1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: PRO - Kujtimi të çliron

2 Qershor 2016

Bundestagu i bën thirrje Turqisë që ta përkujtojë gjenocidin ndaj armenëve. Me të drejtë, mendon Christoph Strack.

https://p.dw.com/p/1Iya4
Deutschland Bundestag zu Massaker an Armeniern
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Pedersen

Njihet shprehja e famshme hebreje: "Përpjekja për të harruar e zgjat mërgimin, dhe sekreti i çlirimit është kujtimi". Presidenti gjerman, Richard von Weizsäcker e zbërtheu këtë në fjalimin e tij të paharruar në 40 vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore, fjalim që e mbajti në 8 maj 1985 në Bundestag, askohe në Bon.

Duhet të përballemi me historinë vetjake. Çdo individ i veçantë, edhe popujt. Vetëm pak ditë më parë këtë e treguan mbi varret e Verdunit Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Francois Hollande.

Këtë fjali, këtë apel për të kujtuar në mënyrë të sinqertë mund ta lidhësh me shumë të drejtë me çështjen e trajtimit të fatit të deri 1,5 milionë armenëve, të cilët u masakruan, u asgjësuan para më shumë se 100 vjetësh në Perandorinë Osmane. Ishte një gjenocid ai, viktimë e të cilit ranë që prej prillit 1915 qindra mijëra vetë, kryesisht të krishterë ortodoksë. Armenë, aramejë, asirianë, grekë të Pontos. "Fati i tyre përfaqëson si shembull historinë e asgjësimeve në masë, të spastrimeve etnike, të dëbimeve, po edhe të gjenocideve, prej të cilave karakterizohet në mënyrë kaq të tmerrshme shekulli i 20-të," thuhet në projektrezolutën e partive unioniste (CDU/CSU) dhe të SPD-së.

Pra Bundestagu - i mbështetur nga partitë unioniste, nga SPD dhe të Gjelbrit - do të flasë për një "gjenocid". Dhe bën mirë për këtë. Ka shumë vite që Bundestagu gjerman merret me ngjarjet e viteve 1915/1916. Tani vendimin e prillit të kaluar e shtyu për këtë të enjte të qershorit. Dhe koncepti "gjenocid" përmbahet edhe në pjesën zyrtare të kërkesës.

"Roli i palavdishëm gjerman"

Kjo në një kohë kur dokumenti ndalet shprehimisht (dhe më qartë se së fundi) tek roli gjerman. "Bundestagu shpreh keqardhjen për rolin e palavdishëm të Perandorisë Gjermane, e cila si aleatja kryesore ushtarake e Perandorisë Osmane, megjithë informacionet e qarta (...) nuk bëri përpjekje që t'i ndalte këto krime kundër njerëzimit". Çfarë kuptimi ka hedhja në lojë e letrave të tjera, kur loja ka mbaruar? Tregon se linjat e mëdha të historisë nuk janë çështje vitesh dhe dekadash. Këtë e tregojnë në mënyrë të përgjakshme konfliktet në Siri dhe në Irak.

Christoph Strack
Christoph StrackFotografi: DW

Edhe një detaj tjetër tregon se Parlamenti gjerman synon të arrijë përmes kujtimit një normalizim. Më 10 tetor 2009, Turqia dhe Armenia nënshkruan protokolle për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe për hapjen e kufijve. Një moment që u festua si hap për normalizimin e marrëdhënieve të rënduara në histori. Vetëm se - për t'u ratifikuar, protokollet nuk u ratifikuan kurrë. Prej asnjërës nga palët. Dhe Bundestagu bën thirrje për ratifikim nga turqit dhe nga armenët, në mënyrë që të lindë diçka e re, në njërën prej linjave më konfliktuale të historisë.

Po, vendimi i Bundestagut vjen në një kohë jo të përshtatshme në politikën e jashtme. Por për këtë fakt mban përgjegjësi edhe pala turke. Kërcënimet, për të cilat tregojnë disa deputetë, nuk funksionojnë. Nuk bëhet fjalë për fajin e pasardhësve, por bëhet fjalë për përgjegjësinë e pasardhësve, që të kujtojnë jo vetëm orët e lavdishme të historisë, por edhe orët e errëta të saj. "Sekreti i çlirimit është kujtimi". Kujtimi të çliron.

Bundestagu bën mirë që i kujton. Gjermanët. Dhe turqit.

Strack Christoph Kommentarbild App
Christoph Strack Gazetar, autor dhe korrespondent i lartë që shkruan për çështjet fetare.@Strack_C