1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komunikimi është hallka më e rëndësishme në menaxhimin e krizave

Schmidt, Fabian18 Mars 2008

Në vitin 2000 në Enshede të Holandës shpërtheu një fabrikë fishekzjarrësh. Situata ishte e ngjashme me atë të fundjavës në Shqipëri. Ish-kryetari i bashkisë së Enshedesë Jan Mans tregon si u përballua kriza atje.

https://p.dw.com/p/DQpT
Pamje pas shpërthimit në Enshede më 13 maj 2000Fotografi: AP

Deutsche Welle: Z. Mans, Pas shpërthimit krahas shumë viktimave në njerëz, 100 godina u dëmtuan dhe 500 të tjera u shkatërruan tërësisht. Cila është përvoja juaj më e rëndësishme, që mund t´ua transmetoni edhe të tjerëve?


Jan Mans: Menjëherë pasi ndodh katastrofa përgjegjësia kryesore konsiston në menaxhimin sa më mirë të kaosit. Kjo do të thotë menaxhim krize, që nënkupton gjithashtu komunikim në krizë. Përvoja ime tregoi, se komunikimi në krizë është komponenti më i rëndësishëm në menaxhimin e saj. Fillimisht duhet dhënë ndihma e parë dhe duhet garantuar trajtimi mjekësor i viktimave. Një tjetër aspekt i rëndësishëm në orët e para është rivendosja e rendit. Por megjithatë komunikimi është hallka më e rëndësishme në menaxhimin e krizave.


Deutsche Welle: Çfarë do të thotë kjo konkretisht?


Jan Mans: Njerëzit duan të dinë, se çfarë ka ndodhur dhe çfarë mund të vazhdojë të ndodhë në çdo moment. Ata duan të dinë, se çfarë po bëjnë konkretisht autoritetet për të ndihmuar në përballimin e situatës. Për ta komunikuar sa më mirë këtë nevojitet shtypi. Nëse u krijon akses medieve tek informacioni i duhur, atëherë mund të informohen në mënyrë efikase njerëzit e prekur nga fatkeqësia. Pra vazhdimisht duhen organizuar konferenca shtypi, për të informuar mediet mbi atë që ndërmarrin autoritetet për të ndihmuar të prekurit, të cilët nuk e kanë më nën kontroll jetën e tyre.

Deutsche Welle: Çfarë mund të bëjë qeveria në një situatë të tillë të dalë jashtë kontrollit?


Jan Mans: Menjëherë pas një fatkeqësie të tillë qeveria duhet të marrë përsipër përkujdesin. Viktimat e mbijetuara kanë nevojë urgjente për ndihmë, për strehim, për trajtim mjekësor, për furnizim me ushqime, për mbështetje financiare dhe për trajtim psikologjik. Ato presin nga qeveria, që të gjitha këto të organizohen në një formë efikase dhe direkte. Për këtë arësye ne, administrata e qytetit në Enshede organizuam një qendër informacioni dhe konsultimi. Kjo kishte për detyrë të merrte përsipër kontrollin dhe të bënte gjithçka për t´u dhënë ndihmën viktimave. Brenda pak ditësh të gjithë e dinin, që kishte vetëm një adresë, ku mund të drejtoheshe, Përmes kësaj qendre ne mund të jepnim informacionin për publikun. Prej kësaj qendre ne mund të dëgjonim shqetësimet e njerëzve dhe të gjenim zgjidhjet. Ne mundeshim të ndiqnim atë që ndodhte dhe kjo qendër u mbajt e hapur për gati katër vjet.

Deutsche Welle: Si ishte organizuar kjo qendër dhe çfarë realizonte ajo?

Jan Mans: Ne mundeshim përmes saj të jepnim informacionin dhe të përgjigjeshim. Shoqëritë e sigurimeve kishin dërguar përfaqësuesit e tyre në vendin e katastrofës. Zyrat e punës dhe ato sociale ishin gjithashtu të përfaqësuara në këtë qendër. Të gjitha organizatat e ndihmës koordionoheshin prej saj dhe ishin vënë në dispozicion të të prekurve. Njerëzit mund t´i zgjidhinin problemet e tyre menjëherë në këtë qendër koordinimi. Të prekurit kishin humbur gjithçka shtëpi e katandi, dëftesa e dokumenta, vendet e punës e shumë gjëra të tjera. Organizimi i një qendre të tillë ishte një ndihmë e madhe për viktimat.


