1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Shpirti amerikan

Pas tre vjetësh, Gero Schließ, njëri nga korrespondentët në SHBA të DW kthehet në Gjermani. Ai përjetoi në Amerikë shndërrime shoqërore të vendit - dhe një patriotizëm të rrallë.

Ky vend ka ndryshuar. Dhe më ka ndryshuar edhe mua. Tri vjetët si korrespondent në SHBA ishin vite vendimtare. Për shembull në politikën e brendshme.

Shndërrime të papara

Jo, këtu nuk bëhet fjalë për Trump-in, por për politikë të vërtetë, reale, e cila ndërhyri në jetën e njerëzve. Për shembull reforma shëndetësore e Barack Obama-s. Gjykatat e konfirmuan atë në tri vitet e shkuara përfundimisht - kundër rezistencës së vazhdueshme të republikanëve. Me këtë, për miliona amerikanë ekziston siguria se në rast sëmundjesh të rënda do të kenë mbështetje. Për jetën e përditshme ky është një revolucion.

Efekt të ngjashëm largvajtës ka edhe zbatimi i martesave midis partnerëve të të njëjtës gjini. Në këtë vend të formësuar nga lidhje të forta konservatore e fetare, ky është një shndërrim i paparë. Qindra mijëra homoseksualë e përjetuan këtë si çlirim - dhe e festuan.

Sa ngurruese dhe e vogël duket përballë kësaj politika gjermane, e cila nuk gjen dot forcën që do ta çojë përpara edhe këtu me vendosmëri këtë çështje. Rezervat e shumëcituara të Kancelares gjermane, se me këtë pikë ajo ka probleme personale, me sa duket gëzojnë rangun e një shtese të paprekshme të kushtetutës.

Besnikëria amerikane ndaj parimeve

Po, amerikanët mund të jenë tmerrësisht parimorë. Kjo nis që në aeroport, kur ngulin këmbë që njerëzit të rrinë në radhë para vendit të ndalimit të taksive, edhe nëse po të veprohej ndryshe ndoshta puna do të ecte më shpejt, por ndoshta në mënyrë jo kaq paqësore.

Ose kur në restorant, megjithë numrin e madh të tryezave të lira, të duhet të presësh që të ta caktojnë vendin ku të ulesh. Deri në rregullat për takimet midis të dashurve, dating, të cilat vërtet që shkelen shumë herë, por megjithatë mbeten të pranishme në mendje.

Të gjitha këto kanë kuptimin e tyre. Ato rregullojnë bashkëjetesën në një vend relativisht të ri, ku gati secili është me origjinë nga familje migrantësh, që ka ardhur dikur në këtë vend.

Të mësosh në çështjen e refugjatëve

Mentesha të ngulitura të komunikimit dhe modeleve të sjelljes ndihmojnë që një i huaj të kthehet pa konflikte të mëdha në një bashkëqytetar të respektuar dhe produktiv, të cilit i lejohet të mbajë identitetin e tij. Kjo - së bashku me një katalog të rreptë vlerash - është lënda që vazhdon ta mbajë të bashkuar këtë vend gjigand, të pushtetshëm dhe megjithatë kaq të ndryshëm. Dhe ndoshta gjermanët mund të mësojnë diçka nga kjo, meqenëse ata po përballen me një numër shumë të madh migrantësh.

Gero Schließ

Gero Schliess

Nëse të gjitha këto do të mbeten siç janë (dhe tani vijmë te Trump-i) së shpejti do të hidhet në votë. Apeli i Trumpit i drejtuar frikës dhe agresivitetit zë më shumë vend se sa mendohet. Por unë kam besim që amerikanët në fund do të fokusohen në potencialet e tyre shumë vetjake, të cilat vërtet për shumicën nuk bëjnë të plotësohet "ëndrra amerikane", por që e mbajnë të gjallë besimin dhe kërkesën për të.

Besim në vete dhe krenari

Sepse njerëzit këtu kanë një energji krej të tyre - kaq të ndryshme nga Gjermania, nga Evropa, ku të gjitha kanë kaq besim te shteti dhe ku gjithçka është kaq e rregulluar dhe ndërkohë edhe kaq e ngurtësuar.

Sigurisht, besimi te "amerikanët si përjashtim për sa u përket rangut" ka marrë goditje vitet e kaluara. Edhe përballë humbjes që përvijohet gradualisht të statusit të fuqisë së madhe dhe një shtrese të mesme të dobësuar. Por në situata ekstreme, ky besim në vetvete, kjo krenari vazhdon të jetë e ndieshme.

Patriotizëm prekës

Nuk do ta harroj kurrë intervistën me Anthony Graves, i cili qe dënuar me të padrejtë me vdekje dhe që qendroi me vite të tëra në qelinë e vdekjes. Megjithëse ky shtet kërkonte jetën e tij dhe dy herë qe caktuar ekzekutimi, prej tij buroi në fund të deklarimit për heqjen e dënimit me vdekje me këmbëngulje morale: "Ne jemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet ta bëjmë, sepse ne i kemi standardet më të larta morale". Kjo mund të duket naive dhe e huaj për një evropian. Por më bukur dhe në mënyrë më impresionuese nuk mund ta përjetosh shpirtin amerikan.