1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koment: Shikoni Ballkanin

Eleminimi i arsyeve të migracionit është një objektiv i shumëcituar i politikës evropiane të azilit. Tek vendet e Ballkanit duket sa e vështirë është kjo, mendon Christoph Hasselbach.

Argumenti tingëllon jo vetëm bindës, ai është edhe një formulë, për të cilin mund të merren vesh pa asnjë përjashtim të gjitha partitë politike në Gjermani dhe në vendet e tjera të BE-së në politikën e azilit: Qëllimi duhet të jetë që situata në vendet e origjinës të përmirësohet në atë mënyrë, saqë njerëzit të mos kenë asnjë arsye për t'u larguar nga vendi i tyre. Sidomos në lidhje me Afrikën politikanët evropianë ofrojnë me dëshirë këtë strategji afatgjatë.

Të gjithë duan të hyjnë në BE

Christoph Hasselbach

Christoph Hasselbach

Kush do të ishte kundër? E megjithatë ia vlen të shohësh vetëm Ballkanin Perëndimor, për të dyshuar në mundësinë e zbatimit të shpejtë të këtij qëllimi. Këtu është fjala për Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Të gjitha këto vende synojnë BE dhe Brukseli u ka dhënë një perspektivë të qartë për pranim, natyrisht me parakushtin që ato të plotësojnë kushtet ekonomike dhe politike. Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë ndërkohë kandidate për pranim duke qenë kështu një hap më pranë BE. Bosnjë-Hercegovina është një rast i veçantë. Shteti me etnitë e tij të armiqësuara gjatë luftës së Jugosllavisë është praktikisht një protektorat i Kombeve të Bashkuara dhe BE. Prandaj ndikimi perëndimor është i madh, me qëllim për të stabilizuar, pajtuar, për të ngritur struktura shtetërore e për të zhvilluar ekonominë. Edhe në Kosovë statusi ligjor i së cilës sipas së drejtës ndërkombëtare vazhdon të jetë i paqartë, BE me misionin e tij të EULEX-it ka rol të rëndësishëm në ndërtimin e administratës, policisë dhe drejtësisë.

Njëzet vjet ndërtim

Me fjalë të tjera, prej rreth gati njëzet vjetësh, pra që nga fundi i luftës së Jugosllavisë, prej së cilës kanë dalë këto shtete me përjashtim të Shqipërisë, BE përpiqet me stimuj, me shumë para dhe këshilltarë në vend, që të krijojë një situatë, me qëllim që njerëzit të shohin një perspektivë në vendin e tyre. Sot duhet të konstatojmë se politika stabilizuese njëzet vjeçare në një territor jo shumë të madh për Europën dhe në mesin e saj nuk e ka arritur qëllimin e vet. Përndryshe nuk do të kërkonin çdo muaj mijëra njerëz nga këto vende fatin e tyre në Gjermani. Por nëse strategjia nuk ka patur sukses në Ballkanin Perëndimor në rrethana deri diku të favorshme, çfarë mund të sjellë ajo në Afrikën Perëndimore dhe Veriore?

Dhe megjithatë do të ishte një përfundim i gabuar, që të desiluzionohesh për këtë arsye dhe të heqësh dorë nga qëllimi. Sepse mungesa e suksesit ka të bëjë edhe me faktin se BE nuk i ndjek synimet e tij me vendosmërinë e duhur. Serbia dhe politika e saj ndaj pakicave është një shembull. Thuajse të gjithë azilkërkuesit serbë në Gjermani janë romë. Kancelarja Angela Merkel pranon se romët në Serbi diskriminohen mjaft. Nga ana tjetër qeveria gjermane e ka kategorizuar Serbinë "vend të sigurtë origjine". Por mbrojtja e pakicave është një nga premisat më kryesore për pranimin e një vendi në BE. Që do të thotë se BE tek kandidatja për pranim Serbia i ka të gjitha mjetet e presionit në dorë, duhet vetëm që t'i zbatojë. Kryeministri i Serbisë Aleksander Vucic tha gjatë vizitës së kancelares gjermane në Beograd në korrik se refugjatët janë një "problem i përbashkët", për të cilët nevojitet ndihma europiane - një fjali hipokrite duke patur parasysh diskriminimin sistematik të romëve. Mesazhi i qartë drejtuar Beogradit duhet të jetë: Përderisa t'i lini pas dore pakicat, nuk ecni asnjë hap përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit. Vetëm se kjo gjë duhet bërë e qartë.

Ne do të gëzoheshim nëse ju shprehni opinionin Tuaj në fund të artikullit!