1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Pamjet e vitit

Pamjet e pazakonta mbeten në kujtesë: Por një fotografi bëhet fotografia e vitit për faktin se e arrin efektin e saj. Dhe ky vendim mund të merret vetëm nga distanca, mendon Felix Steiner.

Rrallë në mbledhjet e redaksive është diskutuar aq intensivisht për një fotografi sa me 2 dhe 3 shtator. Jo vetëm në Deutsche Welle, por edhe në shumë media të tjera. Më në fund e gjithë bota e njohu të voglin Aylan Kurdi, tre vjeç, që u mbyt në brigjet turke në përpjekjen për të kaluar me një varkë në ishullin Kos.

Një fotografi, që zgjoi emocione

Vdekja e Aylanit të vogël ishte një turp. Evropës duhej t'i vinte turp dhe kjo pamje ishte një thirrje zgjimi për kthim në vlerat e Evropës. Kështu shkruhej atëherë në komentet, editorialet dhe në tekstet shoqëruese të kësaj fotografie.

Por shpërthimet emocionale të redaktorëve patën qenë të një kohëzgjatjeje të shkurtër, thirrja e alarmit të zgjimit u shua. Po të ishte dëgjuar ajo, prej kohësh anijet e BE-së do të shkonin në portet e Turqisë dhe Libisë për të sjellë që andej refugjatët në Evropë, në mënyrë të sigurtë, pa nevojën e kontrabandistëve të njerëzve. Ashtu siç është kërkuar shpesh prej vitesh nga gazetarët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut. Por asnjë politikan në BE nuk e ka kurajon dhe qëndrueshmërinë, për të ndërmarrë këtë hap. Sepse edhe ata e dinë atë që çdo ekonomist e mëson gjatë studimeve: që çdo ofertë krijon kërkesën e vet. Se porte të tilla për tragete do të tërheqin një numër edhe më të madh emigrantësh.

Pa efekt të zgjatur

Fotografia, e cila që ditën që u shkrep, u bë disa herë imazhi i vitit - preku njerëzit për një moment, shkaktoi një debat për etikën gazetareske ("çfarë lejohet të tregohet?"), por nuk pati një efekt të qëndrueshëm.

Steiner Felix

Felix Steiner

Krejt ndryshe motivi, që UNICEF-i cilësoi disa ditë më parë si "foton e vitit": policët evropiane si shkaktarë të panikut, frikës dhe vuajtjeve - këto ishin pamjet e kësaj vere, që përbënin një apel shumë më të fortë drejtuar ndërgjegjes së qytetarëve të veriut të pasur të kontinentit se sa të vdekurit nga deti. Turpi që shumë shprehin në mediat sociale, lidhur me këto fotografi, që vijnë nga kufijtë dhe stacionet e trenave në Evropën Juglindore, ishte shumë më i madh.

Angela Merkel deri sot nuk e ka shprehur qartë se çfarë e ka nxitur konkretisht në mbrëmjen e 4 shtatorit për të hapur kufijtë e Gjermanisë dhe të lejonte disa ditë më parë udhëtimin e trenave të posaçëm të mbushur me refugjatë nga Budapesti në Mynih. Ndoshta do të na japë informacion për këtë dikur në kujtimet e saj. Por pamje, si ato të zgjedhura nga UNICEF-i apo imazhet e shumta televizive të atyre ditëve nga Hungaria, Serbia dhe Maqedonia pa dyshim që kanë luajtur një rol jo të papërfillshëm. Sigurisht ata ishin forca shtytëse për njerëz të panumërt në Mynih dhe në qytete të tjera bavareze, për të dërguar ndihma në stacionet hekurudhore dhe për t'u përgatitur refugjatëve një mirëseardhje të ngrohtë.

Pamje të kulturës së mirëseardhjes

Shikoni, Gjermania është e hapur, e ngrohtë dhe shumë ndryshe nga vendet e tjera, nëpër të cilat keni kaluar deri tani! Ky ishte mesazhi, që përcillnin pamjet nga Mynihu. Dhe që kulmuan me selfit, që refugjatët sirianë bënë së bashku me kancelaren gjermane gjatë vizitës së saj në një qendër pritjeje më 11 shtator.

Sidomos këto fotografi u bënë një simbol i këtij viti për Gjermaninë. Dhe kjo në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë si e sheh veten klasa politike e Gjermanisë: "Ne jemi të mirët, që ndihmojmë, që jemi ndarë nga të gjitha traditat e këqija të së kaluarës gjermane." Në anën tjetër, edhe si e shohin çështjen e refugjatëve fqinjët e tyre evropianë: "Ju gjermanët i keni thirrur, atëherë merrini dhe na lini të qetë!" Fare hapur flitet në qarqet qeveritare të shteteve të ndryshme anëtare të BE-së për një "problem gjerman". Një gjë është e sigurtë: Këto pamje të vitit 2015 do të bëjnë efektin e tyre edhe në vitin e ri! Dhe kjo është ajo, që i bën ata fotografitë e vitit.

Poshtë këtij artikulli mund të shkruani mendimin tuaj! I mirëpresim komentet tuaja.