1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Reformë zgjedhore me ndryshime kushtetuese, apo jo?

Bekim shehu27 Dhjetor 2013

Reforma zgjedhore në Kosovë, që akoma nuk ka ndodhur, është kusht i BE për integrimin e Kosovës. Krahas reformës zgjedhore, po kërkohet edhe ndryshimi i kushtetutës për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për pakicat.

https://p.dw.com/p/1AhPE
Fotografi: dapd

Udhëheqësit e partive kryesore politike në Kosovë akoma nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth reformës zgjedhore, e kërkuar me vendosmëri edhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë. Çështja e vendeve të rezervuara për pakicat, duket se është pika kryesore, ku subjektet politike nuk po mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Janë vetë përfaqësuesit e pakicave në kuvendin e Kosovës, që po kërkojnë vazhdimin edhe për dy mandate të ulëseve të rezervuara.

Pakicat kërkojnë vazhdimin e mandateve të rezervuara

Mirëpo sipas Kushtetutës së Kosovës pas përfundimit të mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare vendet e rezervuara shndërrohen në ulëse të garantuara. Kjo nënkupton që pakicat nga zgjedhjet e ardhshme, nuk do të mund të marrin, sikurse deri tash, 20 ulëse në Kuvend që në fillim plus ulëset, që mund t'i fitojnë me vota, por gjithsej mund t'i kenë vetëm 20 ulëset e tyre të garantuara. 10 ulëse për komunitetin serb dhe 10 të tjera për komunitetet tjera pakicë.

Ministri i punës dhe mirëqenies sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se “pakicat e përfaqësuara në kuvendin e Kosovës kanë marrë garanci nga udhëheqësit politikë për vazhdimin e mandateve”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, Nenad RashiqFotografi: DW/R. Alija

“Në momentin, kur kemi votuar për përfundimin e pavarësisë së mbikqyrur, ka qenë një pajtim i të gjithë neve se minoriteteve në Kosovë do t'u vazhdohet mandati i rezervuar në Kuvendin e Kosovës”, thotë Nenad Rashiq.

Pro dhe kundër ndryshimeve kushtetuese

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ( PDK ), në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale thotë se “reforma zgjedhore është e nevojshme dhe e domosdoshme. Është edhe pjesë e agjendës së integrimit evropian”.

“Pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë reformë të mirëfilltë zgjedhore”, shkruan kryeministri Hashim Thaçi.

Por kundër ndryshimeve kushtetuese janë shprehur përfaqësuesit e subjekteve tjera politike. Kryetari i partisë më të mëdha opozitare LDK-së, Isa Mustafa, thotë po ashtu në rrjetin social se "reforma zgjedhore mund të përmbyllet me disa ndryshime, të cilat do të përmirësonin sistemin e tanishëm zgjedhor, por që nuk kërkojnë ndryshime kushtetuese”, shkruan Isa Mustafa.

Vazhdimi i vendeve të rezervuara për pakicat dëmton demokracinë

Shoqëria civile nga ana e saj vazhdimisht ka ngritur zërin për reformën zgjedhore. Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i tha DW-së, se Reforma e mirëfilltë e legjislacionit zgjedhor është më se e domosdoshme”.

Kryetari i partisë më të mëdha opozitare LDK-së, Isa Mustafa.
Kryetari i partisë më të mëdha opozitare LDK-së, Isa Mustafa.Fotografi: DW/B. Shehu

“Fatkeqësisht kjo ende nuk ka qenë prioritet i spektrit politik në Kosovë. Edhe pse kjo reformë ka filluar në prill të vitit 2011, kjo nuk ka përfunduar dhe së fundmi u desh intervenimi i faktorit ndërkombëtar që të rinisin takimet e lidershipit politik vendas për ta trajtuar seriozisht këtë çështje”, thotë Driton Selmanaj.

Ai është kundër vazhdimit të mandateve për ulëse të rezervuara, sepse sië thotë: ”kjo do të dëmtonte demokracinë në Kosovë”. “Çështjen e ulëseve të rezervuara e ka zgjidhur Kushtetuta e Kosovës dhe ato vende tashmë transformohen në vende të garantuara. Çdo qasje për ta ndryshuar pakon gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës do të kishte pasoja në ndërtimin e një demokracie funksionale në Kosovë, si dhe do të pengonte procesin e vendimmarrjes brenda institucionit më të lartë përfaqësues në vend Kuvendin e Kosovës”, thotë Driton Selmanaj për DW.

Sipas tij vendet e garantuara do të ishin mekanizmi më adekuat për të dëshmuar diskriminimin e lartë pozitiv, që shteti i Kosovës tregon ndaj pakicave kombëtare, që jetojnë në të.

Rritja e numrit të ulëseve të rezervuara mund ta bllokojë shumicën

Edhe ekspertët e çështjeve juridike thonë se vazhdimi i mandatit të ulëseve të rezervuara për pakicat mund të implikojë funksionimin e institucioneve. Arsim Bajrami, deputet në kuvendin e Kosovës, i cili ka qenë edhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, thotë se vazhdimi i ulëseve të rezervuara, që do të thotë rritje e vendeve të pakicave në parlament, mund të bllokojë në raste të caktuara shumicën”.

“Në qoftë se kjo shumicë e pakicës rritet sa i përket numrave, atëherë mund të ndodhë, që ky mekanizëm i shumicës së pakicës, nga një garancion i mbrojtjes së pakicës shndërrohet në një instrument të bllokimit të shumicës”, thotë profesori Arsim Bajrami.

Ai sqaron se për çdo vendim kushtetues, apo ndryshim ligjesh, që kërkohen dy të tretat e votave të deputetëve, atëherë duhet hyrë në negociata sidomos me pakicën serbe.

Sidoqoftë prania ndërkombëtare në Kosovë akoma është e heshtur rreth vazhdimit, ose jo të ulëseve të rezervuara për pakicat, por ata kërkojnë reformë zgjedhore. E vetmja është ambasadorja e SHBA-s në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, e cila thotë se "u takon subjekteve politike, që të dakordohen rreth vazhdimit të mandateve të rezervuara për pakicat”.

“Ulëset e rezervuara janë një çështje e ndjeshme. Mendimi im është se do të kishte kuptim që të vazhdohet me ulëset e rezervuara për mandatin e ardhshëm. Por unë nuk kam votë në Kuvendin e Kosovës, kështu që u takon autoriteteve të Kosovës që të vendosin”, ka thënë Jacobson për mediat lokale në Prishtinë.