1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Rusia kundër pjesës tjetër të botës

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, përfaqësuesit e qeverisë ruse u paraqitën me ashpërsi dhe i hutuan disi vëzhguesit, duke përfshirë edhe analisten tonë, Dagmar Engel.

Nuk kishin kaluar as 36 orë nga Marrëveshja e Mynihut për Sirinë, kur ministri i Jashtëm rus, goditi me spond atë që kishte ndërtuar më parë: ai nuk beson se do të ketë sukses marrëveshja që armët të heshtin. Dhe në përgjithësi, amerikanët sipas tij nuk kanë dëshirë që të bashkëpunojnë me rusët. Shanset për një sukses të marrrëveshjes ai i sheh te 49%, u përgjigj kryediplomati i Moskës pa dëshirë kur e pyetën.

Paraqitjet e përfaqësuesve zyrtarë rusë ishin agresive dhe fyese në thelb. Fajin gjithmonë e kanë të tjerët: Ukraina nuk u përmbahet premtimeve të Minskut, NATO-ja përforcon pa shkak trupat e saj në kufijtë e saj lindorë dhe shkel me këtë Aktin Themelor të vitit 1997 dhe për luftën, mjerimin e refugjatëve dhe IS në Siri e mbajnë përgjegjësinë ata që janë përzier në punët e brendshme të Sirisë. Jo Bashar al-Assadi. Dhe aq më pak Rusia: mohohen bombat ruse në Aleppo, për aneksimin e Krimesë mbahet heshtje e plotë. Kryeministri rus, Medvedjev dhe ministri i tij i Jashtëm Lavrov ndjekin me besnikëri vijën e Presidentit të tyre. Kjo në një kohë kur linja e tij është gjithçka tjetër, po jo e drejtë.

E besueshme, e parashikueshme në veprime - askund

Dagmar Engel

Dagmar Engel

Rusia po ngatërrohet sërish me taktika. Në konfliktet aktuale ajo mund të jepte kontribute të mëdha, por në vend të kësaj preferon që të alternojë kërcënimet, paralajmërimet dhe marrjen e pozicionit të të fyerit. Dhe ndërkohë ndërmerr sulme të tjera në Siri. Në thelb, thonë shumë ekspertë, rusët janë të interesuar që të trajtohen si të barabartë, si të barabartë para së gjithash me SHBA, për bashkëpunim edhe si partnerë ushtarakë. Por një bashkëpunim i tillë atyre nuk do t'u ofrohet në këtë mënyrë, ndër të tjera pikërisht për shkak të lojërave të tyre taktike. Një partner duhet të jetë i besueshëm; edhe kur nuk është gjithmonë i sinqertë, ai duhet të jetë të paktën i parashikueshëm në veprimet e tij. Do të ishte mirë sikur të paktën të tjerët ta kuptonin se çfarë kërkon ai partner.

Pas perdeve të Konferencës së Sigurisë thuhet se delegacioni rus është sjellë në mënyrë më të qartë. Ka deklaruar se nuk kërcënon një luftë e re e ftohtë as një luftë e tretë botërore, siç tha se kërcënonin kryeministri rus në fjalën e tij. Ndoshta për Sirinë ekziston një fije shprese. Ministri i Jashtëm gjerman i pa shanset e suksesit, pak para deklaratave të Lavrovit në 51 përqind.