fjalën e fundit.