1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Siguria ka prioritet

Në Belgjikë u shmang një sulm terrorist, në Francë jo. Autoritetet kanë nevojë për instrumentat e duhur, ndaj mbrojtja e të dhënave duhet të bëjë një hap mbrapa, megjithëse kjo të dhemb, komenton Bernd Riegert.

Belgjika me sa duket ia doli të shmangë një sulm terrorist përmes një aksioni të gjerë kundër rrjeteve të terroristëve në Bruksel dhe Vervier. Pikërisht në vendin ku nganjëherë për disa gjëra mbyllet një sy, në vendin me struktura komplekse administrative, policia dhe shërbimet sekrete funksionojnë ashtu siç duhet kur ka rreziqe reale. Ata i mbrojnë qytetarët e tyre. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Autoritetet u desh ta mësojnë këtë vetëm pas sulmit kundër një muzeumi hebre në majin e shkuar në Bruksel. Tani deviza kryesore është - ndërhyrje preventive. Në shtator autoritetet belge ia dolën po ashtu të pengojnë në kohën e duhur një sulm të planifikuar kundër Komisionit Europian në Bruksel.

Mbikqyrja e nevojshme

Se si ia ka dalë policia të informohet për planet e atentatorëve të mundshëm sigurisht nuk bëhet e ditur për arsye hetimore taktike. Një rol të rëndësishëm duket se luan përgjimi i telefonatave brenda celulave terroriste. Policia duhet të zotërojë teknika inteligjente të përgjimit dhe evaluimit të komunikimit në internet e telefoninë mobile, sepse edhe terroristët përdorin një komunikim të koduar në smartphone dhe internet.

Luftimi i krimit ka prioritet, ndërsa për ruajtjen e të dhënave personale mund ta vrasim mendjen më pas. Belgjika ka një paketë ligjore të zgjeruar për regjistrimin e të dhënave të telefonisë mobile dhe komunikimit. Gjermania nuk e ka një paketë të tillë ligjore. Komisioni Europian duhet të paraqesë tani një rregullore të përmirësuar, pas rrëzimit të mëparshmes nga Gjykata Europiane. Ka ardhur koha që në këtë fushë, kaq të rëndësishme për mbrojtjen kundër terrorizmit, të veprohet shpejt dhe pa ekuivoke.

Deutsche Welle

Bernd Riegert

Kërcënimi nga ekstremistët islamistë dhe xhihadistët e kthyer është shumë realist, ai është i prekshëm dhe ka pasoja të tmerrshme, siç e pamë në sulmet e Parisit. Prandaj askush në Europë nuk duhet të hezitojë më kur bëhet fjalë për pajisjen e autoriteteve të sigurisë me të dhënat dhe instrumentat e duhur për të kapur terroristët në kohë. Kjo vlen edhe për të dhënat e pasagjerëve, që ende në BE nuk ruhen dhe kontrollohen. Për udhëtimet drej SHBA-së apo Australisë ëshë shumë normale që të japësh të dhënat e tua. Pse nuk bëhet kjo në Europë?

Shanset duhen përdorur

Sigurisht që nuk mund të pengohen plotësisht me këtë udhëtimet e terroristëve, por të rinjve të radikalizur në Europë u duhet bërë sa më i vështirë udhëtimi drejt kampeve të trajnimit. Të dy vëllezërit Kouachi që sulmuan në Paris "Charlie Hebdo"-n, ndodheshin në listën e personave që nuk u lejohej futja në Shtetet e Bashkuara. Në Europë ata mund të fluturonin pa u penguar. Kjo është absurde. Autoritetet e sigurisë në Francë, por edhe në Gjermani e shtete të tjera kanë nevojë për më shumë personal për të zbuluar e gjurmuar atentatorët e mundshëm.

Madje është gati skandaloze që policia franceze i hoqi nga lista e përgjimit të dy vëllezërit vrasës pak muaj para atentatit, sepse për personelin e pakët kishin dalë në pah prioritete të tjera, islamistë më të rrezikshëm. Kemi nevojë për masa të përmirësuara në burgje, izolimin e islamistëve për të ndalur makinerinë e radikalizimit në burgje.

Sigurisht kërkesa të tilla do të ngrihen pas çdo lloj sulmi terrorist të përmasave të mëdha. Por në këtë kontekst duhet të thuhen disa fjalë mbështetëse edhe për shërbimet amerikane, si NSA. Përmes hyper-përgjimit të tyre shpesh të kritikuar, ata mbledhin informacione të vlefshme për skenën terroriste në botë, të cilat shërbimet europiane i pranojnë me kënaqësi. Pa SHBA, kështu e ka formuluar një ish-agjent i shërbimeve sekrete, do të ishim të verbër dhe memec për sa i përket zhvillimeve në Lindjen e Afërt dhe të Mesme.

Po, mbrojtja e të dhënave dhe e drejta për privatësi janë të rëndësishme, por a nuk duhet të sakrifikojmë diçka, kur bëhet fjalë për t'u mbrojtur nga terrori? Monstra të radikalizuara, si atentatori që pa asnjë skrupull u fut në një supermarkt hebre dhe pa asnjë paralajmërim qëlloi një police mund të ndalen me shumë vështirësi. Por edhe ky person nuk ishte "një ujk i vetmuar". Ai bënte pjesë në një rrjet të caktuar, të dashurën e kishte bashkëpunëtore. Atentatori i kishte gjetur armët në Belgjikë. Edhe ai ka komunikuar, ka lënë gjurmë diku. Autoritetet franceze nuk i gjetën në kohën e duhur ato. Pse?