Deutsche Welle: Si mundën viktimat të paraqisni interesat e tyre?

Jan Mans: Ne themeluam edhe një organizatë për viktimat, e cila mbronte interesat e tyre tek autoritetet drejtuese. Ne e mbështetëm financiarisht këtë organizatë dhe i vumë në dispozicion asaj ambjentet, kushtet dhe ndihmën administrative për të kryer detyrën. Edhe kjo organizatë ishte mjaft e dobishme. Përkujdesi do të thotë edhe, që njeriu t´i kushtohet kujtimit. Brenda një jave ne organizuam ceremoni përkujtimore dhe minuta heshtjeje, në të cilat morrën pjesë 100.000 njerëz. Ne shpesh herë kemi qenë të pranishëm në ceremonitë e përmortshme. Si kryetar bashkie unë shpesh herë kam luajtur një rol të veçantë në ceremonitë e varrimit të zjarrëfikësve të vdekur.

Deutsche Welle: Përballimi i krizës fillon pikërisht në këto çaste, por çfarë presupozon ky proces në tërësi?

Jan Mans: Pas kësaj nis rikuperimi psikologjik. Në rastin e shpërthimit në Enshede, ne na u desh të ndërtojmë nga e para rreth 500 shtëpi në qendër të qytetit. Edhe rindërtimi është një kapitull i rëndësishëm për t´u rikthyer qytetarëve, por veçanërisht banorëve, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan, ndjenjën e sigurisë dhe të besimit. Mbi 2000 qytetarëve iu desh për një kohë të gjatë të banonin larg shtëpive të tyre, ku jetonin me pasiguri për të ardhmen e tyre. Në këtë drejtim ne fituam përvojën, që rikuperimi psiqik dhe social është pjesë e së njëjtës medalje. Autoritetet lokale mund ta shfrytëzojnë procesin e rindërtimit për riintegrimin dhe involvimin e qytetarëve që të luajnë rolin e tyre në procesin e planifikimit dhe formësimit të rindërtimit. Ky është një proces plot emocione, por duke u dhënë qytetarëve rol qendror në proces mundësohet trajtimi i emocioneve në një mënyrë të përshtatshme.

Deutsche Welle: Si u involvuan qytetarët në procesin e rindërtimit në Enshede?

Jan Mans: E para ishte, që njerëzit donin të kishin sërish urbanisitikën e vjetër të qytetit. Ndërsa politikanët donin një projekt krejt të ri dhe një planifikim modern të qytetit, pa marrë parasysh kufijtë e mëparshëm të pronësisë mbi tokën. Ndërsa banorët kërkonin rindërtimin e shtëpive të tyre ashtu siç kishin qenë dhe ne kështu bëmë.

Deutsche Welle: Krahas përballimit të pasojave duhet të shtrohet edhe pyetja, se si mund të parandalohet një gjë të e tillë në të ardhmen?

Jan Mans: Po, kjo është ajo që quhet "katastrofa pas katastrofës". U kryen hetimet, se si mundi të ndodhte ky shpërthim i fabrikës së fishekzjarrëve. U shqyrtuan gjithashtu mënyrat se si mund të ashpërsoheshin rregullat për dhënien e liçencave dhe për mekanizmat e kontrollit, në mënyrë që të mos përsëriteshin raste të ngjashme. Ne përpiluam një listë me zonat e tjera, që mund të paraqisnin rrezik në qytet, i identifikuam ato dhe vumë në zbatim masat për përmirësimin e kushteve aty ku ishte e nevojshme.

Deutsche Welle: Një tjetër aspekt është fakti që njerëzit shtrojnë pyetjen, se kush është fajtor?

Jan Mans: Hetimet pas një katastrofe të tillë janë një proces i vështirë dhe i dhimbshëm. Shtrohet pyetja: "Si mund të ndodhte kjo? dhe "kush është përgjegjës?" Krahas hetimeve zyrtare shfaqen dhe një sërë hetuesish privatë, të cilët prezantojnë teori nga më të habitshme, mbi atë që ka ndodhur në momentin kulmor. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në Shqipëri. Mediet përqëndrohen tek roli i autoriteteve para, gjatë dhe pas katastrofës. Vetëm pas pak ditësh dhe shumë kohë përpara rezultateve zyrtare të hetimeve përcaktohet fajtori. Kjo do të thotë, që kur ke një post drejtues më e mira është të japësh dorëheqjen, por unë nuk e bëra këtë.

