1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Rusia me dy fytyra

Kursi në politikën e jashtme i Moskës prej muajsh sjell habi. Shumë gjëra në politikën e Putinit të kujtojnë tendencën cariste për ekspansion dhe përpjekjen sovjetike për hegjemoni, mendon Christian F.Trippe

Rubrikenbild Kommentar albanisch

Shqiponja ruse ka dy koka: njëra sheh majtas, tjetra djathtas. Kjo emblemë është shumë e vjetër, edhe kombe të tjera e kanë shqiponjën me dy koka në emblemë. Por vetëm shqiponja ruse me dy koka simbolizon atë që po ndodh këto ditë me diplomacinë ruse të krizës: shqiponja ruse vështron nga Perëndimi në Lindje. Ajo përfaqëson në këtë mënyrë një vend, që lëkundet midis dy poleve gjeopolitike.

Të martën ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov foli para Duma-s, Dhomës së Poshtme të Parlamentit rus. Ai dha shpjegime për gjendjen ndërkombëtare, për gjendjen e Rusisë dhe për krizën e Ukrainës. Lavrovi arriti gati të pamundurën e një spërkate Lindje-Perëndim. Ai i vlerësoi marrëdhëniet midis Moskës dhe Pekinit. Njëkohësisht, Lavrovi i karakterizoi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik si "pa alternativë". Kjo në një kohë kur Lavrovi e di fare mirë, se është vendi i tij që i vë para një prove force prej muajsh këto marrëdhënie. Pra Lavrovi pohoi se Perëndimi e ka fajin për krizën e Ukrainës.

Përzierje gënjeshtre të poshtër me pafajësi false

Sërish udhëheqja e Rusisë i lan duart si e pafajshme dhe e kthen në të kundërtën shkakun dhe pasojën. Presidenti Putin arriti pak kohë më parë të formulonte që "luftëtarët e lirisë" të Donbasit do t'i "gjejnë" tanket dhe topat e tyre. Kjo përzierje gënjeshtrash të poshtra me tezën e pafajësisë i zemëron shumë këto ditë partnerët e bisedimeve të udhëheqjes ruse.

Christian Trippe

Christian Trippe

Mohimi konstant i gjërave që duken - pra i mbështetjes masive të separatistëve në Ukrainën Lindore nga ushtria ruse - kujton në mënyrë fatale stilin politik të Bashkimit Sovjetik. Stili brutal i politikës së jashtme të Rusisë sqarohet po të hedhësh një vështrim pas: ai duket si një përzierje e tendencës cariste për ekspansion dhe përpjekjes sovjetike për hegjemoni.

Bezdi dhe frikë nga Moska

Madje edhe në vende miqësore ndaj Rusisë, si Kazakistan, ndërkohë është përhapur një ndjenjë bezdie. Bashkimi Euroaziatik i orkestruar nga Putini mund të jetë vetëm një mjet për të krijuar vasalë politikë dhe për të ushtruar dominancë ekonomike, ky është shqetësimi. Në shumë vende, të cilat dikur ishin pjesë e Perandorisë, qoftë e Perandorisë së kuqe ose të asaj cariste - ka sërish një frikë difuze nga Moska: në shtetet baltike, në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i përmendi pak kohë më parë në mënyrë të qartë objektivat e dukshme të politikës ruse të pushtetit. Ministri i saj i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier qendroi tri ditë më vonë në Moskë për të lidhur linja të reja bisedimesh me Moskën. Kjo strategji e dyfishtë duket se bëhet në marrëveshje mes të dyve. Në Kremlin, në qendrën e pushtetit nën shqiponjën e dyfishtë, Steinmeieri paralajmëroi për një ndarje të re të Evropës, për një mbyllje të re të Lindjes dhe Perëndimit.

Perëndimi po lodhet

Rusia kërkon që të pozicionohet si forcë e tretë midis Lindjes dhe Perëndimit. Por Perëndimi po lodhet gjithnjë e më shumë me spektaklin me dy fytyra dhe të pafshehur të politikës së pushtetit të Moskës. Në Rusi që tani dëgjohen zëra, se Rusinë po e dëbojnë nga Evropa dhe po ia presin lidhjet me Perëndimin. Nganjëherë, krijimi i legjendave u paraprin ngjarjeve.