1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kosovë: opozita ultimatum qeverisë për dorëheqje

Partitë politike opozitare i dhanë "ultimatum" qeverisë së Kosovës deri më 27 shkurt që të dorëhiqet dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Disa dhjetra mijëra qytetarë të ardhur nga shumë rajone të Kosovës protestuan në Prishtinë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë, e cila udhëhiqet nga kryeministri Isa Mustafa. Opozita i dha ultimatum qeverisë që deri më datën 27 shkurt të japë dorëheqjen dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme, në të kundërtën do të përballen me protesta të vazhdueshme. Kryeministri Isa Mustafa, ndërkaq, tha se ai do të vazhdojë mandatin e tij deri në vitin 2018.

Protesta e thirrur nga tri partitë politike opozitare, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, u mbajt në shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë. Protesta kaloi e qetë, në dallim nga protestat e kaluara të opozitës, të cilat u manifestuan me përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve. Organizimet institucionale në shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë u mbjatën në paradite me parakalimet në sheshin qendror të Prishtinës të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës. Ceremonia zyrtare për shënimin e tetë vjetorit të pavarësisë dhe parakalimet e organeve të rendit zgjatën jo më shumë së dy orë, për t'u zbrazur sheshi kryesor dhe për t'u lënë i lirë sheshi, "jo me ndonjë marrëveshje", për protestën e opozitës.

Në fjalimin e tij drejtuar protestuesve, njëri nga liderët e opozitës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se "populli po e merr fatin e lirisë dhe Republikës në duart e veta".

"Qeveria e ka thelluar kapjen e shtetit, korrupsionin, klientelizmin. Kjo qeveri e ka sulmuar territorin e Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin. E ka sulmuar sovranitetin dhe rendin kushtetues me marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, (Zajednices), tha Ramush Haradinaj, duke i bërë thirrje qeverisë që ta dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të japë dorëheqjen.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, duke akuzuar qeverinë që përmes Asociacionit të Komunave me shumicë serbe po tenton "ta ndajë Kosovën".

"Sot këtu kemi dalë që të bëjmë tejkalimin, dhe Republikën e Kosovës ta bëjmë me institucione, por nga to t'i heqim Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin. Duhet t'ua bëjmë me dije se Kosova është një dhe e pandashme. I bëjmë thirrje qeverisë që deri më 27 shkurt t'i shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme. Në të kundërtën, protestat nuk do të ndalen", tha Visar Ymeri.

Forca të mëdha të mëdha policore ishin shpërndarë në të gjitha anët e Prishtinës, në oborret e institucioneve qendrore, të përgatitur, siç tha policia "të përballen me çfarëdo situate të mundshme". E kësaj radhe protesta e opozitës kaloi e qetë pa asnjë incident.

Menjëherë sapo përfundoi protesta, kryeministri Isa Mustafa, doli në një konferencë për media së bashku me partnerin e tij të koalicionit, zëvëndëskryeministrin dhe kryetarin e PDK-s Hashim Thaçi.

Të dy duke ju përgjigjur ultimatumit të opozitës thanë se ata nuk e kanë ndërmend të japin dorëheqje deri në fund të mandatit të kësaj qeverie në qershor të vitit 2018. Edhe kryeministri Mustafa edhe zëvëndësi i tij Hashim Thaçi ftuan opozitën që të kthehet në kuvend dhe ta ragumentoi "pozicionin e saj në kuvendin e Kosovës". Sipas tyre "qeveria është e palëkundur në mandatin e saj".

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në fjalimin e saj, tha se në tetë vjetorin e pavarësisë "qytetarët përkujtojmë idealet që i bënë bashkë, përkushtimin për lirinë dhe për zhvillimin e vendit, për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht edhe për paqen".

"Kosova është një realitet i pakthyeshëm, një paqe e fituar pas një lufte të gjatë e të rëndë. Një liri për të cilën është sakrifikuar. Një miqësi e përjetshme me SHBA-në që ka qëndruar kaq pranë nesh në secilin kapitull të shtetndërtimit tonë. Kosova është vlera e shtuar e stabilitetit dhe sigurisë jo vetëm në rajon, një forcë e pazëvendësueshme e fqinjësisë, garantuese e paqes për të gjithë, që hap rrugën e integrimeve", tha presidentja Atifete Jahjaga.

Sidoqoftë, protestat e partive politike opozitare me synim rrëzimin e qeverisë me gjasë nuk do të ndalen. Ata paralajmëruan se nuk do të lejojnë as mbajtjen e seancave të rregullta të parlamentit përfshirë edhe atë të zgjedhjes së presidentit të vendit. Kandidati i koalicionit qeverisës për president të Kosovës është zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi. Data e mbajtjes së seancës së zgjedhjes së presidentit akoma nuk është caktuar, mirëpo, sipas, vet Thaçit, zgjedhja e tij president do të bëhet në afatin ligjor dhe kushtetues. Mandati i presidentes aktuale Atifete Jahjaga përfundon me shtatë prill, ndërsa, presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet një muaj para skadimit të mandatit të pesidentit aktual.

Kriza politike në Kosovë dhe protestat e opozitës nisën që nga nënshkrimi më 25 gusht të vitit të shkuar i marrëveshjes Kosovë-Serbi për Asociaciononin e Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Të dy këto marrëveshje u kundërshtuan nga opozita, ndërsa, mbrohen nga qeveria e Kosovës.

DW.COM