1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Miratohet ligji për Trepҁën-revoltohet Beogradi

7 Tetor 2016

Pavarësisht protestave dhe kundërshtimit të serbëve të Kosovës dhe qeverisë në Beograd, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin për Trepçën, duke e bërë pronare qeverinë e Kosovës me 80 përqind të aksioneve.

https://p.dw.com/p/2R1lj
Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

Kuvendi i Kosovës në një debat të gjatë të mbajtur deri në orët e vona të ditën e premte (07.10) miratoi ligjin për gjigandin industrial Trepҁa, duke e bërë qeverinë e Kosovës pronare të 80 përqind të aksioneve të saj, ndërsa 20% mbeten për puntorët e saj. Ligji për Trepҁën u miratua në parim dhe mori 82 vota pro, 12 abstenime dhe asnjë votë kundër. Para votimit ligji u kundërshtua nga deputetët serb nga lista Serpska, që kërkuan që ky ligj të diskutohet në një kohë tjetër. Kjo kërkesë e listës "Serpska pason edhe qendrimin e qeverisë ne Beograd, e cila pretendon që pronësinë mbi gjigandin industrial Trepҁa e ka një fond i investimeve në Serbi.

Para deputetëve të kuvendit të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa duke e prezantuar ligjin tha se "ligji për Trepçën është në të mirë të Kosovës dhe në të mirë të punëtorëve të saj".

"Transformimi i Trepçës sipas këtij ligji, është në interes të të gjithëve. Është në interes së zhvillimit ekonomik të vendit, është në interes të komuniteteve dhe të komunitetit në përgjithësi, në vendet ku do të operojë Trepça. Prandaj edhe ky ligj meriton përkrahjen nga të gjithë ne", tha kryeministri Isa Mustafa, duke siguruar se ligji ka vlerësuar të gjitha kriteret ekonomike dhe kriteret ambientale. 

Subjekti opozitar lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi mënyrën e procedimit të ligjit në Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se "shndërrimi i Trepçës në shoqëri aksionare po bëhet pa kryer analizat e plota për pasurinë e saj". Kryetari i këtij subjekti politik, Visar Ymeri, tha se "Trepça duhet të shndërrohet në ndërmarrje publike dhe të ketë edhe status të ndërmarrjes së veçantë publike. Kështu ndihmohet edhe ekonomia e Kosovës", tha Visar Ymeri, duke theksuar se Qeveria e Kosovës po e përshpejton procesin e miratimit të projektligjit për Trepçën me qëllim të shitjes së pasurisë së saj.

Slavko Simiq, udhëhehqës i deputetëve nga Lista Serbe, tha nga ana e tij se është e papranueshme që ligji për Trepçën është futur në debat me procedurë të përshpejtuar. Sipas tij, zgjidhja duhet të gjendet përmes debatit të gjatë. "Ligji rrezikon edhe ekzistencën e punëtorëve të Trepçës, por edhe të qytetarëve serbë që jetojnë në veriun e Kosovës. Zgjidhja për Trepçën duhet të gjendet në bashkëbisedim me udhëheqjet komunale në pjesët ku janë të shtrira kapacitetet e saj dhe me menaxhmentin e Trepçës në veri", tha Sllavko Simiq.

Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

Teksa në kuvendin e Kosovës debatohej ligji për Trepcën, në veri të Kosovës asambleistët komunal nga katër komunat e banuara me shumicë serbe u mblodhën në një takim të përbashkët dhe dolën me një qëndrim duke i kërkuar kuvendit të Kosovës, që mos ta votojë ligjin për Trepçën, sepse në të kundërtën, sipas tyre, nuk do të mund të zbatohet në veri të Kosovës. Nga ky takim ata nxorrën disa konkluzione ku pretendohet "të mos pranohen vendimet për statusin e Trepçës dhe ato t'i shpallin të pazbatueshme në territorin e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Asamblistët serb të veriut kërkuan që për këtë çështje të diskutohet me menaxhmentin dhe përfaqësuesit e punëtorëve në Trepçë, nga pjesa veriore e ku shumica janë serb. Konkluzionet e asamblistëve u nënshkruan nga kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës dhe kjo i parapriu një proteste të mijëra serbëve të mbajtur në rrugën Mitrovicë - Leposaviq, ku morrën pjesë edhe disa ministra serb në qeverinë e Kosovës. Ljubomir Mariq, ministrër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Isa Mustafës, tha se "Kuvendi i Kosovës po përpiqet që përmes mbivotimit ta miratojë Ligjin për Trepçën gjë që për të është e papranueshme.

"Kemi provuar t'u tregojmë se Trepça është zemra e këtyre komunave në veri. Që ky popull ka shans për të ardhmen. U kemi treguar qartë se një vendim i tillë dhe një ligj i tillë çon drejt përjashtimit dhe shuarjes së plotë të Trepçës në veri", tha ministri Mariq. Në emër të qeverisë së Serbisë, protestuesve iu drejtua edhe zëvëndësshefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë Petar Petkoviq. Ai tha se "autoritetet e Kosovës po përpiqen ta rrëmbejnë pasurinë e Serbisë në Kosovë". 

Kosovo Bildgalerie 10
Fotografi: Filip Slavkovic

"Nuk bëhet fjalë vetëm për Trepçën, por për tërë pasurinë e Serbisë, vlera e së cilës është më tepër se 200 miliardë euro dhe të cilën Prishtina dëshiron ta grabisë, në mënyrën siç po e bën edhe me Trepçën. Qëllimi më i madh dhe i skajshëm i autoriteteve të Kosovës, është që me grabitjen e pasurisë serbe të rrezikohet në mënyrë të përhershme struktura etnike në mjediset serbe", tha Petar Petkoviq.

Kompleksi metalurgjik Trepça ndodhet në qytetin e Mitrovicës i ndarë në dy pjesë në atë veriore e banuar me shumicë serbe dhe atë jugore e banuar me shumicë shqiptare. Minierat e Trepçës ndodhen në pjesën jugore ndërsa, shkritoret në pjesën veriore. Qeveria e Serbisë thotë se gjatë viteve 90-ta, një fond i investimevve serbe i ka blerë aksionet e Trepçës dhe mbi këtë bazë ngul këmbë se është pronare e Trepçës. Në këtë linjë qeveria e Serbisë kërkon që mbi të ardhmen e Trepçës të diskutohet në dialgun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Qeveria e Kosovës thotë se kjo çështje nuk mund të diskutohet me qeverinë e Serbisë, sepse Trepca është në territorin e Kosovës dhe me të mund të administrojnë vetëm institucionet e Kosovës. E gjatë ditës, kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se "në rast se Kuvendi i Kosovës miraton Ligjin për Trepçën nuk e di se si Prishtina zyrtare do të bashkëpunojë me serbët e Kosovës dhe me autoritetet në Beograd".