1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kongresi Popullor: Kina armatoset

6 Mars 2018

Në çelje të kongresit të përvitshëm popullor në Kinë, kryeministri Li Keqiang bëri të ditur se do ta rrisë dukshëm buxhetin për ushtrinë. "Gatishmëria për një luftë" do të përmirësohet.

https://p.dw.com/p/2tkAk
Chinas Volkskongress - Jahrestagung
Fotografi: picture-alliance/dpa/xinhua

Rivaliteti midis Kinës dhe SHBA po shtohet dhe Republika Popullore grindet me fqinjët e saj për pretendime territoriale. Në këtë sfond, kryeministri Li Keqiang bëri të ditur se vendi i tij do t'i rrisë shpenzimet ushtarake me 8,1 përqind.

Në këtë mënyrë, buxheti i mbrojtjes i Kinës do të rritet më shpejt se ekonomia kineze. Ekonomia e dytë në botë për nga madhësia, këtë vit do të rritet pak më ngadalë, me "rreth 6,5 përqind". Përballë "ndryshimeve të mëdha në ambientin e sigurisë nacionale" forcat e armatosura duhet të fuqizohen, tha Li në raportin e tij të llogaridhënies në hapje të mbledhjes vjetore të Kongresit Popullor në Pekin.

8,1 përqind më shumë për ushtrinë

"Stërvitja ushtarake dhe gatishmëria për një luftë" duhet të përmirësohen, tha kryeministri para rreth 3000 delegatëve në Sallën e Madhe të popullit. Rritja e buxhetit zytar ushtarak me 8,1 përqind në 1,1 bilionë Yuan (afërsisht 128 miliardë euro) është më e lartë se vitin e kaluar kur ishte 7,6 përqind. Ekspertët vlerësojnë se shpenzimet e vërteta janë 25 përqind ose 50 përqind më të larta.

China Nationaler Volkskongress Li Keqiang
Fotografi: picture-alliance/Zumapress/Ju Peng

SHBA e vështrojnë Kinën krahas Rusisë si sfidën e tyre më të madhe ushtarake - jo më terrorizmin si deri tani. Strategjia e re e mbrojtjes të SHBA e janarit Kina e përshkruan Kinën si konkurrente strategjike, e cila u bie në qafë vendeve fqinje me "politikën e saj ekonomike grabitqare".

Pretendime territoriale në Detin e Kinës Lindore

Vatra konflikti janë pretendimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe Lindore dhe kërcënimet e Kinës ndaj Tajvanit demokratik, të cilin Pekini e vështron si provincë të pabindur. "Ne nuk do të durojmë kurrë intriga separatiste ose aktivitete për një 'pavarësi të Tajvanit'", tha Li.

Në qendër të mbledhjes së sivjetme, e cila do të zgjasë në mënyrë të pazakontë shumë, 16 ditë dhe e cila do të përfundojë në 20 mars, do të jenë ndryshime të kushtetutës së vendit. Ato do t'i mundësojnë Presidentit Xi Jinping një kohë të pakufizuar në post. Kufizimi i tanishëm në dy herë nga pesë vjet do të eleminohet me një votë në 11 mars.

Kritikët paralajmërojnë për rreziqet e një pushteti të pakufizuar për Xi Jinpingun, gjë që do të çonte në një sjellje më të sigurtë në vete në politikën e jashtme. Do të krijohet edhe një komision i ri kontrolli shtetëror. Me këtë organ me pushtet të gjerë, do të zgjerohet lufta kundër korrupsionit, shkeljeve në shërbim dhe mungesës së besnikërisë nga komisioni disiplinor prej anëtarëve të partisë te të gjithë nëpunësit shtetërorë.

Askush nuk dyshon se Parlamenti i Kinës që nuk zgjidhet me zgjedhje të lira nuk do t'i miratojë planet. Parlamenti nuk ka refuzuar asnjëherë deri tani ndonjë projektligj.