1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë shpresëdhënëse: Premtime qindramilionëshe për Kosovën në Bruksel

Bahri Cani11 Korrik 2008

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi rikonfirmoi edhe njëherë zotimin e përkushtimin e tij dhe të qeverisë e institucioneve kosovare që asnjë donacion të mos shkojë në drejtim të gabuar.

https://p.dw.com/p/Eaau
Komisioneri për zgjerimin, Oli Ren dhe kryeministri kosovar, Hashim Thaçi në konferencën e donatorëve në BrukselFotografi: picture-alliance/dpa

Pas luftës në vitin 1999 Kosova doli e shkatërruar dhe me nevoja të shumta për rindërtimin e shtëpive, kthimin e të zhvendosurve, ushqime, ilaçe dhe rregullimin e infrastrukturës. --Që nga koha e vendosjes së pushtetit ndërkombëtar atje, deri tani janë dhënë rreth 3,5 miliardë euro. Prej tyre BE ka ndarë rreth dy të tretat. Këto të dhëna i bëri të ditur komisioneri për zgjerimin e BE, Oli Rehn në hapje të konferencës donatore për Kosovën në Bruksel.

Kosova një çështje evropiane

Nëntë vjet më vonë kanë ndryshuar prioritetet edhe në Kosovë, u shpreh Oli Rehn. Kosova ka nevojë për ndërtimin e një shteti multietnik, të qëndrueshëm ekonomikisht, për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale, ruajtjen e trashëgimisë kulturore, vendosjen e shtetit juridik dhe mbrojtjen e stabilitetit në vend dhe rajon. Rehn bëri të ditur se për këto qëllime BE ka vendosur që për periudhën 2009 - 2011 të ndajë 500 milionë euro.

EU Außenministerkonferenz zu Kosovo
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së duke diskutuar për KosovënFotografi: AP

Kosova është një çështje evropiane, prandaj kemi vendosur të ndajmë 500 milionë euro. BE - ja në këtë mënyrë dëshmon shumë qartë se Kosova është çështje evropiane dhe ky nuk është vetëm një formulim diplomatik, por edhe kujdes konkret për zhvillimin e Kosovës dhe stabilizimin e Ballkanit perëndimor", theksoi Rehn i cili pret që nga konferenca e donatorëve të mblidhen rreth një miliardë euro. Ndër donatorët janë edhe Banka Botërore, Banka Evropiane, SHBA, Zvicra, shtetet araba, Norvegjia, Turqia dhe vende të tjera.

Shqetësimi i konferencës së donatorëve - korrupsioni

Një ndër shqetësimet kryesore të pjesëmarrësve është mundësia e keqpërdorimit të këtyre parave. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se ata kanë punuar shumë për realizimin e standardeve dhe përmirësimin e gjendjes. Por Kosova si një rast i suksesshëm ka nevojë për ndihma. Sa i përket korrupsionit dhe mundësive të keqpërdorimit, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi rikonfirmoi edhe njëherë zotimin dhe përkushtimin e tij, por dhe të qeverisë e institucioneve kosovare që asnjë donacion të mos shkojë në drejtim të gabuar, por në drejtimin e duhur edhe tek prioritetet e qeverisë së Kosovës.

Kosovo Demokratische Partei Hashim Thaci
Hashim ThaçiFotografi: AP Photo/Visar Kryeziu

Thaçi: "Jemi zotuar dhe do të respektojmë parimin "zero tolerancë" ndaj dukurive negative."

Marrëdhënia me serbët e Kosovës dhe Serbinë

Një prej çështjeve me interes ishte edhe përfshirja e serbëve në institucionet e Kosovës dhe mundësia e përmirësimit të gjendjes së tyre. Kryeministri Thaçi tha se ai është i lumtur dhe krenar për faktin se në Qeveri ka dhe përfaqësues të minoritetit serb. Thaçi: "Prioritetet e Kosovës nuk janë të ndara në baza etnike, por për janë për interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallime etnike"

Por çfarë qeveria e Kosovës nga qeveria e re e Serbisë. Kryeministri kosovar Thaçi nuk ka shumë shpresa për ndryshimin e marrëdhënies me Beogradin:

Serben demonstrieren im Kosovo und in Belgrad
Nuk do ta dorëzojmë Kosovën. Protesta serbe kundër pavarësisë.Fotografi: picture-alliance/ dpa

"Unë nuk jam optimist i ndryshimeve të mëdha në Beograd pavarësisht prej ndryshimit të qeverive dhe njerëzve që udhëheqin qeverinë atje. Unë dua të besoj se Beogradi definitivisht do të orientohet në drejtimin e duhur për integrime në NATO dhe BE. Beogradi duke u orientuar drejt do t'i ndihmojë paqes dhe stabilitetit në rajon, por në të njëjtën kohë edhe do të ndihmojë serbët, shtetas të Kosovës që të afrohen më tepër me Prishtinën."

Thaçi, Rehn si dhe përfaqësuesi i BE për Kosovën, Peter Feith që në fillim theksuan se qëllimi kryesor në Kosovë është vendosja e shtetit ligjor, zhvillimi ekonomik, decentralizimi i pushtetit dhe ruajtja e vlerave kulturore të minoriteteve. Autoritetet e Kosovës presin që për projektet e zhvillimit afatmesën të ndahen 1,4 miliardë euro, por kjo do të dihet sonte në përfundim të konferencës.