1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e Sigurisë si fillim i ri i marrëdhënieve transatlantike

Nina Werkhäuser6 Shkurt 2009

Sot pasdite (6.2.) fillon në Mynih Konferenca e Sigurisë. Në këtë konferencë, që është më e rëndësishmja në fushën e politikës së sigurisë, marrin pjesë qindra ekspertë dhe politikanë të lartë.

https://p.dw.com/p/GoOy
Kontrolle automjetesh pranë hotelit Bayerischer Hof në Mynih, ku do të zhvillohet Konferenca e Sigurisë
Kontrolle automjetesh pranë hotelit Bayerischer Hof në Mynih, ku do të zhvillohet Konferenca e SigurisëFotografi: AP

Çdo vit në këtë konferencë marrin pjesë njerëz me emër. Këtë vit në këtë konferencë do të flasë zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Konferenca që do të zhvillohet nga 6-8 shkurt do të hapet nga Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier. Në të do të marrin pjesë edhe kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Nicolas Sarkozy.

Drejtuesi i konferencës, Wolfgang Ischinger është shumë i gëzuar për pjesëmarrjen e Joe Biden-it:

“Natyrisht jam shumë krenar, që administrata amerikane vendosi, që prezantimin e parë në lidhje me çështjet e politikës së jashtme dhe ato të sigurisë jashtë kufijve amerikanë ta bëjë në Mynih, në Gjermani. Kjo është për t'u vlerësuar.”

Zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden
Zëvendëspresidenti i SHBA, Joe BidenFotografi: AP

Biden-i do të sqarojë se si do t'i formësojë qeveria e re amerikane raportet e saj me Evropën dhe ç'rol do të luajë ajo në të ardhmen në NATO. Po ashtu ai do të flasë për gjendjen në Afganistan – ku SHBA duan të shtojnë në mënyrë masive numrin e forcave. Ajo që do të duan të dinë evropianët e pranishëm në sallë do të jetë nëse Uashingtoni pret prej tyre një angazhim më të madh në këtë vend. Në konferencë do të jetë edhe presidenti afgan Hamid Karsai, i cili do të kandidojë në verë sërish për këtë post dhe mbështetet për këtë edhe nga amerikanët.

Dhe ndërsa me Karsain pritet të ketë takime me zv-presidentin amerikan Joe Biden, një takim i drejtëpërdrejtë i tij me përfaqësuesit iranianë, Ministrin e Jashtëm, Mottaki dhe kryetarin e parlamentit Larixhani nuk mendohet se do të ketë, edhe pse oferta e qeverisë së re amerikane për bisedime ekziston.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri amerikan i mbrojtjes, Robert Gates (Arkiv)
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe ministri amerikan i mbrojtjes, Robert Gates (Arkiv)Fotografi: AP

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier do të flasë në fillim të konferencës për kontrollin e armatimeve, duke mos i kursyer në këtë mes edhe fjalët në lidhje me Iranin. Sipas Steinmeier-it prodhimi i materialeve radioaktive duhet të vihet nën kontrrollin ndërkombëtar.

“Kjo s'do të thotë gjë tjetër, vetëm se të kujdesemi që kudo ku ka në përdorim teknologji për pasurimin e lëndëve radiokative kjo të bëhet nën kontrollin ndërkombëtar, mundësisht të Zyrës së OKB-së për Energjinë Bërthamore.”