1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca islamike: Bashkarisht kundër ekstremizmit

Naomi Conrad / Angelina Verbica8 Maj 2013

Konferenca islamike gjermane kritikoi islamofobinë dhe lançoi një iniciative për të luftuar ekstremizmin në mesin e muslimanëve. Shoqatat kritikojnë fokusimin në çështjet e sigurisë.

https://p.dw.com/p/18UDY
Fotografi: picture-alliance/dpa

Policja kontrollon me përpikmëri çantën, duke hapur çdo zinxhir dhe urdhëron pastaj edhe që të ndez laptopin. Kolegu i saj përkulet përpara dhe i pëshpërit në konfidencë. "Se mos është ndonjë kurth, ti e di." Plenumi i Konferencës Islamike Gjermane (DIK) u mblodh të martën (07.05.2013) në Berlin me masa të rrepta sigurie. Kudo policë. Para dyerve për në dhomën e shtypit, në hyrje të sallës së konferencës, madje edhe pranë tavolinave, ku janë rreshtuar me kujdes filxhanët e kafesë dhe shishet me lëng protokalli.

Sigurimi është i gjithëpranishëm edhe nga ana përmbajtësore. Një temë e seancës plenare është armiqësia kundër myslimanëve, por edhe antisemitizmi dhe radikalizimi i muslimanëve janë në rendin e ditës. Dhe pikërisht këto dy pikërendesa kanë shkaktuar pakënaqësi të madhe mes përfaqësuesve të shoqatave myslimane para konferencës. Bekir Alboga është njëri prej tyre. Ai përfaqëson unionin turko-islamik për çështjet fetare në Këln dhe në hyrje të sallës së konferencës shpreh hapur zemërimin e tij në një intervistë pas tjetrës: "Ne myslimanët jetojmë prej më shumë se pesëdhjetë vjetësh në Gjermani dhe ka kohë që kemi dëshmuar, se ne nuk jemi faktor me ndikim për sigurinë."

Muslimanët nuk janë "Faktor me ndikim për sigurinë"

Ministria e Brendshme e ka vendosur temën e sigurisë dhe ekstremizmit si shumë në qendër të Konferencës Islamike, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2006 nga ministri i atëhershëm i Brendshëm, Wolfgang Schäuble (CDU). Ajo duhet të jetë platformë për dialogun ndërmjet shtetit dhe shoqatave muslimane dhe të nxisë integrimin. Por tema e armiqësisë ndaj të huajve është shumë më e rëndësishme, thotë ai.

Në foto ministri Hans-Peter Friedrich
Ministri Hans-Peter Friedrich para fillimit të konferencësFotografi: picture-alliance/dpa

Turgut Juksel nga rrjeti rinor i Frankfurtit nuk mund ta kuptojë këtë kritikë. "Shoqatat myslimane mendojnë se ekziston vetëm një pikë, që është e rëndësishme: armiqësia ndaj muslimanëve." Por kush do të marrë në mbrojtje shumicën e muslimanëve, ai duhet të flasë hapur edhe për antisemitizmin në mesin e të rinjve arabë dhe radikalizimin e grupeve të caktuara.

"Zjarr në kashtë" kështu e quan Ezra Kücük debatin e nxehtë në lidhje me çështjet e sigurisë. Ajo është udhëheqëse e projektit të konferencës rinore islamike. Rrjeti i muslimanëve dhe jomyslimanëve të rinj i shtrirë në mbarë vendin, i pavarur nga DIK në strukturë dhe financiarisht, i ka dorëzuar në hapje të konferencës një listë me kërkesa ministrit të Brendshëm, Hans-Peter Friedrich (CSU).Kërkesa kryesore: të gjitha çështjet e sigurisë të hiqen nga Konferenca Islamike Gjermane (DIK) dhe fokusi të përqëndrohet te konferenca: barazia e bashkësive fetare islame me bashkësitë e krishtera dhe hebreje. Kjo duhet të vlejë për festat muslimane, apo mësimin e fesë islame në shkolla.

Nxitja e barazisë në landet gjermane

DIK ka bërë shumë, thotë Kücük dhe thekson studimet për muslimanët në Gjermani, që janë bërë me porosi të DIK, një udhëzues për përgatitjen e imamëve dhe futjen e teologjisë islame në shumë universitete. Por tani ka ardhur koha, që brenda katër viteve të ardhshme të zhvillohet një plan veprimi për të punuar për barazinë në të gjitha landet gjermane. Sepse çështjet fetare janë çështje të landeve federale dhe në komunikimin me bashkësitë muslimane ka dallime të mëdha.

Të gjitha pyetjet e sigurisë do të dikutohen në Bundestag nga një komision hetimor, pra nga një grup ndërpartiak pune. "Kjo nuk ka se ç' kërkon në DIK, në fund të fundit ky është një problem i të gjithë shoqërisë, që nuk prek vetëm muslimanët", thotë Kücük. Këtë duhet ta kuptojë Ministria e Brendshme.

Bundesinnenminister Hans-Peter Friedrich (CSU, r) bekommt am 07.05.2013 in Berlin vor Beginn der Deutschen Në foto, ministri Hans-Peter Friedrich dhe Mahada Wayha nga rrjeti i muslimanëve të rinj
Në foto, ministri Hans-Peter Friedrich dhe Mahada Wayha nga rrjeti i muslimanëve të rinjFotografi: picture-alliance/dpa

Miratohet projekti për mbështetjen e të rinjve

Në sallën e shtypit ministri i Brendshëm Friedrich kundërshton kritikën. "Terrori dhe siguria nuk kanë qenë kurrë tema të konferencës islamike." Siguria është e përjashtuar shprehimisht nga konferenca. Tema e këtij viti është caktuar që në vitin 2010 nga pjesëmarrësit e konferencës. Ai preferon të flasë për programin preventiv për të rinjtë, që është miratuar nga Konferenca. Projektet, që drejtohen kundër islamofobisë, antisemitizmit dhe islamizmit, duhet të inkurajohen fort. Strukturat mbrojtëse kundër ekstremizmit për motive fetare dhe islamofobisë duhen forcuar, për shembull përmes pengimit të progagandës në internet. Friedrich e vë theksin tek fjala "dhe", pastaj ai shton se parandalimi nuk duhet të kuptohet si defensivë, por si forcim i demokracisë dhe i shoqërisë.

Ezra Kücük e konferencës rinore islamike tund kokën dhe kaçurelat e saj ngjyrë kafe i lëkunden mbi veshë. "Ajo ishte më zhgënjyese nga ç'e prisja. Nëse në rastin e ekstremizmit nuk është fjala për siguri, për çfarë është pastaj?"

Para tavolinës së kafesë qëndron ende një polic me një vështrim të mërzitur, pranë derës rrinë drejt dy kolegë të tij dhe në hyrje kontrollohen ende çantat.