1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Organet e sigurisë janë më mirë nga sa e kanë reputacionin

22 Dhjetor 2016

Atentatori i pandehur i Berlinit njihej prej autoriteteve. Ndaj nuk është e drejtë t'i akuzosh ato për dështim.

https://p.dw.com/p/2Ukbu
Deutschland Experten legen Vorschläge zur Polizeistrukturreform vor
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Stein

Gjendja e fakteve për atentatorin e pandehur në tregun e Krishtlindjeve Anis Amri duket t'u japë të drejtë atyre, që i vlerësojnë për shumë shumëçka autoritetet e sigurisë, me përjashtim të një gjëje: kujdesit për sigurinë. Kush mendon kështu, duhet t'i kujtojmë së pari, se Gjermania për një kohë shumë të gjatë ka qenë e mbrojtur prej akteve terroriste me shumë të vdekur. Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA) në pranverë publikoi një listë me njëmbëdhjetë sulme të parandaluara. Ndër to bën pjesë edhe i ashtuquajturi "grupi i Sauerland-it", për të cilin mundi të vërtetohej se planifikonte një sulm të tmerrshëm me lëndë shpërthyese. Autorët u dënuan me shumë vite burgim.

Mund të thuash se ndër të tjera këtu ishte edhe pak çështje fati. Po ashtu edhe në rastin e burrave të quajtur "bombat valixhe në Këln", lënda plasëse e të cilëve nuk shpërtheu vetëm për shkak të një defekti në konstruktim. Si sukses - pavarësisht disa havarive - duhet të vlerësohet edhe arrestimi i të pandehurit për terror Xhaber al-Bakr, i cili më pas kreu vetëvrasje. Të dhënat e mbledhura për të të çojnë në konkluzionin, se siriani i njohur si në arrati planifikonte një atentat.

Askush nuk duhet të arrestohet për shkak të bindjeve të tij

Me këtë mendim kanë vepruar autoritetet e sigurisë edhe ndaj tunizianit Anis Amri. Ai si azilkërkues i refuzuar është vrojtuar për një gjysmë viti. Ndaj tij nuk mundi të vërtetohej asnjë "kundravajtje relevante ndaj mbrojtjes së shtetit". Për këtë arsye hetimet u ndërprenë. Nisur vetëm nga fakti që ai është vrojtuar për një kohë të gajtë duhet të merret parasysh, që autoritetet kanë vepruar si duhet dhe jo me pakujdesi. Natyrisht që në sfondin e atentatit në Berlin është tragjikisht e pakonceptueshme, se si nuk ka mundur të arrestohej Amri vetëm për shkkak të mungesës se dëshmive. Por askush nuk mund të arrestohet e aq më keq të dënohet për shkak të bindjeve të tij.

Ky quhet shteti i së drejtës dhe kjo patjetër duhet të respektohet. Madje aq më e rëndësishme është kjo, sepse gjithçka tjetër do të konsiderohej si një triumf plus i terroristëve kundrejt vlerave si liria dhe dinjiteti njerëzor. Qëllimit të tyre, për ta frikësuar në mënyrë masive shoqërinë e hapur, ndërkohë ata ia kanë arritur - të paktën për momentin. Gjermania këtyre kriminelëve perversë të mbushur me urrejtje nuk duhet t'u shkojë pas fijes duke i nënvleftësuar organet e sigurisë si një rrezik për sigurinë. Gabimet duhen identifikuar dhe duhen evituar. Por do të ishte e papërgjegjshme dhe populizëm, që këto organe të vihen në mënyrë përgjithësuese në pikëpyetje.

Masakra në Nicë ndodhi pavarësisht gjendjes së jashtëzaklonshme

Si do të kishte reaguar një Anis Amri, nëse ai është dorasi, që duhej të ndalohej për realizimin e planit të tij duke u arrestuar paafat dhe pa bazë ligjore? Atëherë ne do të kishim në Gjermani një gjendje të jashtëzakonshme si në Francë, ku ajo ka hyrë në fuqi qysh pas atentateve në Paris në nëntor 2015. Por kjo nuk ndihmoi aspak, nëse kemi parasysh sulmin vdekjeprurës me maune në Nicë korrikun e kaluar. Një vrasje masive, që me sa duket ka shërbyer si shembull makabër për atentatin në tregun e Krishtlindjeve në Berlin.

Për fat të keq në çdo kohë duhet llogaritur me sulme të këtij dimensioni. Vetëm shifra e të ashtuquajturve persona rrezikues e paraqitur nga autoritetet e sigurisë arrin deri në qindra. Vrojtimi i të gjithë atyre pa ndërprerje do të ishte i pamundur. Pra vihen në fokus të vrojtimit ata, për të cilët ka më shumë informacione. Sado paradoksale që të duket klima e ndezur aktualisht: Anis Amri është madje një shembull i mirë për atë, se sa efektive mund të jenë policia dhe mbrojtja kushtetuese.

Gjendja e fakteve ishte mjaft e vakët

Ai ishte për njëkohë të gajtë në radarët e organeve të sigurisë. Ai u zhduk nga radarët - sipas të gjithave që dihen - jo për shkak të paaftësisë, pro për shkak të gjendjes së fakteve. E kjo me sa duket ishte mjaft e vakët, për ta bllokuar atë. Vetëm nëse gjatë rrjedhës së hetimeve që po vazhdojnë kjo do të rezultonte si e gabuar, organet e sigurisë mund ta pranojnë akuzën për paaftësi.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore