1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Obama e merr seriozisht

Reforma e imigrimit me dekret e vendos Obaman në konfrontim me Republikanët. Po kjo nuk do të jetë tema e vetme, ku Obama nuk do të marrë më parasysh reagimin e opozitës, mendon Michael Knigge.

Në metrat e fundit para finishit të mandatit të tij të dytë, Presidenti Obama do të ndërmarrë një ndryshim të plotë roli, nga ndërmjetësues që kërkon kompromis në person që zbaton vullnetin e tij në mënyrë presidenciale. Pas zgjedhjes në vitin 2008, Obama ende besonte se mund të luante rolin e një arbitri mbipartiak, që konstaton konflikte midis dy kampeve politike të vendit dhe i kthen ato në zgjidhje të pranueshme për të gjithë.

Me bllokadën e plotë të republikanëve kundër reformës së tij të shëndetësisë, presidenti po e kupton se aftësia për kompromis nuk bën pjesë në fjalorin bazë të shumicës së republikanëve në kongres.

Pas disfatës së rëndë në zgjedhjet pak javë më parë, të cilat u japin republikanëve që prej janarit kontroll të plotë mbi kongresin, për Presidentin nuk ekziston më asnjë nevojë të mbajë në mendje zgjedhës potencialë. Obama nuk ka më zgjedhje që duhet t'i fitojë. Prandaj ai është i interesuar që në rast nevoje edhe i vetëm t'i vërë në jetë premtimet qendrore të zgjedhjeve para fundit të periudhës së dytë në post - ose të paktën të përpiqet për këtë. Mbështetjen e republikanëve me të drejtë ai nuk e llogarit më.

Michael Knigge komenton

Michael Knigge komenton

Reforma e imigrimit është një temë e tillë. Kandidati Obama pati thënë në fushatën elektorale të vitit 2008 shprehimisht se vërtet nuk mund të premtojë që ligji i ri për imigrimin të vijë në 100 ditët e para të tij në post, por ai garanton se ky ligj do të vijë brenda vitit të parë. Gjashtë vjet dhe një kompromis të dështuar me republikanët më vonë, Obama më në fund po nis ta plotësojë premtimin. Ky është një hap i vonuar në drejtimin e duhur, i cili u ofron miliona vetëve, kryesisht nga Meksika, që jetojnë dhe punojnë prej shumë vjetësh pa leje qendrimi në SHBA, më në fund një perspektivë të qendrueshme.

Mbrojtja e klimës dhe Guantanamo

Dy tema të tjera qendrore, të cilat Obama duhet t'i prekë para fundit të mandatit të tij janë mbrojtja e klimës dhe mbyllja e kampit të të burgosurve Guantanamo. Përsa i përket mbrojtjes së klimës, Obama premtoi në fushatë me plot gojën se nën të, SHBA do të merrnin një rol drejtues. Në rastin e Guantanamos, Obama premtoi ngjashëm si në rastin e imigrimit, një mbyllje të kampit që në vitin e parë të mandatit të tij. Të dyja si dihet nuk ndodhën. Obamas dihet që nuk i mbetet shumë kohë për ta ndryshuar këtë. Në reformën e imigrimit ai do të ndeshë në rezistencën e egër të republikanëve. Por ai thjesht nuk mund t'ia lejojë vetes të mos bëjë asgjë. Veprime të tjera individuale janë të programuara.