1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendosja e prioriteteve për buxhetin

Miodrag Soric3 Janar 2013

Kongresi amerikan ka arritur një kompromis për taksat. Megjithatë vazhdon të mungojë një koncept i qëndrueshëm për buxhetin, mendon Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/17CgL
Fotografi: Reuters

Presidenti Barak Obama ka triumfuar. Ata, që fitojnë më shumë para, do të paguajnë taksa më të larta në SHBA. Presidenti përmbush në këtë mënyrë një premtim elektoral. Republikanët, të cilët para zgjedhjeve janë betuar se kurrë nuk do të bien dakord me një rritje të taksave, janë të përçarë. Shumë kanë votuar me demokratët. Obama e ka frenuar lëvizjen Teaparty, anëtarët konservatorë të republikanëve.

Koha për kthim te puna e përditshme? Aspak. Sepse mosmarrëveshja tjetër po kristalizohet. SHBA duhet të rrisin në javët e ardhshme tavanin e borxhit. Vetëm me kredi të reja Uashingtoni mund të paguajë faturat e tij. Republikanët kanë njoftuar tashmë se do të miratojnë borxhet shtesë, nëse Obama fillon më në fund të vendosë rregull në buxhet. Me fjalë të tjera Amerika nuk po gjen qetësi.

Shtim i të ardhurave nga eksportet në vend të shpenzimeve për luftën

Kjo nuk do të ndryshojë asgjë për momentin. Sepse një buxhet i dëmtuar nuk mund të përmirësohet nga një ditë në tjetrën. Çdo vit SHBA shpenzojnë më shumë se një bilion dollarë më shumë se sa fitojnë. Dhe kjo ndodh prej vitesh. Ekonomia amerikane nuk prodhon produkte të mjaftueshme, për eksport. Dhe luftërat e fundit në Afganistan dhe Irak kanë gëlltitur miliarda.

Miodrag Soric,
Miodrag SoricFotografi: DW

SHBA mbajnë në mbarë botën më shumë se 1000 baza vogla dhe të mëdha ushtarake. Të gjitha nuk do të financohen dot përherë. Në SHBA rritet të paktën tek popullata dëshira, për t'u angazhuar më pak ndërkombëtarisht. Herët ose vonë elita politike do ta marrë këtë parasysh. Amerikani si polic botëror - kjo së shpejti nuk do të jetë më.

Përmirësimi i infrastrukturës dhe më shumë arsimim

Në frontin brenda vendit qeveria e SHBA ka shumë për të bërë. Sistemi shëndetësor është - për shembull në krahasim me Gjermaninë - shumë i shtrenjtë. Infrastruktura në shumë vende të Amerikës është e shkatërruar. Edhe në Uashington ndërpritet rregullisht energjia. Në shumë pjesë të vendit rrezikojnë të prishen qindra ura, thjesht sepse mungojnë paratë për riparim. Sistemi arsimor ka nevojë për reformë urgjente dhe politika e emigracionit duhet të ndryshohet sërish.

Për të menaxhuar të gjithë këtë, qeverisë i duhen të holla. Para, që ajo nuk i ka. Pra, asaj i duhet të vendosë prioritete. Prioriteti i parë duhet të jetë një buxhet deri diku i balancuar. Për të arritur këtë qëllim, demokratët dhe republikanët duhet përpiqen së bashku. Siç qëndrojnë tani gjërat, vullneti politik për këtë mungon.