1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: "Shenjë hutimi"

Christoph Hasselbach18 Mars 2014

Bashkimi Europian tregohet i vendosur në sanksionet kundër Rusisë. Por BE nuk e ka kuptuar ende me të vërtetë, se çfarë ndodh midis tij dhe Rusisë, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1BREm

Më e keqja është që Perëndimi nuk di absolutisht ç'të bëjë. Qeveritë e Europës vazhdojnë të jenë ende të ngrira nga shoku. Ato thjesht nuk arrijnë ta kuptojnë, se si 25 vjet pas fundit të Luftës së Ftohtë në Moskë kthehen modelet e vjetra të sjelljes - në një kohë kur Rusia gjoja përfiton nga bota e bukur, e re dhe paqësore. Ky hutim në Perëndim flet ndoshta për problemin më të madh. BE e ka keqkuptuar rrënjësisht Rusinë. BE mendon dhe flet në kategori krejt të tjera nga ato të Rusisë së Putinit, ai thjesht nuk ka me se t'i përgjigjet pafytyrësisë së Putinit. Putini e di se askush në Perëndim nuk do të rrezikonte një luftë për shkak të Ukrainës, për Krimenë jo e jo, por as për Lindjen e Ukrainës. Dhe sanksionet Putini i ka kalkuluar prej kohësh. Për ndëshkime që i dhembin me të vërtetë Rusisë, Putini nuk ka pse të druhet. Eksportuesit gjermanë dhe bankat britanike do të dinë si t'i ndalojnë ato. Edhe varësia nga gazi rus është në disa pjesë të BE tmerrësisht e lartë, çmimin për ndalimin e furnizimit duhet ta paguajnë qytetarët e BE.

Krimeja është e humbur për Ukrainën

Sanksionet që ka vendosur tani BE, nuk janë në asnjë mënyrë "sinjali më i fortë i mundshëm", siç i përcakton ato e ngarkuara me politikën e jashtme të BE, Catherine Ashton, por janë përkundrazi një shenjë tjetër e hutimit. Natyrisht që ato prekin disa figura drejtuese, të cilët së bashku me gratë e tyre nuk do të kenë mundësinë të bëjnë pazar në Cote d'Azur ose në Londër. Por nëse ky është i gjithë çmimi për Krimenë, çmimi për Putinin do të ishte me të vërtetë i lirë. Shumë rusë do të brohorasin me të që ai e ndali atë, që shumë rusë e shohin si disfatë apo poshtërim të vendit të tyre që prej kohëve të Bashkimit Sovjetik. Kjo do të thotë që Ukraina duhet ta fshijë nga lista Krimenë. Dhe BE nuk do të jetë më në gjendje të japë një mësim për çështjen e shkëputjes.

Christoph Hasselbach komenton
Christoph Hasselbach komentonFotografi: DW/P. Henriksen

Pak mirëkuptim për krenarinë e plagosur të Rusisë

Po të jetë i zgjuar, Putini do të tregohet tani i gatshëm për bisedime, për të folur për "detaje teknike" të një aneksimi të përfunduar, pa e vënë në parim në pikëpyetje këtë proces të padëgjuar. Pjesën tjetër të Ukrainës ai me siguri do ta lërë të qetë, të paktën hë për hë. Përndryshe atij do t'i duhet vetëm të presë, sa të lodhet BE së prishuri të biznesit me Rusinë dhe derisa shumica të jenë mësuar me gjendjen e re. Ajo që pason për Evropën është fillimisht tronditëse: përveç detyrimit të NATO-s për t'i mbështetur anëtarët e saj, Perëndimi nuk mund të bëjë shumë. Sanksionet kanë bërë rrallë herë që të ndëshkuarit të përmenden dhe të ndryshojnë rrugë, dhe kjo vlen ndoshta në mënyrë të veçantë për një vend me të kaluar kaq krenare sa Rusia.

BE duhet ta llogarisë shumë më tepër se deri tani këtë krenari të lënduar të Rusisë, kur të ketë të bëjë me ish-republikat sovjetike. Çdo diskutim për një anëtarësim në NATO, p.sh. të Ukrainës dhe të Gjeorgjisë do të ishte kundërproduktiv. Dhe BE duhet t'i shikojë veçanërisht me vëmendje politikanët në këto vende, të cilët pozicionohen kundër Rusisë, përpara se ata t'i mbështesë Brukseli. Kokat e nxehta janë gjithsesi personat e gabuar. Kur një afrim me BE zgjat më shumë se ç'e dëshirojnë njerëzit atje, kjo ndoshta është vështirë të durohet. Por një konfrontim dramatik do të ishte shumë më i keq: ai mund ta hedhë me dekada pas Europën.