1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Serbia ende me qëndrime të kundërta

Bahri Cani10 Qershor 2013

Kryeministri i Kosovës ndodhet në SHBA, ku do të takohet me zëvendëspresidentin Biden dhe autoritete të tjera. Vizita realizohet pas qëndrimit në Britani të Madhe dhe në prag të vendimeve të rëndësishme me palën serbe.

https://p.dw.com/p/18muc
Fotografi: picture alliance/dpa

Pikat kulmore të vizitës së kryeministrit Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë në fillim dhe në fund. Sot (10.06.2013) ai takohet me zëvendëspreseindetin Joseph Biden. Kryeministri më pas do të bisedojë edhe me zëvendëssekretarin e Departamentit të Shtetit, William Burns, nënsekretarin e Mbrojtjes, James Miller, kongresistin Eliot Engel dhe shumë senatorë. Kryeministria e Kosovës bëri të ditur se në përfundim të vizitës në SHBA kreu i qeverisë së Kosovës do të marrë pjesë edhe në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do ta shoqërojnë edhe ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimit Evropian Vlora Çitaku.
Vizita e kryeministrit të Kosovës në SHBA vjen pas qëndrimit dhe takimeve me zyrtarë të lartë të Britanisë së Madhe javën, që shkoi. Analistët thonë se qëllimi i Prishtinës është që të përforcojë mbështetjen amerikane dhe britanike në prag të vendimeve të rëndësishme, që për Kosovën dhe Serbinë duhet të merren në Bruksel gjatë muajit qershor.

Takimet me Daçiqin

Pritet që kryeministri Thaçi gjatë këtij muaji të ketë të paktën dy takime me homologun e tij serb Ivica Daçiq, një në Vjenë në kuadër të një konference ndërkombëtare, dhe një tjetër në Bruksel, ku do të vendoset përfundimisht për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Treffen Ashton, Thaci und Dacic
Thaci dhe Daic priten të takohen të paktën dy herë gjatë këtij muaji.Fotografi: European External Action Service

Në bisedimet e fundit mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, të ngarkuara me të ashtuquajturat "çështje teknike", është paraqitur edhe problemi i admnistrimit të serbëve të veriut, të cilët janë të përfshirë në aktivitete të ndryshme kundër ligjit. Pala serbe ka kërkuar amnisti të përgjithshme. Sipas disa burimeve pala serbe kërkon madje që të mos shpërbëhen në tërësi strukturat ilegale, por udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri, ka hedhur poshtë këto kërkesa si të parealizueshme. Ajo tha se "në shtator do të shpërbëhen strukturat ilegale në gjyqësi dhe siguri". Ndërsa shefi i zyrës serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin, pohon se "shpërbërje të gjykatave serbe dhe policisë në veri nuk do të ketë pa përmbushjen e kushteve", e njëri prej kushteve më të rëndësishme është "ligji për Amnisti".

Pala kosovare refuzon amnistinë e përgjithshme

Zëvendësdëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi dhe shumë deputetë kosovarë kanë hedhur poshtë mundësinë e amnistisë për personat e përfshirë në krime. Kuçi tha, se ligji do të jetë i njëjtë për të gjithë dhe nuk "do të aplikohet për rehabilitimin edhe të kriminelëve".

Zëvendëskryeministri Kuci ka hedhur poshtë mundësinëe një amnistie të përgjtihshme.
Zëvendëskryeministri Kuci ka hedhur poshtë mundësinë e një amnistie të përgjithshme.Fotografi: DW/Bekim Shehu

“Kriminelët janë të gjithë njësoj, si shqiptarë si serbë. Ndaj amnisti të përgjithshme nuk do të ketë, sepse kriminelët duhet të ndëshkohen”, tha Kuçi.

Në raportin e tij të paraqitur sot (10.06.2013) para Komisionit për Legjislacion në Prishtinë Kuçi bëri të ditur se "një pjesë e strukturave te sigurisë, që veprojnë në veri, do të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës". Në strukturat e institucioneve të Kosovës do të ketë vend për 150 pjesëtarë të struktrave të tanishme serbe, por nuk do të ketë vend për 800 pjesëtarë, sa numërojnë ato. Çështja e dy pagave, që marrin pjesëtarët e strukturave serbe në veri, duhet të shpjegohet deri me 15 qershor.“ Prej 15 qershorit ata do të marrin vetëm një pagë. Qeveria e Serbisë duhet të marrë një vendim transparent, për financimin e serbëve të Kosovës", theksoi Kuçi.