1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: referendum serb për pavarësi

14 Shkurt 2012

Megjithë rezistencën nga Beogradi dhe Prishtina dhe Brukseli: katër bashki serbe në Veri të Kosovës duan të vendosin me një referendum nëse do t'i pranojnë apo jo institucionet kosovare.

https://p.dw.com/p/142qq
Bllokadat serbe në veri i pason referendumi
Bllokadat serbe në veri i pason referendumiFotografi: picture alliance/dpa

Megjithëse nuk kanë kaluar as dy javë që ka marrë postin, i ngarkuari i ri i posaçëm për Kosovën i BE, Samuel Zbogar ka shumë për të bërë: megjithë apelet nga Beogradi, paralajmërimet nga Prishtina dhe deklaratar nga Brukseli , katër bashkitë serbe dhe banorët e tyre kanë planifikuar që t'i nxjerrin sot dhe nesër (14.-15.2.) qytetarët e tyre për të votuar, nëse e njohin qeverinë e Prishtinës. Të drejtë vote kanë 35.500 vetë.

Milan Ivanoviç, njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës dhe president i Këshillit Nacional të Kosovës së Veriut është i bindur thellësisht se referendumi bazohet në ligj. Qeveria serbe në Beograd e kundërshton referendumin vetëm sepse kërkon të mbledhë pikë për fushatën elektorale, argumenton Ivanovici:

"Ata duan vetëm të sigurojnë statusin e kandidatit për në BE dhe me marrjen e statusit të qendrojnë edhe në pushtet."

Por jo të gjithë serbët e Kosovës e mbështesin mendimin e Ivanovicit. Tek kundërshtarët e referendumit bën pjesë kryetari i bashkisë së Leposaviçit, Branko Ninic, anëtar i Partisë Demokratike të presidentit serb, Boris Tadic:

"Ky referendum është i tepërt, sepse qytetarët e Veriut të Kosovës kanë deklaruar tashmë në mënyrë të qartë se janë kundër integrimit në institucionet e Prishtinës. Së dyti, nga votimi duhet hequr dorë edhe për faktin se ai - siç është theksuar tashmë nga përfaqësues të Serbisë - mund të rrezikojë interesat e Serbisë- dhe ai është i vetmi shtet që kemi."

Referendumi është radikalizim i gjendjes

Që kur në 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia e Kosovës, atë e kanë njohur 86 shtete anëtare, midis tyre 22 nga 27 shtete anëtare të BE. Serbia vazhdon ta shikojë Kosovën si një provincë autonome dhe mbështetet në këtë qendrim edhe nga Rusia dhe Kina. Kjo vështirëson në mënyrë të konsiderueshme jo vetëm përpjekjet diplomatike të Prishtinës për t'u pranuar në OKB, por edhe jetën normale në këtë pjesë të Evropës Juglindore.

Samuel Zbogar, i ngarkuari i BE për Kosovën
Samuel Zbogar, i ngarkuari i BE për KosovënFotografi: AP

Eksperti i Beogradit për politikën, Dusan Janjic e sheh vendimin e marrë nga katër bashkitë serbe si një radikalizim të mëtejshëm të gjendjes së atjeshme, që mund të ketë pasoja të rënda:

"Së pari, një kandidaturë për në BE e Serbisë vështirësohet, së bashku me iluzionin e Beogradit se do të avancojë me të vërtetë në këtë drejtim. Së dyti, me këtë bëhet e qartë se Boris Tadiçi dhe Partia e tij Demokratike nuk kanë ndikim mbi proceset në veri të Kosovës - dhe me këtë as në pjesë të gjera të Serbisë. Së treti, Kosova kthehet në temë elektorale për Serbinë, temë me të cilën koalicioni në pushtet vetëm mund të humbasë."

Afrimi i Serbisë me BE me pikëpyetje

Negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës për çështje bilaterale të natyrës teknike, si p.sh. njohja reciproke e titujve akademikë ose pjesëmarrja e Kosovës në konferenca rajonale, kanë ngelur në vend. Tani, pak para takimit të ministrave të jashtëm të BE në fund të shkurtit, në të cilin do të diskutohet sërish afrimi i Serbisë me BE, mesazhi i të ngarkuarit të ri të posaçëm të BE për Kosovën, Samuel Zbogar mund të jetë shansi i fundit për Beogradin:

"Anëtarët e BE dëshirojnë me të vërtetë që Serbia ta marrë statusin e kandidatit. Ata kanë ndiesinë se Serbia, për shkak të të gjitha atyre që ka arritur edhe e meriton këtë status. Nga ana tjetër, edhe Kosova është e interesuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin në lidhje me pjesëmarrjen e Prishtinës në organizatat rajonale. Natyrisht që Serbia dëshiron ta marrë statusin e kandidatit. Pra të gjitha palët duan të bien dakord me njëra-tjetrën. Nëse ky dakordim nuk do të arrihet tani, atëherë mendoj se që të arrihet dakordimi do të duhet të kalojnë shumë kohë."

Autor: Ivan Gjerkovic/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj