1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Zbukurimi i realitetit nuk të ndihmon në Ukrainë

Bernd Johann6 Qershor 2015

Gjendja në Ukrainë kërcënon të shkallëzohet sërish. Marrëveshja e Minskut ndodhet në rrezik. Kështu nuk mund të vazhdohet më tej, mendon Bernd Johann, i cili konstaton se nuk ka ende përpjekje serioze për dialog.

https://p.dw.com/p/1FcVJ
Armë të rënda në Ukrainën Lindore
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Stepanov

Disi mund ta bindje veten javët e fundit, se gjendja në Ukrainën Lindore do të qetësohej në njëfarë mënyre. Vërtet që vëzhguesit e OSBE-së të stacionuar atje raportonin thuajse përditë për incidente përgjatë vijës së armëpushimit. Por armë të rënda u përdorën shumë rrallë. Tani qetësia e gënjeshtërt mori fund. Me tanke dhe me granathedhës, luftëtarët e të ashtuquajturave "Republika Popullore" nisën që prej Donjeckut një sulm masiv ushtarak drejt Perëndimit. Sulmi masiv mund t'i shërbejë përgatitjes për një ofensivë të re të madhe, e cila prej kohësh druhet se do të shpërthejë në rajon.

Ende askush nuk preferon të flasë për një dështim të marrëveshjeve të Minskut, për të cilat u zhvilluan katër muaj më parë negociata në kryeqytetin bjellorus. Bëhet fjalë për një hap pas dhe shkelje të marrëveshjeve. Politikanë perëndimorë shprehen të shqetësuar dhe paralajmërojnë për një spirale të re dhune. Dhe gjithmonë, duket se ata në të njëjtën kohë edhe flasin duke e zbukuruar gjendjen. A mund të funksionojë në parim Marrëveshja e Minskut? A është realist një plan paqeje, kur njëra nga palët pjesëmarrëse nuk ka fare interes për objektivat për të cilat është rënë dakord?

Hapësirat për dakordim thuajse mungojnë krejtësisht

Një armëpushim i brishtë dhe tërheqja e pjesshme e armëve të rënda janë të vetmet pika nga marrëveshja e Minskut, të cilat janë respektuar në njëfarë mënyre në muajt e kaluar. Deri tani as kryengritësit dhe as Kievi nuk kanë ndërmarrë ndonjë përpjekje serioze për të vazhduar dialogun. Qeveria ukrainase nuk dëshiron t'i pranojë si partnerë negociatash përfaqësuesit e vetëemëruar të "Republikave Popullore". Vetëm me dhunë dhe me mbështetje politike dhe ushtarake nga Rusia arritën këta njerëz ta marrin pushtetin atje. Luftëtarët kërkojnë një "Novorosija", që nuk është gjë tjetër veçse një "Rusi e re" në tokë ukrainase. Si mund të ketë hapësira për dakordim, në një kohë kur Minsku parashikon ruajtjen e unitetit shtetëror të Ukrainës?

Rusia refuzon të pranojë deri më sot se është palë në luftë. Por de facto kemi të bëjmë me një sulm të Rusisë në Ukrainë.Ushtarë nga Rusia janë kapur robër në Ukrainë, shumë kanë vdekur në Ukrainë. Tema është kaq akute, sa para pak kohësh në Rusi u miratua një ligj i ri. Në bazë të tij nuk lejohet të raportohet më për rrethanat e vdekjes së pjesëtarëve të ushtrisë. Masa të mbajtjes sekret pra - krejtësisht sikur Rusia të ndodhej me të vërtetë në një luftë. Dhe me një të tillë kemi të bëjmë. Vetëm pak kohë më parë ne pamë kolona të gjata me tanke ruse, të cilat u transportuan në kufirin e Ukrainës. Gazetarët i fotografuan.

Duhet të përgatiten sanksione të tjera

Shumë të dhëna flasin se në Ukrainën Lindore po përgatitet një ofensivë e madhe. Nëse do të kemi një ofensivë të tillë, atëherë Minsku do të ishte me të vërtetë një letër për ta hedhur në kosh. Zbukurimi i realitetit nuk na ndihmon këtu. Asgjë nuk flet për atë se Moska ose kryengritësit e kanë braktisur kursin e tyre luftarak. Kështu nuk vendoset paqja.

Në krizën e Ukrainës tani sytë janë të drejtuara tek takimi i nivelit të lartë të G-7-ës të kryetarëve të shteteve dhe të qeverive në Gjermani. A është një gabim që Rusia nuk është e pranishme? Edhe disa politikanë gjermanë e mbrojnë këtë pikëpamje. Por e kanë gabim. Duke i injoruar ukrainasit nuk mund të flitet në Elmau të Bavarisë me shefin e Kremlinit Vladimir Putin. G-7-a thjesht nuk është formati i përshtatshëm për zgjidhjen e konfliktit.

Por takimi duhet të shfrytëzohet për të përcaktuar strategjinë e mëtejshme të Perëndimit. Eshtë e drejta përmbajtja tek dialogu politik me Moskën. Këtu bën pjesë vazhdimi i procesit të Minskut. Edhe nëse ai thuajse nuk funksionon. Sepse aktualisht ndaj tij nuk ka alternativë - veç luftës. Rusisë i duhet bërë e qartë edhe më tej se çdo shkallëzim i mëtejshëm do të kishte si pasojë ashpërsimin drastik të sanksioneve perëndimore.

Bernd Johann
Bernd Johann