1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korea: Bisedime paqeje dhe çarmatim atomik

27 Prill 2018

Ky mund të jetë fundi i ndarjes: pushtetmbajtësi i Koresë së Veriut, Kim dhe homologu i tij koreanojugor Moon u shprehën për çarmatim. Të dyja vendet janë të gatshme që të flasin edhe për dhënien fund formalisht luftës.

https://p.dw.com/p/2wnxo
Korea-Gipfel 2018
Fotografi: Reuters

Koreja e Veriut dhe e Jugut synojnë të arrijnë një marrëveshje paqeje dhe shprehen në mbështetje të çarmatimit bërthamor të Koresë, siç del nga një deklaratë e përbashkët. Pushtetmbajtësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un konfirmoi vullnetin e tij për një reduktim të plotë të programit të tij bërthamor. Kimi dhe presidenti i Koresë së Veriut, Moon Jae nënshkruan në takimin e tyre të parë të nivelit të lartë në zonën kufitare Panmunjom një deklaratë përkatëse.

Mooni foli për një "epokë të paqes". Koreja e Jugut dhe e Veriut konfirmuan synimin e tyre që t'u japin fund akteve armiqësore në vend, në tokë dhe në ajër kundër palës tjetër. Familjet e ndara do të bashkohen sërish. Që nga 1 maji do të hiqet dorë nga të gjitha veprimet armiqësore, duke përfshirë mesazhet me altoparlant në kufi dhe përhapjes së fletëvolanteve në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ). Presidenti i Koresë së Jugut do ta vizitojë Korenë e Jugut po këtë vit për një takim tjetër të nivelit të lartë.

Perspektivë për paqen për herë të parë pas dekadash

Kim Jong Un dhe Moon Jae-in mbjellin një pemë
Kim Jong Un dhe Moon Jae-in mbjellin një pemëFotografi: picture-alliance/AP Photo/Korea Summit Press Pool

Me këtë hap ekziston për herë të parë prej dekadash perspektiva për paqe në rajon. Kim Jong Uni është udhëheqësi i parë i Koresë së Veriut që e viziton Korenë e Jugut që prej fundit të luftës, 65 vjet më parë. Në kufi në Panmunjomin atë e priti Presidenti i shtetit Moon, pastaj ai kaloi kufirin për në jug. Pas një gjesti përkatës të Kimit kaluan të dy, dorë për dorë, disa hapa përtej kufirit në territorin e Koresë së Veriut, për t'u kthyer në fund së bashku sërish në jug. Më vonë, të dy kryetarët e shteteve mbollën një pemë.

Kimin e shoqërojnë në vizitën e tij të nivelit të lartë jo vetëm e motra Kim Yo Jong dhe pesë anëtarë të Byrosë Politike, por edhe dy ushtarakët e nivelit më të lartë koreanoveriorë, ministri i Mbrojtjes Pak Yon Sik dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Ri Mong Su. Kimi shkroi në librin e mysafirëve të Koresë së Jugut: "Tani nis një epokë e re, një epokë e paqes."

Që prej fundit të luftës së Koresë (1950-1953) në gadishull ekziston vetëm një armëpushim, zyrtarisht të dyja shtetet koreane ndodhen në gjendje lufte. Që prej fundit të luftës në vitin 1953 kjo është hera e tretë që kryetarët e shteteve të të dyja shteteve takohen për një takim të nivelit të lartë në një tryezë. Dy takimet e mëparshme në qershor 2000 dhe në tetor 2007 u zhvilluan në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian.