1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Konsensus ndëretnik për drejtësi dhe liri

Maqedonia proteston. Asnjëherë më parë, në historinë e saj pluraliste qytetarët nuk kanë protestuar kaq shumë. Protestohet kundër pushtetit, por në shtet edhe kundër- protestohet.

Maqedoni, protesta.

Maqedoni - protestat!

Me siguri Maqedonia është shtet i veçantë në të cilin protestohet kundër opozitës. Madje në kundërprotestë, që organizohet nga pushteti, publikisht u kërkua në mënyrë totalitare që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë një pjesë të organizatave joqeveritare dhe partive politike, para së gjithash Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), vetëm pse gjoja janë duke shkatërruar Maqedoninë. Protestojnë edhe shqiptarët, një pjesë e tyre krah për krah me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev dhe organizatat joqeveritare. Ndërsa një pjesë protestoi të premten në organizim të Lëvizjes për Reforma- PDSH. Protesta ishte etnike, jo vetëm për nga struktura e pjesëmarrësve, por edhe për nga kërkesat drejtuar pushtetit. Motoja e protestës ishte "Ndal" padrejtësive ndaj shqiptarëve.

Një është e sigurt, vetëdijesohen qytetarët në Maqedoni. E ngrenë zërin e tyre kundër regjimit të Gruevskit dhe klanit të tij. Përfundimisht qytetarët kërkojnë drejtësi, sepse në bisedat e publikuara nga përgjimet u konstatua se një pjesë e zyrtarëve qeveritarë kanë keqpërdorur funksionet e tyre, duke dëmtuar shtetin dhe qytetarët e saj.

Qytetarët jo vetëm që janë vetëdijesuar, por edhe janë të bashkuar njëri me tjetrin në luftën kundër regjimit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, në luftën për kthimin e dinjitetit dhe parimeve të demokracisë dhe shtetit juridik. Kërkojnë drejtësi dhe si asnjëherë më parë nuk ka pasur konsensus mes tyre, se drejtësia do të arrijë deri te secili që ka shkelur ligjin! Prandaj Fatime Fetai, Lençe Ristoska dhe Katica Janeva janë të dashura nga populli.

Pa dallim nga narrativi që i atribuohet protestave që kanë karakter ndërretnik në një pjesë të mediave, që e mbështesin pushtetin se në protestë marrin struktura të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), sepse në të merr pjesë edhe ish-gjenerali i UÇK-së, Gëzim Ostreni, si kryeter i partisë UNITETI dhe nxiten pasionet me karakter etnik dhe fetar, qytetaria nuk do të lejojë të imponohen artificialisht tensione me karakter interetnik. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, më i mundshëm është konflikti interetnik, i cili megjithatë nuk do të ndodh për shkak të faktit se sektori qytetar nuk do të bie në provokimet e pushtetit, duke instrumentalizuar policinë dhe mediat.

Sefer Tahiri

Sefer Tahiri

E quajtur dhe tashmë e popullarizuar si "Revolicioni i larmë", në esencë filloi më 17 maj të vitit të kaluar, u mbështet nga qytetarët, pjesëtarë të bashkësive të ndryshme etnike, datë që paralajmëroi se Maqedonia mund të funksionojë edhe më ndryshe. Qytetarët siç porosinin pushtetin se është koha që të shkojë dhe të përgjigjet për vepra joligjore, në të njëjtën mënyrë i thonë ndal skenarëve të mundshëm për konflikt ndëretnike ose ndërfetar. Nuk kaloi skenari ose veprimet që tingëllonin si skenar rreth "Shqiponjës dhe kryqit". Në fund fituan qytetarët dhe mbizotëroi mendja e shëndoshë, ndërsa VMRO-DPMNE, u tërhoq nga ideja për ndërtimin e kryqit në Butel. Nxitja e konfliktit maqedonas-shqiptar nuk kaloi as në rastin e Kumanovës më 9 maj të vitit të kaluar. Qytetarët edhe atëherë e lexuan skenarin e pushtetit që tentonte ta shfrytëzojë rastin e Kumanovës për defokusimin e publikut nga bombat e opozitës. Ai plan dështoi, qytetarët janë vetëdijesuar, tregojnë çdo ditë e më shumë se në luftën kundër krimit duhet të jenë bashkë. Nuk do të kalojë edhe skenari i tanishëm eventual për konflikt, si mjet për të penguar punën e Prokurorisë Speciale.

Maqedonia edhe nuk ka zgjidhje tjetër. Një është zgjidhja: ndërtimi i shoqërisë së lirë dhe demokratike dhe shtetit, në të cilin të gjithë do të ndjehen të barabartë, jo të diskriminuar dhe jo të nënçmuar. Askush nuk do të ndjehet "indian", "shiptar" ose "cigan", vetëm për faktin se atje dikush "lartë" në pushtet nuk është i vetëdijshëm se pushteti është fuqi, që duhet të shërbejë për të mirën e shoqërisë.

Por para se të ndërtojmë shtet të këtillë liberal dhe demokratik, shtet që nuk do të jetë për dike nënë e për dike njerkë, e njëjta duhet të ruhet nga ata që për interesa parciale janë të gatshëm ta shkatërrojnë.