Konferencë ndërrajonale për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
18 Tetor 2011Vendet e Ballkanit perëndimor kanë kapacitet, kuadro dhe angazhim serioz për të vazhduar me reformat për të arritur vlerat, që kërkohen nga BE-ja. Rruga e reformave do të jetë më e lehtë nëse ka bashkëpunim të mirëfilltë midis vendeve të rajonit sepse të gjithë kanë një qëllim për t'u anëtarësuar në BE. Raporti i Komisionit Evropian do të jetë udhërrëfyes për punën, që duhet bërë në të ardhmen, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
“Secili vend i këtij rajoni ballafaqohet me sfida, kjo është e zakonshme dhe e nevojshme, sfidat janë aty për t'i tejkaluar, ato i mobilizojnë angazhimet tona që vendet e rajonit të bëhen anëtare të familjes evropiane”, është shprehur Gruevski.
Çështjet e eurointegrimeve janë çështje të ndjeshme, të sofistikuara që kërkojnë shumë punë dhe shumë reforma, u shpreh Teuta Arifi, zëvenëskryeministre për euro-integrimet. Diskutimi i përbashkët i problemeve është në favor të të gjitha vendeve të rajonit që aspirojnë anëtarësimin në BE.
“Edhe njëherë dëshmohet konstruktiviteti i shqiptarëve në rajon dhe orientimi shqiptar sa i përket proceseve eurointegruese. Shpresoj që në të ardhmen gjithsesi që shqiptarët do të vazhdojnë të tregojnë angazhimin e tyre korrekt ndaj integrimeve euroatlantike”, u shpreh Teuta Arifi.
Ministrja e Shqipërisë për Integrimin, Majlinda Bregu, raportin e Komisionit Evropian e ka vlerësuar realist, ajo tha se Shqipëria duhet të zhbllokojë dialogun politik meqë ai ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit.
“Besoj që kjo mazhorancë sikurse ka bërë deri më tani do të vazhdojë të këtë të njëjtin qëndrim duke përsëritur të njëjtën ftesë për opozitën sepse bllokimi i vendit nga opozita është një përgjegjësi e madhe para gjithë shqiptarëve”, deklaroi ministrja Bregu.
Vlora Qitaku, ministrja e Eurointegrimeve për Kosovën, thotë se takimet e përbashkëta të vendeve të rajonit mundësojnë anashkalimin e problemeve drejt integrimeve evropiane.
“Ne si shtete, shoqëri, kemi për obligim që të konsolidojmë pikat dhe referencat tona të përbashkëta. Elementi i përhershëm i integrimit evropian është dialogu, BE është ndërtuar mbi premisat e dialogut dhe bashkëpunimi rajonal është parakusht për procesin e eurointegrimeve,”- vlerëson Qitaku.
Përfaqësuesit e BE-së thanë se impulsi i reformave duhet të mbahet dhe nuk duhet të humbasë. Humbja e tij mund të paraqesë kërcënim të madh për procesin në tërësi.
Autor: Fatos Musliu / Shkup
Redaktoi: E. Xhani