1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Perspektiva si strategji

Ballkani Perëndimor ka kohë që nuk e dikton më rendin e ditës në Bashkimin Evropian. Megjithatë, BE do të bënte mirë të mos e humbiste nga sytë rajonin, mendon Adelheid Feilcke.

Me perspektivën puna nuk është e thjeshtë - ti e sheh diçka po nuk je aty. Mund të shohësh atë që është brenda, por nuk je brenda. Kështu që edhe perspektiva e BE e premtuar në Konferencën e Ballkanit Perëndimor është në fakt një premtim bosh. Është e qartë që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për në BE. Pyetja që shtrohet është vetëm: cilën?

Në kohën e vjetër të mirë para krizës së refugjatëve dhe Brexitit raportet qenë të qarta: ne jemi brenda, ju doni të hyni brenda! Dhe ne do t'ju themi se nga kalon rruga! Por kaq të qarta raportet ka kohë që nuk janë më.

Ballkani me besim në vete

Shtetet e Ballkanit Perëndimor i mbrojnë me kufijtë e mbyllur shpatullat në çështjen e refugjatëve jo vetëm BE. Ato ngërthejnë edhe shumë potencial konflikti, i cili mund të bëhet i rrezikshëm edhe për Evropën: terrorizëm, islamizëm në rritje, shtetësi dhe raporte fqinjësie të pasqaruara, prapambetje ekonomike. Që këto konflikte para dyerve të Evropës duhet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo nuk është vetëm në interes të Ballkanit, por të gjithë Evropës.

Jo vetëm për këtë arsye politikanët e Ballkanit shfaqen me besim të madh në vete. Po, ata duan të futen në BE, por njëkohësisht luajnë edhe me opsione të tjera. Rusia e ka vënë në qendër të vëmendjes Ballkanin Perëndimor, si rajon strategjik, Kina siguron projekte të mëdha ekonomike. Dhe popullatën myslimane, para së gjithash në Bosnjë dhe në Kosovë përpiqen ta bëjnë për vete gjithnjë e më shumë lojtarët islamikë. BE - Evropë nuk është i vetmi opsion dhe forca tërheqëse e komunitetit zhduket, kur anëtarësimi zhvendoset në largësi të paarritshme.

Në këtë situatë kryetarët e shteteve të Ballkanit janë ambjentuar mirë dhe manovrojnë me aftësi përballë pasigurive të brendshme dhe të jashtme, për ta zgjeruar pushtetin e tyre - jo gjithmonë në mënyrë fine demokratike. Ndikim në rritje ndaj medieve dhe nepotizëm janë fenomene të përhapura në rajon, elitat e korruptuara janë një problem në rritje.

Atje ku BE gëzon ende autoritet

Prandaj është kaq e rëndësishme, që vendet e BE përreth Gjermanisë, Franca dhe Austria të mos ia ndajnë vështrimin Ballkanit Perëndimor. Me gjithë politikën simbolike në plan të parë të takimeve të nivelit të lartë të Ballkanit, mesazhi "duam t'ju kemi" është i rëndësishëm. Dhe integrimi i BE si objektiv i qartë krijon përgjegjësi tek të gjitha palët.

Megjithatë shkëlqimi i kohës së BE nuk është shuar kudo, nga perspektiva e Ballkanit ai ruan edhe më tej fuqi rrezatuese dhe - ajo që është më e rëndësishme:- gëzon autoritet politik. Do të ishte fatale që ky fakt të mos shfrytëzohet dhe që Ballkani Perëndimor tanit të lihet pas dore përballë ankthit të Brexitit. Çdo paqartësi e dobëson autoritetin e BE e forcat demokratike në rajon dhe çon ujë në mullirin e atyre që përfitojnë nga kushtet jostabile në Ballkan.

Adelheid Feilcke

Adelheid Feilcke

Kushti bazë: pajtimi me fqinjët

Detyrat në rrugën e integrimit të BE janë të mëdha: shteti juridik është një temë kritike siç është edhe njohja reciproke e shteteve, të cilat zhvilluan pjesërisht luftë kundër njëra-tjetrës deri pak vite më parë. Këtu nuk duhet të ketë kompromise të kalbura! Që në periferi të Konferencës së Ballkanit Perëndimor u kapërcye bllokada e Kroacisë për negociatat e Serbisë në BE, tregon që është e mundur që përballë interesave të përbashkëta të lihen mënjanë nacionalizmat egoiste. Afrime të tjera bilaterale duhet të pasojnë. Rezervat serbe ndaj Kosovës, çështja e shtetësisë së Bosnjës, bllokada e Greqisë ndaj Maqedonisë - lista e hapur është e gjatë. Për këtë nevojiten ende shumë negociata dhe kërkesa. Por rruga për në BE mund të ecë për kandidatët për anëtarësim vetëm pëmes pajtimit rajonal.

Pavarësisht nga perspektiva që merr: integrimi i Ballkanit është një projekt afatgjatë, por i cili mund t'i përmbahet kursit me përparime konkrete. Bashkëpunimi ekonomik dhe investimet duhet të shtohen edhe më tej, pa e pakësuar presionin për reforma. Dhe duhet marrë me vete rinia, e cila është në mënyrë shqetësuese e zhgënjyer dhe pa perspektivë. Prandaj themelimi tani i Zyrës Rajonale të Rinisë për Ballkanin Perëndimor është një projekt që mban parasysh të ardhmen, i cili shumë të rinjve në shoqëritë postkonfliktuale duhet t'u hapë perspektiva të reja - së bashku në një Evropë të përbashkët.