1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Turqia me shpatulla pas muri

Në Turqi të gjitha shenjat tregojnë për kohë të stuhishme në vend. Kjo për shkak të presidentit Rexhep Tajip Erdogan mendon Bahaeddin Güngör.

Intervalet kohore ndërmjet lajmeve alarmante nga Turqia po bëhen gjithënjë e më të shkurtra. Vështirë se kalon një ditë pa lajme për bomba, sulme të armatosura, kidnapime dhe përleshje mes protestuesve dhe policisë. Policia tani vepron pothuajse ekskluzivisht më vete e inkurajuar nga ligjet e reja të sigurisë. Dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, Turqia ka kohë që edhe ekonomikisht nuk e ka më rolin e saj të mëparshëm, si nxënëse shembullore e Evropës. Rënia dramatike e eksporteve është shenjë alarmi për ekonominë. Partia konservatore fetare AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) që qeveris nga viti 2002 me shumicë absolute të padiskutueshme, po përballet me përçarje të brendshme të mëdha.

Turqia, e cila deri pak vite më parë ishte krenare për normat e saj të rritjes ekonomike për t'u patur zili, gjendet me shpatulla pas murit. Kush guxon të kritikojë Erdoganin, humbet rastin më të mirë, punën, si rasti i qindra e gazetarëve. Të tjerët janë arrestuar nga policia dhe kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve apo në burg. Sa i përket lirisë së shtypit dhe të shprehjes Turqia zë tani në rang ndërkombëtar një nga vendet e fundit bashkë me diktaturat e tmerrshme.

Ëndrra e Erdoganit për pushtet presidencial

Çdo përpjekje për ta kujtuar atë për detyrimin e sanksionuar me kushtetutë për neutralitet, Erdogani e hedh poshtë. Në vend të kësaj, ai ende vepron si kryeministër dhe zhvillon me opozitën beteja verbale destruktive për sistemin demokratik pluralist. Pasardhësi i tij, Ahmet Davutoglu, nuk ka asnjë shans për të për ta provuar veten si kreu i qeverisë.

Bahaeddin Güngör

Bahaeddin Güngör

Si presidenti i parë i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli Erdogan ëndërron sot për AKP tij 400 nga 550 vendet në parlamentin turk. Me këtë shumicë që është e nevojshme për të ndryshuar kushtetutën ai dëshiron të fusë një sistem presidencial në Turqi duke ndjekur shembullin e Francës, apo Shtetet e Bashkuara. Nëse Erdogani nuk e arrin këtë qëllim, ai parashikon të zhvillojë një referendum duke rrezikuar përfundimisht shpërthimin e tensioneve të reja me pasoja të pasigurta të rrezikshme për paqen e brendshme.

Paqe e brishtë

Se sa e brishtë është kjo paqe, tregojnë taktikat e Erdoganit në politikën ndaj kurdëve. Oferta për paqe e liderit të burgosur të PKK-së, e cila është e ndaluar që nga viti 1999, Abdullah Oçalan, është ende e pasigurt. Qëllimi të Oçalanit, që pas 40.000 të vdekurish t'i bindte militantët e tij kurdë që nga viti 1984 për ta përfunduar luftën e armatosur kundër Turqisë, ngjalli brenda PKK-së një luftë të rëndë mes krahut pro dhe kundër kursit të paqes. Por më parë, Erdogani e kishte mohuar ekzistencën e një problemi kurd në Turqi në kundërshtim me deklaratat e tij të mëparshme dhe në këtë mënyrë i kishte hedhur benzinë zjarrit.

Republika turke e krijuar në vitin 1923 nga rrënojat e Perandorisë Osmane ka përjetuar disa herë hidhur që nga fillimi i sistemit shumëpartiak 65 vjet më parë, se sa e vështirë është për të ndryshuar një rend të bazuar në shkatërrimin e kundërshtarëve politikë në një rend paqësor. Kjo kërkon kurajo dhe gatishmëri për rrezik. Meqë për këtë në gjashtë dekada kanë qenë të aftë vetëm shumë pak politikanë, Turqia ka përjetuar mjaft ndërprerje të demokracisë dhe gjithmonë është shëruar me shumë vështirësi prej tyre. Erdogani mund t'ja kursejë Turqisë që rrëzim të mëtejshëm të rendit të saj demokratik bazë. Por për këtë ai duhet të tregohet i gatshëm për kompromise, në vend që qëndrimeve të ngrira dhe të paarsyeshme. Vetëm ai mund të mundësojë një ndryshim pozitiv për Turqinë.

Ju mund të bëni një koment poshtë këtij artikulli. Ne gëzohemi për mendimin tuaj!