1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komenti: Merkel kundër Steinbrück

Kay-Alexander Scholz2 Shtator 2013

Dueli ndërmjet përfaqësuesit socialdemokrat dhe kancelares nuk solli të reja përmbajtësore. Por një gjë u bë e qartë. Sa ndryshe e kuptojnë politikën të dy kontrahentët. Kay-Alexander Scholz komenton.

https://p.dw.com/p/19a2t
Fotografi: Reuters

Në duelin e kandidatëve për kancelar i kushtohet rëndësi faktit, që koha në dispozicion të jetë e barabartë për të dy folësit. Në shumë pjesë të emisionit 90 minutësh, që u transmetua nga katër stacione televizive në Gjermani, kryesoi Angela Merkel. Ajo e zotëroi diskutimin në orën e parë jo vetëm përsa i përket cilësisë. Ndërsa sfidanti i saj Peer Steinbrück rrinte si i ngrirë pas pultit dhe e shikonte Merkelin me bisht të syrit, madje nganjëherë si me frikë, kancelarja ishte sfiduese në bisedë. Ajo i drejtohej edhe me trup sfidantit të saj, mbante kokën mënjanë dhe dëgjonte me shumë vëmendje, atë që ai donte të thoshte.

Merkel nuk i la prezantuesit ta ndërprisnin, nganjëherë e kërkonte të drejtën e fjalës me ton të ashpër. Ndaj deklaratave të Steinbrück-ut ajo reagonte direkt, pa lënë mundësi që njëri nga katër prezantuesit ta merrte edhe një herë fjalën. Merkel u bë dramaturge edhe me fjalinë: "Ne duhet t'i themi gjërat shkurt."

Nëse ajo mendonte se pjesë të temave të shumta nuk ishin trajtuar sa duhet, u rikthehej atyre edhe një herë më vonë. Kaq sa i përket anës së rreptë të "mamit", siç quhet Merkel. "Mami" e thotë fjalën e fundit, siç ka bërë gjithmonë.

Merkel donte argumenta

E gjitha kjo s'ishte një qëllim në vetvete, por Merkel u përpoq të shpjegojë politikën e saj. Dhe kjo nuk bëhet dot gjithmonë në 30 sekonda. Por në këtë mënyrë ajo përcaktoi atmosferën e emisionit. Ai ishte një shkëmbim argumentesh dhe jo një duel i ashpër e i zjarrtë, edhe pse toni sfiduesit të saj ishte i ndryshëm. Gjë, që i bëri mëgjithatë mirë emisionit. Sepse në Gjermani kryesorja nuk është të zgjidhjet direkt kancelari apo kancelarja, por paraqitja e programeve përkatëse zgjedhore. Prandaj ndoshta nga Merkel nuk u mësua asgjë e re përsa i përket përmbajtjes.

Merkel quhet nga shumë "mami", sepse tek shumëkush ajo ka krijuar imazhin e një drejtueseje në kohë të vështira. Fushata zgjedhore në Gjermani i është përshtatur asaj, ajo është arma më e fortë e CDU. Kësaj ajo i mbeti besnike. "Ju më njihni mua si i bëj gjërat unë, ne kemi pasur katër vjet të mira në Gjermani, ne kemi mundur ta arrijmë vetëm së bashku", tha ajo në deklaratën e saj përmbyllëse.

Ai që thotë "jo"

Një sondazh i shpejtë pas programit tregoi megjithatë, se Steinbrück ishte fituesi i duelit, ose të paktën ishte në një nivel me Merkelin. Paralajmërimi i tij pati me sa duket efekt që në fillim: Mos lejoni të ju manipulojnë. Steinbrück foli më vonë për "kuti boshe, që Merkeli i ka vënë në vitrinë". Kështu ai kritikoi politikën e saj si një shfaqje në mot të mirë. Shumë nga përgjigjet e tij fillonin me "jo", sepse PSD dëshiron të ndryshojë çdo gjë. Nganjëherë Steinbrück numëronte disa gjëra njëra pas tjetrës, në një ritëm shumë të shpejtë, për të treguar, sa e keqe është situata. Sulme ndaj Merkelit, me gjithë forcën.

Steinbrück pikturoi një tabllo të zymtë të Gjermanisë: Sistemi shëndetësor po shkatërrohet. Hendeku ndërmjet të varfërve dhe të pasurve po rritet. Gjermania duhet të bëhet më e drejtë dhe ka nevojë për një ndryshim themelor. Steinbrück iu përgjigj kështu një bindjeje, që mund ta dëgjosh në shumë biseda nëpër tryeza në kafene në Gjermani. Për shembull: Shumë gjëra janë shtrenjtuar, po u bie vlera kursimeve, ka shumë vende pune të paguara keq.

Merkel ishte më korrekte

Por kur vinte fjala për detaje, kandidati socialdemokrat për kancelar nganjëherë ngatërrohej. Ai tha për shembull: një deklaratë cilësore dhe jo sasiore do të mjaftonte. Ose: Kjo mund të shihet në wikipedia. Ndërsa Merkel kishte shifra konkrete dhe nuk e prishte qetësinë.

Dhe sulmet e saj ishin më të sakta. Punën e përkohshme, aq të kritikuar, e ka futur kancelari socialdemokrat Gerhard Schrëder, tha Merkel. Që politika e shpëtimit të euros ka dështuar në Greqi, këtë Steinbrück e ka thënë tani vetëm, sepse është fushatë. Fundja PSD i ka aprovuar të gjitha paketat e shpëtimit, dhe kjo është me të vërtetë një gjë e mirë, shtoi ajo.

Arsyeja kundër ndjenjës

Merkel korigjonte edhe disa pohime të moderatorëve. Ajo tha se ka qenë gjithmonë kundër taksës rrugore dhe se një tjetër paketë shpëtimi për Greqinë nuk është në diskutim. Por në të gjitha Merkel ishte korrekte. Dhe ajo nuk e pikturonte situatën në Gjermani me ngjyra të bukura, siç e akuzonte atë Steinbrück-u. Por Merkel tha se ka ndjekur drejtimin e duhur, e kjo duket në faktin, që Gjermania e ka kapërcyer mirë krizën.

Ndërsa Merkel donte ta shfrytëzonte duelin për të shpjeguar, Steinbrück u përpoq t'u bënte apel ndjenjave. Kjo për fat të keq nuk funksionon aq mirë, kur pikturon një tabllo, sikur vendi është pak para fundosjes, ose kur lëviz në nivelin e gjuhës së kafenesë me deklaratat si "taksapaguesi është budallai", "dozë vdekjeprurëse për vendet e Evropës Juglindore" apo "një lloj çmëndurie". Steinbrück u paraqit si shpëtimtar i madh, që bën fushatë zgjedhore "me 200 për qind."

Ndonjë spektator serioz duhet ta ketë trembur një pompozitet kaq i madh. Të tjerët duhet ta kenë ndjerë veten të mbështetur në mënyrën tipike gjermane në të parit e gjithçkaje negativisht. Në këtë kuptim dueli ishte një luftë me armë të pabarabarta. Arsyeja kundër ndjenjës. Zgjedhësit do të gjejnë përgjigjen e tyre. Por politikës i duhet debat objektiv. Dhe atë Merkel e ka bërë më mirë.