1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Një paketë e re ndihme për Greqinë!

Henrik Böhme19 Gusht 2015

Paketa tjetër e ndihmës për Athinën do të miratohet. Por ajo nuk i vjen në ndihmë askujt mendon Henrik Böhme.

https://p.dw.com/p/1GHVF
Fotografi: Reuters/F. Bensch

A nuk u tha që kurrë më nuk do të rëndohen tatimpaguesit në qoftë se një bankë bie dikur në vështirësi? Ky ishte premtimi i politikës pas rrëzimit të Lehman Brothers dhe krizës globale financiare që pasoi. Me miliarda dhe miliarda para të taksapaguesve u desh të mbështeten bankat në rrezik. Tani bankat evropiane po lëkunden përsëri, dhe përsëri ato do të shpëtohen me miliarda prej taksave. Sepse asgjë nuk ndodh ndryshe, nëse bankat kryesore në Greqi do të marrin së shpejti 25 miliardë euro nga paketa e shpëtimit, që po përgatisin evropianët për fëmijën e tyre problematik.

Deutsche Welle Henrik Böhme Chefredaktion GLOBAL Wirtschaft
Henrik BöhmeFotografi: DW

Por besimi është zhdukur

Bankat janë në vështirësi, sepse klientët e tyre kanë tërhequr masivisht të holla. Ata e bënë këtë për shkak se nuk kanë besim tek politikanët e vendit të tyre, që kishin kishte premtuar se do ta nxirtrnin qerren nga balta. Ose sepse ata besojnë se ministri gjerman i Financave është një njeri i keq, i cili dëshiron të marrë me vete kursimet e tyre. Ose për shkak se ata shohin atë që nuk duhet të neglizhohet: Çfarë do të sjellë paketa e tretë e shpëtimit tani kur megjithë dy paketat e mëparshme, situata në Greqi nuk mundi të kthehej për mirë?

Jo, situata është e ndërlikuar. Greqia është një thes pa fund, dhe e vetmja gjë që do të sjellë paketa e re e shpëtimit është vetëm një kohë shtesë pushimi nga problemet e mëdha. Kështu ishte dhe me dy paketat e tjera që derdhën brenda pesë vjetëve të paktën 240 miliardë euro si kredi emergjente në arkat e Athinës. Dhe kështu u bë edhe pas ristrukturimit të borxhit në fillim të vitit 2012, kur borxhi u zvogëlua me 107 miliardë euro. E vëmë me bast që për dy apo tre vjet sirtaki do të fillojë përsëri nga e para, vetëm se pa Aleksis Zorbën. Por me evropianët e nervozuar që në fakt kanë për të zgjidhur probleme krejt të ndryshme.

Grexit-i mënyra e gabuar

Vetëm: Çfarë duhet bërë? T'i nxjerrim grekët nga eurozona dhe ata të kthehen tek dhrahmia, si thotë një ekonomist i njohur nga Mynihu në çdo mikrofon që i vënë përpara? Kaq pak vlen për ne ideja e madhe e një Evrope të bashkuar? Kush nuk mundet të dalë jashtë? Natyrisht, projekti evropian ka gabime dramatike projektimi. Kriza e Athinës na ndihmon t'i shohim këto gabime dhe të bëjmë korrigjimet. Por Evropa është simbol i solidaritetit dhe duhet të jetë në gjendje të gjejë një mënyrë për ta zgjidhur problemin grek bashkarisht.

Ne mund ta kuptojmë çdo anëtar të Bundestagut gjerman, që voton kundër një pakete të re ndihme për Greqinë. Por nuk është e mjaftueshme që thjesht të themi vetëm Jo. Por duhet të zhvillohen ide, sugjerime, alternativa, se si mund t'i mbajmë grekët në eurozonë.

Solidariteti duhet të jetë një virtyt evropian

Tani duhet të gjendet një çlirim i vërtetë. Dhe ky mund të jetë vetëm një falje radikale e borxheve, si kërkon Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në Uashington ka shumë që u ka ardhur në majë të hundës, që të merren vazhdimisht me një komb ekonomikisht të parëndësishëm në periferi të Evropës, kur shumë anëtarë të varfër të FMN-së kanë probleme krejt të ndryshme. Kjo nuk i pëlqen Berlinit, por edhe aty e dini sigurisht që ka kohë që nuk ka rrugë tjetër. Vetëm se nuk nuk duhet thirrur me këtë fjalë. Por edhe një zgjerim i maturiteteve të kredisë për 60 vite është zgjidhja e gabuar. Ajo që na duhet është guximi - guximi për të vërtetën, e cila në rastin më të keq mund t'i kushtojë dikujt postin.

Greqisë duhet t'i jepet shansi për të ndërtuar një sistem ekonomik, i cili sjell fitime, një sistem tatimor që mbledh taksat. Njerëzve duhet t'u sigurohet një perspektivë, në mënyrë që ata të mos i transferojnë paratë e tyre jashtë vendit. Nëse kjo mund të arrihet me kryeministrin Tsipras, qeveria e të cilit i ka kushtuar vendit sidomos para, është shumë e dyshimtë. Por këtë duhet ta vendosin grekët. Me sa duket së shpejti do të ketë zgjedhje të reja. Por Evropa duhet të tregojë anën më të mirë të saj, duhet të ndihmojë me një lloj Plani Marshall. Kjo do të ishte përgjigja më e mirë për shumë forca anti-evropiane që janë formuar prej kohësh. Dhe jo vetëm në Athinë, por edhe në shumë kryeqytete të tjera.

Ju mund të bëni një koment në fund të këtij komenti. Ne gëzohemi për mendimin tuaj!