1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Intervistë me drejtorin ekzekutiv të zyrës avokatore Wolf Theiss

Anila Shuka12 Dhjetor 2007

Drejtori i zyrës avokatore Wolf Theiss me qendër në Vjenë, Markus Heidinger, për ndryshimin e konceptit të korrupsionit në Evropë dhe në vendet e lindjes. Wolf Theiss është një nga pesë zyrat e huaja avokatore në Tiranë

https://p.dw.com/p/CXCd
Markus Heidinger (djathas) nder te tjerash me presidentin serb Boris Tadiç (i dyti majtas) dhe kancelarin austriak Alfred Gusenbauer (i treti majtas) në 50 vjetorin e Wolf Theiss në Vjenë, tetor 2007Fotografi: WOLF THEISS

DW: Zoti Heidinger, zyra Juaj mes të tjerash këshillon edhe investitorët e huaj që duan të investojnë në Shqipëri. Çfarë rrezikojnë ata kur korruptojnë një politikan ose një person publik?

Heidinger: Sipas të drejtës ndërkombëtare korruptimi i një politikani ose personi publik në Austri ose Evropë është i dënueshëm.

DW: Cili është argumenti që jepni ju?

Heidinger: Kur unë si investitor dua të ndërtoj diçka, të cilën dua ta shes më vonë tek një fond imobiliar, ky do të më kërkojë të gjitha llogaritë që kam paguar për t'u siguruar që gjithçka është në rregull. Në se unë përdor mjete ilegale, atëherë ia heq vetes të drejtën për ta shitur pasurinë time në një fond të tillë. Investitorët ndërkombëtarë tani po bëhen më të kujdesshëm dhe po largohen gjithmonë e më shumë nga mjetet ilegale, sepse nuk ia vlen.

DW: Sa i madh është probabiliteti që rastet e korrupsionit në Shqipëri të zbulohen në Austri?

Heidinger: Të mos kapesh apo të mos lejohesh janë dy gjëra të ndryshme. Ky është një risk që shumë investitorë ndërkombëtarë nuk do ta merrnin përsipër. Të marrim për shembull ato sipërmarrje që janë në bursë. Dëmi që mund të shkaktohet në se ato shërbehen nga praktika të tilla është ndërkohë kaq i madh, saqë besoj se shumë firma nuk do ta bënin më.

DW: Para disa kohësh në Shqipëri dëgjohej nëpër popull teza se korrupsioni i bën mirë prosperitetit ekonomik. Si do ta komentonit ju këtë?

Heidinger: Këtë e kam dëgjuar edhe në vende të tjera. Pyetja shtrohet se çfarë është korrupsioni? A t'i japësh para një personi publik? Unë mendoj se ka metoda edhe më të sofistikuara. Unë besoj se edhe brenda BE-së tani kriteret janë bërë shumë më të forta. Kështu që shumë praktika që para 20 vjetësh ishin më se normale tani shikohen në mënyrë shumë kritike.

DW: E keni fjalën për ndonjë shishe shampanjë, apo një makinë?

Heidinger: Nuk do të doja të jepja shembuj. Shampanjë apo makinë, kjo varet. Por raste të tilla shikohen në mënyrë shumë kritike, edhe në Austri shoh një kthesë. Kjo tendencë vihet re tani edhe në vende të tjera të Evropës Lindore, në Bullgari dhe Rumani, besoj që në Shqipëri nuk është më ndryshe.