1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsultime për Greqinë në Berlin

28 Prill 2010

Diskutime për përfshirjen apo jo të bankave në ndihmën për Greqinë

https://p.dw.com/p/N8rb
Nje pako me mbishkrimin "per ne Greqi" mbi flamurin grek
Fotografi: DW-Montage/bilderbox.de

Qeveria federale gjermane vazhdon këtë të martë konsultimet për krizën në Greqi. Për këtë temë janë planifikuar bisedime në Berlin me kancelaren Angela Merkel dhe ministrin e Financave, Wolfgang Schäuble, Shefin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Dominique Strauss-Kahn dhe Presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Jean-Claude Trichet. Ndërkohë Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy bëri të ditur se më 10 maj do të zhvillohet samiti i krerëve të shteteve dhe të qeverive të euro-zonës, që do të ofrojë një zgjidhje për ndihmat e planifikuara financiare për Greqinë.

Mosmarrëveshje për përfshirje të bankave në ndihmën për Greqinë

Në koalicionin qeveritar të Gjermanisë ka mosmarrëveshje lidhur me një përfshirje të mundshme të bankave dhe të kreditorëve të tjerë në ndihmën financiare për Greqinë. Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble e hodhi poshtë këtë mundësi me shpjegimin se futjet e reja në borxhe vetëm do ta destabilizonin gjendjen edhe më tej. Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar për Financat, Volker Wissing (FDP) deklaroi se kush ka arkëtuar para nga interesat e larta për borxhet e Greqisë, duhet edhe të marrë pjesë në shpenzimet për shpëtimin e saj. Në mënyrë të ngjashme u shpreh edhe zëdhënësi i grupit parlamentar të Unionit për politikën financiare, Leo Dautzenberg. Për një angazhim të bankave u shprehën si Kryetari i socialdemokratëve (SPD) Sigmar Gabriel, ashtu dhe Kryetarja e grupit parlamentar të ekologjistëve, Renate Künast.

Ambasadori gjerman në Greqi, Wolfgang Schultheiss u shpreh:

"Duhet t'i dërgojmë një sinjal të qartë që ne nuk do ta lëmë në baltë Greqinë dhe ky është emruesi i përbashkët i të gjitha vendimeve. Gjermania do ta ndihmojë Greqinë dhe nuk do ta lërë të rrëzohet."

Presidenti i Këshillit të BE-së, Herman van Rompuy bëri të ditur se më 10 maj në samitin e krerëve të shteteve dhe të qeverive të euro-zonës do të ofrojë një zgjidhje për ndihmat e planifikuara financiare për Greqinë.

"Si president i Këshillit të BE-së unë konfirmoj se kam thirrur në një takim kryetarët e shteteve dhe qeverive të vendeve të grupit të zonës së euros më 10 maj. Bisedimet po vazhdojnë." Në koalicionin qeverisës të Gjermanisë zi-verdhë ka mosmarrëveshje lidhur me një përfshirje të mundshme të bankave dhe të kreditorëve të tjerë në ndihmën financiare për Greqinë. Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble e hodhi poshtë këtë mundësi me shpjegimin se futjet e reja në borxhe vetëm do ta destabilizonin gjendjen edhe më tej.

Autor: dpa/Mimoza Cika- Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi