1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Putin mund ta shpëtojë imazhin e IOC dhe të Rusisë

Me një hap të guximshëm presidenti rus Vladimir Putin mund ta shpëtojë nga më e keqja sportin në përgjithësi, Lojërat Olimpike në Rio, IOC-në e në radhë të parë edhe vendin e tij, mendon Ingo Mannteufel.

Gjykata Ndërkombëtare e Sportit CAS i ka rrëzuar pretendimet kundër bllokimit të ekipit rus të atletikës në Lojërat Olimpike. Në këtë mënyrë gjyqtarët e sportit në Zvicër konfirmuan vendimin e Federatës Botërore të Atletikës IAAF: për shkak të provave për një sistem shtetëror dopingu shoqata ruse e atletikës është përjashtuar në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro.

Sistemi shtetëror i dopingut në Rusi

Ndërkohë akuzat kundër Rusisë për doping po shkojnë edhe më tej. Raporti i ri i prezantuar në fillim të javës i Agjencisë Botërore të Anti-Doping, përpiluar nga profesori kanadez i jurispundencës Richard McLaren, provon me të gjitha hollësitë, se jo vetëm në aletikë në Rusi është përdorur dhe është manipuluar me doping. Organet qeveritare dhe shërbimi sekret rus në një sërë disiplinash sportive në Rusi vitet e kaluara kanë manipuluar provat pozitive të dopingut tek sportistët.

Me këtë praktikë sistematike dopingu Rusia fare hapur ka shkepur parimet sportive të ndershmërisë. Madje edhe më keq: ajo ka rrënuar imazhin e vet si një komb i sukseshëm në sport, i ka dëmtuar rëndë qysh tani Lojërat Olimpike në Rio e më kryesorja e ka vendosur nën presion të jashtëzakonshëm Komitetin Ndërkombëtar Olimpik (IOC): sepse tani në ditët e ardhshme IOC ose vendos përjashtimin e të gjithë sportistëve rusë, ose IOC do t'i zhvleftësojë përpjekjet e veta në luftën kundër dopingut.

A do të tregojë Putin cilësi lideri?

Përpjekjet në Rusi, për t'i paraqitur akuzat si „komplot amerikan të SHBA-së“, janë vetëm të turpshme. Po aq sa edhe thirrjet për më shumë fakte: raporti McLaren është i qartë dhe në mbarë botën askush nuk e vë në pikëpyetje. Të gjitha tentativat, për ta përgënjeshtruar edhe më tej sistemin e konstatuar të dopingut, vetëm sa shtojnë dyshimin ndaj sinqeritetit të Rusisë.

Mannteufel Ingo Kommentarbild App

Ingo Mannteufel

Në vend që të përgënjeshtrojë manipulimet, Rusia duhet të ketë guximin për një zgjidhje të respektueshme: Komiteti Kombëtar Olimpik i Rusisë duhet t'i paraprijë IOC-së dhe të tërheqë të gjithë sportistët e nominuar të shoqatave dhe disiplinave sportive, ndaj të cilëve raporti McLaren ka gjetur prova bindëse për sistemin e organizuar shtetëror të dopingut: krahas atletikës kryesisht edhe në disiplinat ngritje peshe, kanotazh, lundrim, çiklizëm, not dhe një sërë sportesh të mundjes.

Me këtë vendim Rusia do ta çlironte nga presioni IOC-në, për ta përjashtuartë gjithë ekipin rus nga Olimpiada në Rio, që fillon pas pak javësh. Rusia mund të përfaqësohej së paku në disa disiplina në Lojërat Olimpike 2016, në disiplinat që nuk përmenden në kontekstin e dopingut si p.sh.: hipizmi, gjimnastika, kërcimi së larti, badmintoni dhe golfi.

Nëse Rusia nuk reagon, ka vetëm të humbur

Me të tilla vendime Rusia mund të përpiqej ta rikuperonte besimin e humbur ndaj saj si komb sporti. Kjo do të kishte simbolikë dhe do të jepte shpresë për një përpjekje serioze për t'i dhënë fund sistemit rus të dopingut.

Nëse Rusia nuk reagon dhe nuk e pranon që ka shkelur rregullat në mënyrë masive, atëherë ajo e detyron IOC që ditët e ardhshme ta përjashtojë Rusinë nga eventi më i madh sportiv i këtij viti. Rusia kësisoj në sport do të përjashtohej dhe do të izolohej në nivel ndërkombëtar. Vështirë të imagjinohet se si më 2018 mund të zhvillohet në këto rrethana Kampionati Botëror i FIFA-s në Rusi. IOC qysh tani e ka përjashtuar mundësinë e zhvillimit të garave sportive në të ardhmen në Rusi.

Në rast se megjithatë IOC vendos kundër përjashtimit, atëherë kjo do të ishte për Rusinë vetëm një fitore e rreme: sepse kredibiliteti i IOC-së në luftën kundër dopingut do të dëmtohej rëndë. Dhe fituesit e mundshëm rusë të medaljeve nuk do të arrinin të gëzoheshin për fitoren e tyre, sepse askush nuk do t'u besonte atyre që kjo do të ishte fitore me ndershmëri.