1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: për se ka nevojë tani Gjermania

Felix Steiner26 Gusht 2015

Është një pamje kundërthënëse ajo që përcjell Gjermania këto ditë: nga njëra anë gatishmëri shumë e madhe për të ndihmuar refugjatët, nga ana tjetër dhunë. Kancelarja bën mirë që reagon, mendon Felix Steiner.

https://p.dw.com/p/1GLU2
Plaka ne Heidenau
"Katastrofa më e madhe është harresa", përmbajtja e pllakatës në strehimoren e refugjatëve në HeidenauFotografi: DW/B. Knight

Që prej dy javësh bota e di më në fund se cili është mentaliteti i gjermanëve. Një institut me emër i studimit të opinionit paraqiti një antologji të hartuar mbi bazën e më shumë se 500 anketimeve. Ndonjëri nga përfundimet të bënte të buzëqeshje: gjermanët preferojnë më tepër macet se qentë, u pëlqen të pijnë më mirë verë se birrë, të festojnë më mirë në shtëpi se sa në festa popullore dhe që janë në shumë gjëra krejt ndryshe nga ajo që sugjeronin deri tani të gjitha klishetë. Irituese ishin megjithatë përgjigjet për fjalinë: "Rendi aktual politik në Gjermani është më i miri që kemi pasur ndonjëherë". Vetëm në tri lande gjermane ishte më shumë se gjysma e të pyeturve që e aprovoi këtë fjali pa rezerva. Në tri lande lindore të Gjermanisë ishte përkatësisht vetëm një e treta që e aprovoi këtë thënie. Por edhe në Renani-Veriore-Vestfali, në Bavari dhe në Baden- Vyrttemberg, ku po ta mbledhim numrin e njerëzve jeton rreth gjysma e gjermanëve, janë vetëm pak më tepër se 40 përqind e njerëzve që e pohojnë këtë fjali.

Vlerat bazë te shumë njerëz pak të rrënjosura

Mbetet një dobësi e anketimeve që nuk u pyet se prej cilëve do të preferonin më mirë gjermanët me sa duket të pakënaqur të qeveriseshin - nga Perandori, Fyhreri, apo nga ndonjë Kryetar i Këshillit të Shtetit ose Sekretar i Përgjithshëm i Partisë? Por ajo që del qartë në pah është se një pjesë e konsiderueshme e gjermanëve ka një distancë të konsiderueshme ndaj shtetit tonë. Dhe si rrjedhojë i mbështet pak ose vetëm me kufizime vlerat e tij. Kjo duket këto ditë shumë qartë në Heidenau të Saksonisë, ku radikalët e djathtë hedhin gurë, shishe dhe fishekzjarre ndaj refugjatëve që mbërrijnë dhe kur qytetarë fare normalë i vështrojnë ata, sepse me sa duket janë dakord me këtë. Dhunë kundër njerëzve të pambrojtur, midis tyre fëmijë! Njerëz, një pjesë e të cilëve janë larguar nga ferri i luftës. Jo- qytetarët që duket se e quajnë të drejtë këtë, kanë me sa duket një problem me sistemin tonë të vlerave. Gjithsesi ata nuk e kanë përvetësuar fjalinë e parë të nenit të parë të kushtetutës gjermane: "dinjiteti i njeriut është i paprekshëm". Kjo fjali nuk është: dinjiteti i çdo gjermani është i paprekshëm - edhe nëse kjo do t'u pëlqente më mirë gurëhedhësve dhe spektaktorëve të tyre. Veç kësaj, në të njëjtin nen shkruhet se gjermanët i shohin të drejtat e paprekshme të njeriut si bazë të çdo bashkësie njerëzore.

Felix Steiner
Felix SteinerFotografi: DW/M.Müller

Problemi nuk është i kufizuar vetëm në Heidanau të Saksonisë - edhe në rajone të tjera të Gjermanisë, në 48 orët e fundit strehimet për refugjatët janë përfshirë nga flakët. Dhe megjithatë është mirë që të mërkurën Kancelarja do të shkojë pikërisht në këtë vend, i cili që prej fundjavës është kthyer në sinonim për urrejtjen dhe dhunën e djathtë. Po të jetë e zgjuar Angela Merkeli, atëherë ajo nuk ndjek modelin e zëvëndëskancelarit të saj, i cili ishte që të hënën i pranishëm në vendngjarje dhe që i shau të gjithë demonstruesit pa dallim "turmë rrëmujaxhinjsh". Po, nga pikëpamja emocionale kjo është e kuptueshme. Por nuk është me vend. Se ai që shan, ai izolon dhe përjashton. Po Gjermania ndodhet para sfidave gjigande dhe i duhet t'i fitojë qytetarët e saj. Të paktën ata të cilët deri tani kanë qendruar pa marrë pjesë.

Kancelarja duhet t'i bëjë për vete njerëzit

Prandaj duhet të flasë Angela Merkel dhe të tregojë empati. Të flasë në radhë të parë natyrisht me refugjatët e frikësuar. Pastaj me ndihmësit - me profesionistët e edhe më shumë me ata që ndihmojnë në mënyrë vullnetare. E të flasë edhe me qytetarët fare të zakonshëm të Heidenaut, prej të cilëve shumë thjesht janë të shqetësuar.

Po të ketë sukses vizita e Kancelares, atëherë ndoshta ajo do të shkaktojë te këta të fundit atë ndryshim mendimi, të cilin e bëri sot gazeta me tirazh milionësh Bild: konceptet "valë refugjatësh" dhe "vërshim refugjatësh" papritur tani shmangen me kujdes në raportimin e gazetës. Në vend të kësaj, titulli i faqes së parë sot ishte: "Të ndihmojmë refugjatët - Çfarë mund të bëj unë tani." Pikërisht kjo është fryma për të cilën ka nevojë tani Gjermania.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,18671809,00.html