Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore - kompromis mes dy partive kryesore PD dhe PS
1 Korrik 2008Dy bashkëkryetarët, Ilir Rusmajli dhe Fatmir Xhafa, përkatësisht nga grupet parlamentare të PD-së dhe PS-së do të drejtojnë aktivitetin 30 ditor të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, një nga çështjet më të rëndësishme në axhendën e politikës së brendshme. Në ndryshim nga komsioni i mëparshëm ky aktuali, që ka në përbërje 13 anëtarë të spektrit të djathtë e të majtë, i garanton të drejtën e vetos vetëm dy partive të mëdha PD dhe PS.
Reagimet e partive të vogla
Nga kryetari i PAD, Neritan Ceka kjo shikohet me një lloj mosbesimi. Kreu i Aleancës Demokratike mendon se puna e komsionit do te sjellë efekte positive dhe përmirësime në mjaft aspekte të debatueshme dhe të kritikueshme që janë vërejtur në ligjin aktual elektoral.
Ndwrsa kryetari i grupit parlamentar të PR, Arjan Madhi duke shpjeguar të drejtën e vetos së dy partive të mëdha shprehet se nuk do të ketë vendimmarrje nëse këto dy parti nuk japin konsensus, sipas tij "duke i bërë të pavlefshme të gjitha votat e tjera të parlamentit".
Nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi shikon si objekt kryesor të punës së komisionit parlamentar futjen e përllogaritjes së votës jo në mënyrë të drejtëpërdrejtë por të ponderuar. Sipas Xhufit vota e ponderuar (e llogaritur nga pesha specifike që zë çdo subjekt politik në parlament) është një praktikë që nuk ka hyrë ende në vendet e tjera, detaj që shkakton skepticizëm për t'u aplikuar në Shqipëri.
Mandati i punës së komisionit është 1 mujor. Të gjitha vendimet e komisionit më pas do të diskutohen dhe votohen në seancë plenare. Meqë pritet që për çdo vendim të jetë marrë mendimi pro të paktën i PD dhe PS atëhere votimi në parlament do të jetë thjesht procedurë. Objektivi i parlamnetarëve është që reforma elektorale të përfundojë para datës 31 korrik, atëhere kur përfundon legjislatura dhe deputët marrin pushimet verore për këtë vit.