Deutsche Welle: Çfarë bëtë ju zoti Mans?

Jan Mans: Unë thashë: Jam përgjegjës për atë që ndodh dhe jam përgjegjës për atë që ka ndodhur. Pra kam për të bërë dy gjëra: Mund të shkoj në shtëpi dhe t´i lë njerëzit vetëm, ose duhet të punoj për ta. Një vit pas fatkeqësisë ne patëm një takim në këshillin e qytetit dhe unë duke marrë përgjegjësinë mbi vete ofrova dorëheqjen. Këshilli i qytetit tha: Jo ti e ke bërë mirë punën dhe të lutem qëndro në detyrë. Disa thanë: ti duhet të japësh dorëheqjen. Dy nga bashkëpunëtorët e mi më të mirë dhanë dorëheqjen. Ata ishin përgjegjës për aspekte specifike, që kishin të bënin me katastrofën. Por 48 përqind e deputetëve mu lutën që të qëndroj në detyrë dhe të ndihmoj në rindëritmin e qytetit.

Deutsche Welle: Si ia dolët që të trajtoni si duhet traumën psiqike të qytetarëve?

Jan Mans: Ne nuk i kishim vet kapacitetet për të garantuar trajtimin psikologjik dhe traumatik të viktimave. Për këtë morrëm mbështetje nga qeveria. Por ne e organizuam vetë atë. Kjo ishte përgjegjësia jonë. Eshtë mjaft e rëndësishme, që e vërteta të dalë në shesh. Njerëzve duhet t´u përcillet mesazhi, që autoritetet janë të interesuara vet për zbardhjen e ngjarjes dhe që hetimet të sjellin rezultate. E rëndësishme është edhe që njerëzit të involvohen në procesin e rindërtimit. Edhe ky është një instrument psikologjik.

Deutsche Welle: A keni nxjerrë mësime nga kjo katastrofë?

Jan Mans: Pas katastrofës ne u ulëm së bashku dhe thamë: Prej kësaj kemi mësuar kaq shumë dhe këtë pëvojë duhet t´ua ofrojmë edhe kolegëve dhe kryebashkiakëve të tjerë. Edhe në qytete të tjera mund të ndodh një rast i ngjashëm. Ne mblodhëm informacione edhe nga disa katastrofa të vogla që patën ndodhur në Amsterdam dhe në Roterdam.

Deutsche Welle: Kush morri pjesë në procesin e përballimit të pasojave?

Jan Mans: Kushdo në Holandë u angazhua, kjo nuk ishte vetëm inciativa ime. Unë në radhë të parë iu drejtova kryetarëve të bashkive. Njëkohësisht ministri i brendshëm morri përsipër menaxhimin e krizës duke vënë në lëvizje sektorë të ushtrisë, të policisë dhe zjarrëfikësit. Unë nxita më pas diskutimin në Këshillin e Evropës dhe krijuam atje një forum për menaxhimin e krizave, paralelisht një forum të tillë e krijuam edhe në Holandë. Ne kemi përvojën tonë të autoriteteve lokale në menaxhimin e krizave, që mund t´ua transmetojmë atë edhe shteteve të tjera nëse ndodh një katastrofë të ngjashme si rastet e tërmeteve të rënda në Maltë apo në Iran, apo siç ka qenë edhe rasti i Çernobilit.

Deutsche Welle : Mendoni se ka dallime në përballimin e katastrofave në vendet e pasura dhe të zhvilluara siç është Holanda, krahasuar me vendet me infrastrukturë më të dobët?

Jan Mans: Unë besoj, se situata pas ngjarjeve të tilla në të gjitha vendet është pak e shumë e njëjtë, sepse proceset janë të njëjta. Menaxhimi i krizave është siç e theksova edhe më parë në radhë të parë komunikim në krizë. Rindërtimi është një proces ku mund të trajtohen emocionet. Gjithashtu përpunimi i asaj që ka ndodhur dhe gjetja e fajtorit janë procese të njëjta. Detyra e qeverisë për përkujdesjen është e njëjtë. Ndoshta dallimet kanë të bëjnë me paratë, diku ka më shumë e diku më pak, por sa i përket rolit që duhet të laujë qeveria, ky është kudo i njëjtë.