1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konstatimet në raportin e progresit për Kosovën

Bekim Shehu16 Tetor 2013

Raporti i progresit thekson rëndësinë e zgjedhjeve lokale në Kosovë që do të zhvillohen më 3 nëntor. Për herë të parë zgjedhje lokale organizohen edhe në veriun e Kosovës të banuar nga shumica serbe.

https://p.dw.com/p/1A0mw
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Komisioni i BE-së konfirmoi se më 28 tetor Kosova dhe Bashkimi Evropian mund të nisin raundin e parë të negociatave për Marrrëveshjen e Stabilizim Asociimit e njohur si MSA. Kjo u bë e ditur në raportin e progresit për Kosovën, i cili u publikua të mërkurën (16.10.2013) nga zyra e Komisionit të BE-së në Prishtinë. Raporti i progresit për Kosovën është pjesë e paketës së zgjerimit 2013, e cila miratua nga komisioni më 16 tetor.

Në raport thuhet se “Komisioni arrin në konkluzionin se gjatë 12 muajve të shkuar, perspektiva evropiane e Kosovës ka marrë një vrull të konsiderueshëm. Kosova ka qenë e angazhuar në dialogun me Serbinë, dialog i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka realizuar reformat e rëndësishme në politika, të cilat ishin identifikuar në studimin e fizibilitetit të vitit 2012”.

Në raport theksohet rëndësia e zgjedhjeve lokale në Kosovë që do të zhvillohen më 3 nëntor në Kosovë. Për herë të parë zgjedhjet organizohen edhe në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe.

Bashkimi Evropian i ka vlerësuar këto përpjekje përmes pajtimit për të filluar negociatat për një Marrëveshje Stabilizim Asociimi me Kosovën dhe ka përcaktuar kriteret politike. Më tej thuhet se “Kosova ka rritur kapacitetin e saj për të adresuar prioritetet e procesit të integrimit evropian përmes ndjekjes së prioriteteve afatshkurtra të identifikuara në studimin e fizibilitetit siç janë: sundimi i ligjit, administrata publike, mbrojtja e minoriteteve dhe tregtia dhe përmes përgatitjes për negociata të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim”. “Në kontekstin e dialogut për liberalizimin e vizave, Kosova ka ndryshuar dhe ka miratuar një legjislacion të rëndësishëm, përfshirë këtu ligjin për azil, ligjin për financim të partive politike dhe ligjin kundër trafikimit me qenie njerëzore”. Komisioni thuhet më tej në raport, “ka theksuar nevojën e vazhdimit të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe ndërtimin e një Kosove gjithëpërfshirëse”.

Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet për të plotësuar sfidat e axhendës së reformave evropiane që lidhen me Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim dhe në këtë linjë përcaktohen prioritet të cilat përfshijnë “sundimin e ligjit, gjyqësorin, administratën publike, reformën elektorale dhe Kuvendin, të drejtat njerëzore dhe themelore, mbrojtjen e minoriteteve, tregtinë dhe çështjet e tregut të brendshëm si dhe çështjet fitosanitare dhe të veterinarisë”.

Raporti i progresit specifikon edhe kriteret ekonomike që Kosova duhet të përmbushë. “Kosova ka lëvizur drejt krijimit të një ekonomie funksionale të tregut. Në të njëjtën kohë, nevojiten reforma dhe investime të konsiderueshme për t'i mundësuar Kosovës që të përballojë presionin konkurrues dhe forcat e tregut. Në veçanti, Kosova duhet të përmirësojë mjedisin e saj afarist, mbështetjen e sektorit privat dhe adresimin e dobësive strukturore në tregun e punës, në mënyrë që të zvogëlojë nivelin e papunësisë”.

Sidoqoftë, ditë më parë ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, në një intervistë për DW tha se Kosova është plotësisht e gatshme të nisë negociatat për MSA-në. Sipas saj, këto negociata me Kosovën do të marrin kohën më të shkurtër të mundshme.

“Ne kemi parashikuar së bashku me BE-në katër takime. Takimi i parë do të mbahet më 28 tetor në Prishtinë, takimi i dytë mbahet në muajin nëntor, takimi i tretë në muajin shkurt të vitit të ardhshëm dhe një takim i katërt në fund të muajit prill, kur edhe do të mbyllen bisedimet për MSA-në”, është shprehur për DW ministrja Vlora Çitaku.